Presidenti i Republikës, Ilir Meta në një intervistë të dhënë sot për “News 24” ka deklaruar se nuk i tërheq asnjë presje qëndrimeve të tij sa i përket zbatimit të reformës në drejtësi.


“Kur do ta them unë një fjalë të mirë për reformën? Do ta them atëherë kur Banka Botërore ta përmirësojë pozitën e Shqipërisë me 19 vende, me 20 vende, më 40 vende në nivel botëror sa i takon të bërit biznes”, tha Meta.

PJESË NGA INTERVISTA
Gazetari: Ju keni dekretuar një anëtar të Gjykatës Kushtetuese, zotin Muçi, ndërkohë që Këshilli i Lartë i Prokurorëve ka marrë së fundi një vendim për ngritjen e Prokurorisë së Posaçme Anti-korrupsion. A po shikoni dritë në fund të tunelit sa i përket zbatimit të reformës në drejtësi apo vazhdoni të mendoni apo të keni dyshimet tuaja se ajo është e kapur nga mazhoranca, siç keni thënë edhe më parë?


Presidenti Meta: Nuk lëviz asnjë presje nga ato që kam thënë më parë për këtë çështje për arsye sepse kam të gjithë të drejtën morale përveçse institucionale si Kryetari i Shtetit, pasi kam bërë çdo përpjekje që reforma në drejtësi të ecte në rrugën e duhur, në atë rrugë që u votua me konsensus, pra në rrugën e Kushtetutës, më 21-22 korrik të vitit 2016. Por kjo gjë nuk ka ndodhur, sepse sikurse e dimë nuk ekziston asnjë institucion i drejtësisë së re të jetë ngritur brenda afateve kushtetuese.


Por kush është pritshmëria ime për reformën? E para, dua t’ju siguroj se përsa i takon detyrave të mia, përgjegjësive të mia do të vazhdoj t’i kryej me përgjegjshmëri të plotë, që Shqipëria t’i ketë sa më parë këto institucione të reja në mënyrën që parasheh Kushtetuta e vendit.

Së dyti, kur do ta them unë një fjalë të mirë për reformën? Do ta them atëherë kur Banka Botërore ta përmirësojë pozitën e Shqipërisë me 19 vende, me 20 vende, më 40 vende në nivel botëror sa i takon të bërit biznes. Do ta them atëherë kur “Transparency International”, që e ka renditur edhe më poshtë vendin tonë këtë vit sa i përket transparencës dhe luftës kundër korrupsionit, ta përmirësojë në mënyrë të ndjeshme. Do ta them atëherë ku “Reporterët Pa Kufi”, që e kanë cilësuar të përkeqësuar situatën e mediave shqiptare, ta përmirësojnë pozicionin e Shqipërisë në renditje. Pra, këto janë indikatorët e vërtetë edhe të reformës në drejtësi.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb