TIRANE-Puna e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë ka hyrë në një fazë të rëndësishme me diskutimin në tryezat e punës me pjesmarrje të gjerë të grupeve të interesit.
Pasditen e së hënës, në mjediset e Kuvendin e Shqipërisë, Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë, që është një strukturë teknike pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë organizoi tryezën e punës për diskutimin e kapitullit për masat antikorrupsion, pjesë e Dokumentit Analitik për Sistemin e Drejtësisë.

Ky kapitull është hartuar nga ekspertët vendas dhe ndërkombëtarë, pjesë e nëngrupit për masat legjislative antikorrupsion, që bashkëdrejtohet nga krerët e misioneve Euralius të BE dhe OPDAT të Departëmentit të Drejtësisë së ShBA.

Në drejtimin e dr. Rainer Deville, shef i misionit Euralius, z. Jon Smibert, përfaqësue resident imisionit OPDAT të Departamentit të Drejtësisë së ShBA dhe z. Gent Ibrahimi, në punimet e tryezës ishin prezentë përfaqësues të Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Këshillit të Evropës, Delegacionit të BE, Gjykatës së Lartë, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Prokurorisë së Përgjithshme, Avokatit të Popullit, ILDKPKI, shoqatave të gjyqtarëve, Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Integrimit Evropian, Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe shoqatave të shoqërisë civile.

Në këtë takim ishte e pranishme dhe Znj. Laura Codruta Kovesi, Kryeprokurore e Drejtorise Kombetare Anti- Korrupsion (DNA) në Rumani, që shoqërohej nga znj. Anca Jurma, Drejtoreshe në DNA në Drejtorinë për Bashkëpunimin dhe Programet Ndërkombëtare.

Pas prezantimit të materialit analitik nga ana e z. Ibrahimi, ku realizohet një ekspoze e situatës, problematikës dhe gjetjeve në lidhje me përhapjen endemike të korrupsionit në fushën e drejtësisë, nivelin e ulët të goditjes së këtij fenomeni dhe drejtimet kryesore ku mund të orientohet reforma ne këtë sektor, të pranishmëve iu drejtua znj. Laura Codruta Kovesi.
Në fjalën e saj Kryeprokurorja e Drejtorise Kombetare Anti- Korrupsion (DNA) në Rumani parashtroi fakte dhe statistika të përvojës rumune në luftën kundër korrupsionit në administratën shtetërore dhe brenda sistemit të drejtësisë. Kështu ajo përmendi rastet e arrestimit dhe dënimit të zyrtarëve më të lartë të shtetit si kryeministri, zv.kryeministri, disa ministrave, dhjetra deputetë, senatorë, gjyqtarë dhe prokurorë. Ajo nënvizoi se lufta kundër korrupsionit ka nevojë për mbështetje politike, por sidomos për mbështetjen e opinionit publik. Jo në pak raste tha ajo, ka patur tendenca për të ndikuar në pavarësinë e drejtorisë kombëtare antikorrupsion, por reagimi i Komisionit Evropian, Ambasadës së ShBA dhe vetë opinionit publik ka bërë të mundur që kjo strukturë e pavarur e prokurorisë rumune të vijojë punën e saj, duke goditur fenomenin e korrupsionit.

Znj. Kovesi theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit se kjo luftë kundër korrupsionit është një sfidë që do të duhet të përballohet duke iu referuardomosdoshmërisë për ecurinë pozitive të proceseve integruese.
Në diskutimet e tyre, përfaqësues të institucioneve shtetërore, mbështetën gjetjet e materialit analitik, duke vënë në dukje po ashtu nevojën për t’u shmangur nga perceptimet e përgjithshme jo realiste mbi përhapjen e fenomenit të korrupsionit brenda sistemit gjyqësor, si dhe nevojën për të garantuar nga njëra anë bashkëpunimin e institucioneve të pavarura dhe politikës për t’ i dhënë mbështetjene duhur gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe nga ana tjetër për t’u siguruar aktorëve të sistemit një status të duhur, të tillë që t’ i bëjë ata idiferentë ndaj ndikimeve jo të përshtatshmë që mund të cojnë në sjellje korruptive. U rekomandua gjithashtu që gjetjet e analizës të trajtohen në mënyrë të detajuar dhe të veçuar lidhur me problematikat dhe parashikimet e legjislacionit apo zbatimit të tij, sa i takon parandalimit apo dhe ndëshkimit të korupsionit në sistemin e drejtësisë.

Të gjitha konkluzionet e arritura në përfundim të kësaj tryeze pune do të mund të shqyrtohet dhe vlerësohen nga ana e Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë, për t’ u integruar eventualisht në materialin përkatës.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb