TIRANE – Kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, pretendoi dje se drejtësia në Shqipëri shitet dhe se për këtë sipas tij bashkëpërgjegjëse është politika. Tashmë që kryefjala e debatit politik është pikërisht reforma në sistemin e drejtësisë, Ngjela sugjeron se para se të flitet për përmbysje duhet të kihen parasysh defektet e sistemit aktual. “Drejtësia shitet, momentet kur drejtësia është tregti do të thotë që nuk ka dhënie drejtësie e para, e dyta pastaj vijmë tek sistemi. E ka pjellë sistemi këtë formë, jo, këtë formë e ka pjellë një marrëveshje e brendshme mes politikës dhe gjyqtarëve. Ne thotë politika e lartë, korruptohemi në funksion të benefiteve që përfitojmë nga administrata, ju shisni drejtësinë. Pse? Se po të ketë pushtet gjyqësor të pavarur, të fuqishëm, personalitet, nuk ka korrupsion”, – argumentoi Ngjela në një intervistë për “Vizion Plus”. Sipas tij ajo që Komisioni i Posaçëm parlamentar për Reformën në Drejtësi duhet të zgjedhë është modeli, për të mos përdorur më shpikjet shqiptare. “Pyetja që bëhet është nëse do të ndërrohet sistemi, po gjyqtarët si do t’i ndërrojnë. Nëqoftëse nuk ndërrohen gjyqtarët nuk ka asnjë gjë. Cili do të jetë koncepti i pavarësisë së gjyqësorit? Do të jetë i pavarur për t’u pasuruar apo do të jetë i pavarur si një roje, guardian i madh i të drejtave? Çfarë është një qeveri përpara një pushteti gjyqësor, një gogël, asnjë gjë. Kjo është demokracia e një shteti që kërkojmë të ndërtojmë, perëndimor. Në këtë rast bëhet një pyetje, cili është sistemi që do zgjedhim; 2 janë sistemet, është ai kontinental, europian dhe anglo-sakson; ky shqiptari nuk është në asnjë defter. Është një injorancë e krijuar me kast. Atëherë çfarë do të behet?”, – ngre pyetjen kreu i PLD-së.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb