TIRANE –Në përfundim të vizitës së tij në Tiranë, kreu i Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio theksoi domosdoshmërinë që politika shqiptare të gjejë terren mirëkuptimi për realizimin e reformës në drejtësi. I pyetur nëse gjatë takimeve që zhvilloi me përfaqësues të institucioneve shqiptare, mori garanci për realizimin e reformës me konsensus, zoti Buquicchio tha: “Fjalët që kanë mbisunduar kanë qenë dialogu, konstruktiviteti, konsultimi sa më i gjerë me të gjithë të interesuarit, madje është folur dhe për konsensus. Konsensusi më i gjerë i mundshëm nuk do të thotë unanimitet. Kur ka unanimitet në politikë nuk arrihet kurrë rezultat. Në demokraci epërsinë e ka shumica. Demokraci do të thotë që duhet respektuar edhe pakica politike, veçanërisht opozita.

Duhen pranuar pozitat divergjente por brenda së mundshmes duhet gjetur një terren mirëkuptimi. Këtu del edhe roli i bashkësisë ndërkombëtarë veçanërisht Komisionit të Venecias. Ne jemi për të siguruar që palët e ndryshme politike të merren vesh, të bien në ujdi për më të mirën e vendit.”
Ndër të tjera, kreu i Komisionit të Venecias theksoi se Shqipëria ka nevojë për një qasje më konstruktive dhe të përgjegjshme për çështje të ndryshme.
“Duhet një zhvillim i kulturës politike. Kjo është shumë e rëndësishme për kryerjen e disa reformave që janë vendimtare për të ardhmen e shoqërisë shqiptare”- tha ai.
“Për demokracitë e reja është shumë e rëndësishme që të jetë dikush që thotë të vërtetën. Komisioni i Venecias nuk është politik. ne jemi për shoqërinë shqiptare në tërësi. Ne themi gjithmonë atë që do të jetë më e mira për vendin tuaj.”- deklaroi Buquicchio.
PYETJE NGA GAZETARET
Gjatë takimeve që zhvilluat në Shqipëri, a morët garanci se reforma në drejtësi do të realizohet me konsensus?
Kam folur me shumë përfaqësues të institucioneve politike të vendit dhe fjalët që kanë mbisunduar kanë qenë dialogu, konstruktiviteti, konsultimi sa më i gjerë me të gjithë të interesuarit, madje është folur dhe për konsensus. Konsensusi më i gjerë i mundshëm nuk do të thotë unanimitet. Kur ka unanimitet në politikë nuk arrihet kurrë rezultat. Në demokraci epërsinë e ka shumica. Demokraci do të thotë që duhet respektuar edhe pakica politike, veçanërisht opozita. Duhen pranuar pozitat divergjente por brenda së mundshmes duhet gjetur një terren mirëkuptimi. Këtu del edhe roli i bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht Komisionit të Venecias. Ne jemi për të siguruar që palët e ndryshme politike të merren vesh, të bien në ujdi për më të mirën e vendit.
Në Shqipëri ekziston një nismë për bërjen e testit të drogës nga zyrtarët e lartë dhe politikanët. A shikoni këtë nismë të rëndësishme në kuadrin e dekriminalizimit të parlamentit?
Për mendimin tim kjo çështje nuk është çështje debati në vendet e tjera. Natyrisht unë jam kundër drogave, ndoshta më pak kundër verës së mirë, sidomos verës së mirë shqiptare, por mendoj se forcat politike kanë çështje të tjera më të rëndësishme për të diskutuar me prioritet për Shqipërinë.
Ju keni pasur takim edhe me kryetarin e Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj. Dekreti i presidentit për Gjykatën e Lartë është rrëzuar nga Komisioni i Ligjeve. Opozita ka dalë me argumentin se mazhoranca nuk po i merr mendim Komisionit të Venecias lidhur me këtë çështje, ndërsa mazhoranca është shprehur se nuk është e nevojshme të konsultohet për çdo ligj me Komisionin e Venecias. Ju si e shihni këtë?
Nuk do të hyj në hollësitë e politikës së brendshme shqiptare. Natyrisht që me zotin Xhafaj kam biseduar për gatishmërinë e komisionit që me kërkesë të autoriteteve shqiptare të japë mendimet e tij lidhur me ligjet. Natyrisht i kam thënë zotit Xhafaj që Komisioni i Venecias mund të japë mendime për të gjitha ligjet që miratohen dhe diskutohen në parlamentin shqiptar. E kam siguruar zotin Xhafaj se Komisioni i Venecias është i gatshëm të japë mendimet e tij lidhur me çështje kushtetuese dhe çështje që kanë një ndjeshmëri më të madhe. Mendoj se përveç asaj që është vendosur lidhur me ndihmën e komisionit, përsa i përket reformës në gjyqësor, nëse ka çështje me ndjeshmëri të lartë komisioni është i gatshëm të japë mendimin e tij.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb