TIRANË- Pas akuzave e debateve të shumta të ndërsjella për reformën në drejtësi, maxhoranca dhe opozita kanë bërë ‘paqe’ dhe kanë arritur marrëveshjen. Marrëveshja është pranuar nga ana e opozitës pas vendimit se në komisionin prej 10 anëtarësh do të ketë barazi mes dy kampeve. Pas negociatave të zhvilluara me faktorin ndërkombëtar, Partia Socialiste ka rënë dakord të ndryshojë formula e përbërjes së komisionit nga 7-­4 që ishte në fillim në 5-­5, pra 5 anëtarë do të jenë të opozitës dhe 5 të maxhorancës.

Por në rastet kur për çështje të caktuara komisioni do të ketë qëndrim të ndarë dhe votat do të jenë 5-­5, kryetari i Komisionit, Fatmir Xhafaj do të ketë të drejtën e dy votave për të bërë maxhorancën.

“Komisioni i posaçëm do të përbëhet nga 10 anëtarë. Vendimi erdhi pas takimit me deputetin Eduard Halimi. Një proces i tillë ka të bëjë me fatet e demokracisë. Pozitive është që edhe opozita bëhet pjesë e këtij komisioni të rëndësishëm që ka në fokus një nga reformat më të rëndësishme në vend, atë në fushën e drejtësisë, shpresoj që roli i opozitës do të jetë konstruktiv, në funksion të nevojës që ka vendi për reformimin e sistemit të drejtësisë”, deklaroi kreu i komisionit të ligjeve, Fatmir Xhafa.

Ndërsa deputeti i PD-së, Eduard Halimi theksoi se shqetësimi i opozitës është i lidhur me standardet.

“U ra dakord që komisioni do të jetë paritar, me anëtar të barabartë, dhe përjashtimisht kryetari do të ketë votën në rast barazimi, duke pasur parasysh që procesi të përputhet me standardet evropiane. Ky ka qenë shqetësimi ynë, transparencë, gjithepërfshirje dhe ekspertizë ndërkombëtare, kryetari do të ketë respektim të padiskutueshëm të këtyre standardeve. Ju falënderoj për arritjen e marrëveshjes. U dakordësuam për të vijuar me këtë reformë sepse kjo është një reformë shumë e rëndësishme, për të cilën opozita për herë të parë në këta 10 vjet është bërë pjesë e procesit konstruktiv. Shpresojmë që ky komision dhe tjetri për dekriminalizmin që kryesohet nga opozita të ecin njëkohësisht”, tha Halimi.

RUÇI: PO DISKUTOJMË MODALITETET
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi ka deklaruar pas marrëveshjes mes maxhorancës dhe opozitës dhe po negociohet për modalitetet që të mos bllokohet puna në Komisionin për Reformën në Drejtësi pasi u vendos për paritet. Ruçi tha se modalitetet do përcaktohen me vendim të parlamentit.

“Po zhvillojmë negociata me opozitën. Prezenca e opozitës është e mirëpritur. Kjo s’do të thotë që të përdoret prezenca për bllokim. Po diskutohen modalitetet që të mos bllokohet puna. Do ketë klauzola që barazia të mos bëhet pengesë për komisionin ndërsa modalitetet do përcaktohen me vendim të parlamentit”, tha Ruçi.

MEDIU: REFORMA NË DREJTËSI JO THJESHT POLITIKË, U ARRIT ME NDËRHYRJEN E AMBASADORËVE TË BE-SË DHE SHBA-VE
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka përshëndetur marrëveshjen e arritur mes opozitës dhe maxhorancës për reformën në drejtësi. Në një prononcim për Neës24, Mediu ka falënderuar ambasadorët e BE-së dhe SHBA-ve, të cilët kanë ndikuar në arritjen e kësaj marrëveshjeje. Kreu i PR-së theksoi gjithashtu se reforma në drejtësi nuk është thjesht politikë dhe se opozita ka kërkuar prej kohësh balancim të komisionit.
“Marrëveshje e rëndësishme mes palëve. Falënderoj ambasadorin amerikan dhe atë të be-së. Dy ambasadorët ndikim në arritjen e marrëveshjes. Reforma në drejtësi nuk është thjesht politike. Duhet ti referohemi një modeli të rëndësishëm. Opozita ka kërkuar prej kohësh balancim të komisionit”, tha Mediu.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb