TIRANE –Ambasadori amerikan Donald Lu dhe ambasadorja e BE-së Vlahutin, duket se kanë arritur të bëjnë sërish bashkë palët politike, në mënyrë që të gjendet konsensusi për rifillimin e punës për reformën në drejtësi.

Pas takimit që u zhvillua sot, mes ambasadorëve dhe ekspertëve të pozitës dhe opozitës, duket se janë rihapur diskutimet për reformën në drejtësi.

Mësohet se shumica ka tërhequr draftin e ekspertëve, që ndër të tjera propozonte emërimet në gjyqësor me 84 vota, dhe tashmë tryeza për reformën pritet të mblidhet duke u bazuar në rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Tërheqja e draftit të shumicës, pritet të rikthejë në tryezë ekspertët e PD-së, të cilët kishin bojkotuar diskutimet, duke kundërshtuar draftet paralele. Ekspertët e djathtë kërkuan zbatimin 100% të rekomandimeve të Komisionit të Venecias.‏

Tashmë ekspertët thonë se janë integruar në draft të gjitha propozimet e opozitës, për Gjykatën Kushtetuese, për marrëdhënien e ministrit të Drejtësisë me KLD-në, si dhe janë pasqyruar propozimet për integrimin.

ALIBEAJ: U RA DAKORD PËR TËRHEQJEN E DRAFTIT TË PAKONSULTUAR
Në përfundim të takimit me ambasadorët, eksperti i PD-së Enkelejd Alibeaj konfirmoi se është rënë dakord që të tërhiqet drafti i pakonsultuar i maxhorancës.

“Patëm një takim me ndërmjetësimin e partnerëve ndërkombëtarë. U ra dakord së pari për tërheqjen e draftit të pakonsultuar, së dyti u ra dakord që dokumenti i vetëm që do të diskutohet për të arritur draftimin e reformës në drejtësi do të jetë opinioni i Komisionit të Venecias. U ra dakord që në kushte barazie ekspertët e opozitës dhe qeverisë të vazhdojnë punën e përbashkët.”- deklaroi Alibeaj.

AMBASADORI DONALD LU DHE VALHUTIN TAKOJNË EKSPERTËT PËR REFORMËN NË DREJTËSI
Ambasadori amerikan, Donald Lu vijoi sot serinë e takimeve, në kuadër të bisedimeve për reformën në drejtësi. Ambasadori Lu, i shoqëruar edhe nga ambasadorja e BE-së Vlahutin, zhvilluan sot një takim me ekspertë të djathtë dhe të majtë të  reformës në drejtësi. Takimi u mbajt në Kryesinë e Kuvendit dhe të pranishëm ishin ekspertët Enkelejd Alibeaj, Sokol Sadushi, Gent Ibrahimi, Oerd Bylykbashi, Gazmend Bardhi dhe kryetari i komisionit të posaçëm Fatmir Xhafaj.

Një ditë më parë, Ambasadori amerikan, Donald Lu zhvilloi një takim me kryetarin e Kuvendit Ilir Meta. Ata diskutuan për rreth 3 orë mbi çështjen më “të nxehtë” të momentit, reformën në drejtësi, për të cilën me siguri, kreu i diplomacisë amerikane e ka dhënë mesazhin e tij.

Sot, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u bëri apel ekspertëve të djathtë të mos bojkotojnë tryezën për reformën në drejtësi, ndërsa kreu i PD-së Lulzim Basha theksoi se opozita është kundër drafteve paralele dhe kërkon zbatimin 100% të rekomandimeve të Komisionit të Venecias.‏

DRAFTI I KUNDËRSHTUAR NGA OPOZITA
Opozita kërkoi tërheqjen e mazhorancës nga vendimi për të miratuar me 84 vota emërimet në gjyqësor, emërime të cilat mazhoranca e sotme me këtë shumicë votash mund t’i bëjë njëanshme, duke kapur sistemin. Por, grupi i ekspertëve i nivelit të lartë “injoron” Venecian dhe propozon emërimet në gjyqësor me 84 vota.

Në dokumentin prej 18 faqesh, që “Gazeta Shqiptare” zbardhi të plotë amendimet e komisionit i mbetet propozimit të tij për ndërprerjen e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm aktual, Adriatik Llalla, duke gjetur gjithashtu edhe mekanizmin zhbllokues në rast se në votimin për kryeprokurorin nuk sigurohen 2 të tretat e votave.

“Prokurori i Përgjithshëm emërohet me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit, mes tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Këshilli i Lartë i Prokurorisë përzgjedh sipas një procedure transparente dhe publike dhe bazuar në merita dhe rendit tre kandidatët më të kualifikuar, të cilët gëzojnë reputacion të lartë.

Nëse Kuvendi nuk emëron Prokurorin e Përgjithshëm brenda 30 ditëve nga paraqitja e propozimeve, kandidati i renditur më lart nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë konsiderohet i emëruar. Procedura e përzgjedhjes dhe emërimit të Prokurorit të Përgjithshëm parashikohet me ligj”, thuhet në draftin e ekspertëve të nivelit të lartë.

Edhe pse Venecia nuk e konsideronte domosdoshmëri ndërprerjen e mandatit të kryeprokurorit aktual Adriatik Llalla, komisioni i qëndron variantit që prokurori të qëndrojë në detyrë deri në emërimin e prokurorit të ri brenda dy muajsh nga konstituimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Drafti i rekomandimeve të sugjeruara nga Komisioni i Venecias mes të tjerash parashikon:

– Të kufizohet roli i Ministrit të Drejtësisë në Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë dhe në Këshillin e Lartë Gjyqësor, në mënyrë që të shmanget konflikti i mundshëm i interesit
– Ministri i Drejtësisë të mos jetë pjesë e Gjykatës Disiplinore
– Të qartësohet se kush vendos për masat disiplinore ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese
– Të përcaktohen në Kushtetutë parimet e përgjithshme të meritokracisë mbi të cilat do të emërohen gjyqtarët dhe prokurorët. Proçedura e emërimit të tyre duhet të jetë e bazuar mbi meritë, transparencë dhe thirrje të hapur për kandidatët.
– Të qartësohet në Kushtetutë marrëdhënia e Prokurorit të Përgjithshëm dhe e strukturës së veçantë të prokurorëve të antikorrupsionit
– Përbërja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të gjyqtarëve e prokurorëve duhet të jetë e paanshme dhe e pavarur
– Gjyqtarët dhe prokurorët që i nënshtrohen verifikimit duhet të kenë garanci për një gjykim të drejtë e të paanshëm, si dhe të gëzojnë të drejtën e ankimimit tek një organ i pavarur
– Të përcaktohet statusi, kompetencat dhe kushtet e emërimit dhe shkarkimit të vëzhguesve ndërkombëtare.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: