Nga: ELDA MENGA *
TIRANE – Krahas dokumentit të ekspertëve të opozitës, Partia Demokratike ka dërguar në tre ambasadat kryesore në vend, SHBA, BE dhe OSBE, një letër ku kërkon vigjilencën e trojkës së ambasadorëve për reformën në drejtësi.
Ne letrën e dërguar në fillim të shtatorit, shprehet shqetësimi për nxitimin dhe mungesën totale të transparencës, fshehtësinë dhe njëanshmërinë, që ka karakterizuar procesin e hartimit të ndryshimeve kushtetuese nga grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë.

Demokratët theksojnë se drafti i hartuar është bërë nga tre ekspertë të caktuar nga Rama, të njohur për njëanshmërinë e plotë dhe afilacionin me Partinë Socialiste dhe se ata kanë qenë më të shumtë në numër se ekspertët ndërkombëtarë.

Për këtë arsye, Eduard Halimi kërkon që ndërkombëtarët të jenë të vëmendshëm ndaj këtij procesi teksa thekson qëndrimin se opozita parlamentare nuk do të pranojë të ketë rol fasadë në realizimin e reformës në drejtësi.

Në përfundim të letrës së tij nënkryetari demokrat i komisionit të posaçëm, kërkon që të jenë ndërkombëtarët ata që do të bëjnë mbivendosjen e dy drafteve dhe zgjidhjet më të mira t’u nënshtrohen tryezave publike.

LETRA E PLOTE
GRUPI PARLAMENTAR I PARTISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË NËNKRYETARI
Tiranë, më 07/10/2015
Lënda:Shqetësime mbi procesin e deritanishëm të Reformës në Drejtësi

Në vëmendje: AMBASADËS SË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS NË TIRANË
DELEGACIONIT TË BASHKIMIT EUROPIAN NË TIRANË
ZYRËS SË KËSHILLIT TË EVROPËS NË TIRANË
PREZENCËS SË OSBE NË TIRANË
TË GJITHA AMBASADAVE TË VENDEVE TË BASHKIMIT EUROPIAN

Të nderuar Shkëlqesi Ambasadorë,

Më lejoni fillimisht të shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen time të thellë për punën Tuaj në drejtim të forcimit të demokracisë dhe ndërtimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri. Me besimin e plotë, se së bashku ndajmë të njëjtin qëndrim, që Reforma në Drejtësi duhet të synojë forcimin e njëkohshëm të pavarësisë dhe të përgjegjshmërisë së sistemit gjyqësor shqiptar, për ta bërë atë lehtësisht të aksesueshëm, të besueshëm nga publiku, pa korrupsion, me integritet të lartë dhe efiçent në dhënien e një drejtësie me cilësi të lartë, me lejoni të ndaj shkurtimisht me Ju disa shqetësime:

I. Lidhur me procedurën e hartimit të 58 amendamenteve kushtetuese nga mazhoranca:

Në muajin Korrik 2015 opozita parlamentare u përfshi në Komisionin e Posacëm Parlamentar për realizimin e Reformës në Drejtësi, pas marrëveshjes së arritur me mazhorancën me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, sipas së cilës opozita do të kishte numër të barabartë anëtarësh në këtë Komision, do të kishte të drejtë të caktonte 7 ekspertë në grupet e punës së ekspertëve të nivelit të lartë, dhe se procesi do të ishte transparent e konsensual, si dhe do të udhëhiqej nga ekspertiza ndërkombëtare e nga Komisoni i Venecias.

Nëpërmjet vendimit nr. 15, datë 30.07.2015, Komisioni i Posacëm Parlamentar vendosi miratimin në parim të Dokumentit Strategjik dhe Planit të Veprimit, të hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë (GENL) të caktuar nga mazhoranca, duke i lënë kohë opozitës parlamentare dhe grupeve të interesit që të paraqesin mendimin e tyre me shkrim mbi këto dokumente brenda datës 30 Shtator 2015. Në datën 10 Shtator 2015 dërguam për mendim pranë partnerëve ndërkombëtare draft Platformën tonë për Reformën në Drejtësi, si dhe morrëm dhe reflektuam të gjitha komentet e sugjerimet e dhëna nga dy misionet e asistencës, pas një takimi të zhvilluar midis drejtuesve të tyre dhe deputetëve të opozitës. Më pas, ekspertët e opozitës parlamentare paraqitën më datë 21 Shtator 2015 Platformën për Reformën në Drejtësi, me rreth 300 masa, duke i dërguar ato zyrtarisht pranë Komisionit të Posacëm Parlamentar (e njëjta rrugë u ndoqë edhe nga grupet e interesit dhe aktorët e sistemit të drejtësisë). Kjo Platformë përmbante jo vetëm kritikën apo oponencën ndaj masave të propozuara nga mazhoranca, por edhe mbështetjen për zgjidhjet pozitive, disavantazhet e zgjidhjeve të papërshtatshme, dhe alternativën tonë konkrete për reformimin e sistemit të drejtësisë. Për këtë arsye, kërkuam zyrtarisht pranë Komisionit të Posacëm Parlamentar, por edhe pranë Misionit OPDAT dhe Euralius, që Platforma të analizohej nga ekspertët ndërkombëtare, të cilët të bënin mbivendosjen midis masave të propozuara nga mazhoranca dhe masave të propozuara nga ana jonë, me qëllim që të identifikoheshin zgjidhjet më të mira për realitetin shqiptar.

Ky ishte një kontribut real dhe konstruktiv i opozitës shqiptare, dhe një tregues i qartë i vullnetit tonë të plotë politik për të marrë pjesë dhe për të qenë aktiv në cdo reformë të kërkuar nga Bashkimi Europian dhe që përshpjeton rrugën europiane të Shqipërisë. Mirëpo ky Dokument (në fakt asnjë nga Opinionet e dërguara nga grupet e interesit dhe aktorët e sistemit të drejtësisë) nuk u morr kurrë në shqyrtim as nga GENL dhe as nga Komisioni i Posacëm Parlamentar. Ndryshe nga detyrimi që pika III e vendimit nr. 15/2015 të Komisionit i përcaktonte GENL, ky i fundit nuk realizoi asnjë konsultim publik dhe nuk vlerësoi apo reflektoi në Strategji asnjë mendim të shpehur nga opozita parlamentare, aktorët e sistemit apo grupet e interesit. Deri më sot nga GENL (e cila bashkëdrejtohet nga një ekspert shqiptar dhe shefi i Misionit Euralius) nuk është bërë asnjë tryezë publike për Strategjinë e Drejtësisë, edhe pse u premtua prej tyre në Korrik 2015 para Komisionit Parlamentar dhe kjo është shumë shqetësuese pasi cenon rëndë standardin minimal, transparencën.

Pavarësisht se Strategjia dhe Plani i Veprimit nuk janë miratuar ende përfundimisht nga Komisioni, dhe në kundërshtim me detyrën e lënë nga pika III e vendimit nr. 15/2015 të Komisionit, GENL (e cila bashkedrëjtohet nga një ekspert shqiptar dhe shefi i Misionit Euralius) në një lëvizje surprizë dhe tërësisht të nxituar (madje në tejkalim të kompetencave të dhëna nga Komisioni i Posacëm Parlamentar), më datë 25.09.2015 prezantoi për anëtarët e Komisionit të Posacëm Parlamentar amendamentet konkrete kushtetuese, pa asnje diskutim paraprak me ekspertet e opozites. Kjo është hera e parë në keto 25 vjet ne Shqipëri, që hartohen ndryshime të tilla thelbësore kushtetuese, në fshehtësi të plotë, dhe opozitës parlamentare apo ekspertëve të caktuar prej saj, nuk i jepet asnjë mundësi për të kontribuar në përgatitjen e tyre apo për të dhënë mendim mbi to, edhe pse votimi i amendamenteve kushtetuese në Kuvend kërkon ligjërisht edhe votat e deputetëve të opozitës!

Kryeministri dhe përfaqësuesi i tij në Komision, z. Xhafaj në mënyrë të vazhdueshme publike kanë deklaruar se këto amendamente janë hartuar nga ekspertiza ndërkombëtare. Ky deklarim është i pavërtetë. E vërteta është se grupi që prezantoi këtë projektligj për ndryshimet kushtetuese përbehej nga 3 ekspertë vendas të caktuar nga mazhoranca dhe 2 ekspertë ndërkombëtare. E vërteta është se ekspertët e opozitës u përjashtuan tërësisht në mënyrë të qëllimshme dhe madje iu fsheh drafti i ndryshimeve kushetutese. Lidhur me fshehjen bashkëdrejtuesi dhe bashkëhartuesi shqiptar z. Sokol Sadushi, deklaroi publikisht përpara Komisionit, se ekspertët e opozitës nuk ishin thirrur në mbledhje për shkak se ata (ekspertët) janë sekretar teknik dhe jo ekspertë të nivelit të lartë sic ishte z. Sadushi! Ky deklarim përbën padyshim një mashtrim publik, mashtrim të Parlamentit dhe Komisionit Parlamantar, sepse bie ndesh me vendimin konsensual nr. 13/2015 të Komisionit të Posacëm, ku qartësisht përcaktohet se ekspertët e opozitës emërohen pranë grupeve të ekspertëve të nivelit të lartë. Ndërkohë, bashkëdrejtuesi tjetër z. Deville, Drejtues i Misionit Euralius, tha nje tjeter version: ekspertët e opozitës nuk janë thirrur me argumentin se ata ishin të zënë me përgatitjen e Platformës së tyre. Ky deklarim është i ndryshim nga ai i z. Sadushi, por gjithashtu nuk është i bazuar. Në datën 8 Gusht 2015, në cilësinë time si Nënkryetar i Komisionit, i kam derguar një shkresë z. Deville dhe të gjithë bashkëdrejtuesve të grupeve të punës së ekspertëve të nivelit të lartë, që të thërrasin në mbledhje ekspertët e opozitës, duke theksuar gadishmërinë e tyre dhe faktin se ishin tërësisht në dispozicion të grupit të punës, duke i njoftuar edhe adresat elektronike dhe numrat e telefonave të tyre.

Dua të theksoj se hartimi i dispozitave kushtetutese, në mënyrë të fshehtë dhe të njëanshme, pa asnjë konsultim publik ose jo publik me ekspertët e propozuar nga opozita, shkon tërësisht kundër një procesi demokratik, transparent, konsensual dhe gjithëpërfshirës, dhe si i tillë është i papranueshëm për ne.

Gjithashtu, dua të theksoj se mbështesim pa rezervë ekipin e ekspertëve të misioneve ndërkombëtare të përfshira në Reformën në Drejtësi, por e kam të pamundur të pranoj në emër të opozitës shqiptare, që amendamentet kushtetuese të përgatitura nga 5 ekspertë (3 shqiptar dhe 2 ndërkombëtare), të bëhen publike pa kërkuar asnjë mendim, vlerësim apo kontribut konstruktiv të opozitës, e cila ka demostruar vullnet të qartë për të kontribuar në mënyrë konstruktive në këtë proces edhe gjatë muajit Gusht dhe Shtator, duke bërë propozime konkrete. Ashtu sic e kam te pamundur te pranoj versionin e Kryeministrit dhe perfaqesuesit te tij, z. Xhafaj, se drafti eshte une vetem e eksperteve te huaj dhe jane ata qe nuk ua kane dhene opozites. Faktet jane boterisht te ditura se drafti eshte bere nga tre ekspertet e caktuar nga Rama, te njohur per njeanshmerine e plote dhe afilacionin me PS, dhe se ata kane qene me shume se 3 ne numer ndersa nderkombetaret jo me shume se 2.

Përjashtimi i opozitës nga procesi i hartimit dhe përgatitjes së amendamenteve kushetuese (nëpërmjet hartimit të amendamenteve kushtetuese në fshehtësi dhe pa thirrur ekspertët e caktuar nga opozita), dhe pamundësia për të dhënë mendimin tonë në Komision apo GENL (për shkak se mazhoranca vendosi dërgimin e draftit për mendim pranë Komisonit të Venecias) na detyroi që këtë Opinion t’ia paraqesim drejtpërdrejtë Komisionit të Venecias, nëpërmjet Kreytarit të Kuvendit, me shkresën nr. 3105 Prot., datë 02.10.2015.

Ne jemi thellësisht të shqetësuar për nxitimin dhe mungesën totale të transparencës, fshehtësinë dhe njëanshmërinë, që ka karakterizuar procesin e hartimit të ndryshimeve kushtetuese nga GENL. Mungesa totale e trasparences qe vijon ende pa asnje plan per diskutim të hapur dhe publik të tij, për ne rrezikon plotësisht procesin e Reformës në Drejtësi, duke u përpjekur të eleminojë konsensusin. Ndaj vigjelenca juaj ndaj procesit eshte thelbesore ne kete keto momente.

II. Lidhur me përmbajtjen:
Bashkëlidhur ju dërgojmë një përmbledhje të Opinionit tonë mbi amendamentet kushtetuese të përgatitura nga mazhoranca parlamentare, si dhe një kopje të plotë të Opinionit që i është dërguar Komisionit të Venecias (të dy versionet janë dërguar me email).

Nga analiza e ndryshimeve kushtetuse të propozuara nga mazhoranca parlamentare janë për t’u përshëndetur disa amendamente të cilat kanë të bëjnë me luftën ndaj korrupsionit. Mirëpo nga shqyrtimi në tërësi i ndryshimeve arrihet në konkluzionin se qëllimi i të gjithë paketës së amendimeve kushtetuese është:
1- Hapi i pare, spastrimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve aktualë, nëpërmjet procedurave të pezullimit të garancive kushtetuese të palëvizshmërisë në detyrë, mohimit të të drejtës së ankimit në rast shkarkimi, si dhe mbi të gjitha të pamundësisë së Gjykatës Kushtetuese për t’u shprehur mbi kushtetutshmërinë e një ligji të tillë. Testimi qeveritar për njohuritë nëpërmjet provimit, sipas pikës 3 të nenit 8 të Aneksit, nëpëmjet Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), që përbehet tërësisht nga komisionerë të cilët emërohen nga Kuvendi me 84 vota (mazhoranca aktuale), nuk i shërben luftës ndaj korrupsionit, por spastrimeve politike në sistemin e drejtësisë. Kjo provohet edhe nga fakti se sipas nenit 4 të Aneksit, nëse personi nën verifikim (për akte të mundshme korruptive) dorëhiqet nga detyra, atëherë vlerësimi pushohet menjëherë.
2- Spastrimet do të pasohen nga emërimet e reja në sistem, ku shmanget kushti vendimtar i përfundimit të Shkollës së Magjistraturës (pika 5 e nenit 28 të projektligjit) dhe përfshihet kriteri i juristëve me mbi 20 vjet eksperiencë, e thënë ndryshe, juristët e kohës së diktaturës, të lidhur këta pazgjidhshmërisht me sistemin komunist dhe partinë bijë – Partinë Socialiste.
3- Të gjitha emërimet që do të kryhen në 10 institucionet e reja që krijohen (1-KPK; 2-KED; 3-TD; 4-KLGJ; 5-KLP; 6-ILD; 7-SPAK; 8-BKH; 9-GJAK dhe 10-GJLA) bëhen me 84 vota, të cilat zotërohen nga mazhoranca aktuale parlamentare, pas trafikut të deputetëve që e filloi pas zgjedhjeve të 23 Qershorit 2013 (nga zgjedhjet mazhoranca Rama –Meta kishte vetëm 83 deputetë).
4- Në të paktën 8 institucionet e reja që krijohen ulet ndjeshëm pjesëmarrja e anëtarëve të gjyqësorit dhe rritet pjesëmarrja e përfaqësuesve të emëruar nga mazhoranca, duke e kapur me 8 këmbë e duar (octa podus- greek=tëtë këmbë) të gjithe sistemin e drejtësisë. Institucioni që do të kontrollojë të gjithë sistemin është ILD, me anëtarë të zgjedhur plotësisht nga Kuvendi (mazhoranca parlamentare) dhe që inspektohet nga Ministri i Drejtësisë, i cili ka të drejtë të kërkojë hetimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe anëtarëve të KLGJ, KLP, apo PP. (pika 9 e nenit 45 dhe neni 47 i projektligjit).
5- Eleminimi i të gjithë filtrave që mund të parandalojnë kapjen nga mazhoranca e mbi 84 votave, eleminimin e Institucionit të Presidentit dhe opozitës parlamentare. Kjo të krijon bindjen se 8 institucionet e reja kushtetutese që kërkohen të krijohen, do të jenë 8 linket që do e kapin dhe e mbajnë drejtësinë nën pushtetin ekzekutiv të mazhorancës. Kapja pa as më të vogin dyshim është armiku më i madh që kërcënon drejtësinë.

Në përfundim, më lejoni edhe njëherë t’ju falenderoj për kontributin e dhënë në këtë proces me anë të ekspertëve Tuaj, dhe të kërkoj nga ana Juaj qëndrimin sycelet ndaj këtij procesi të rëndësishëm, i cili duhet të kryhet me transparencë, gjithëpërfshirje dhe konsensus. Cdo mungesë e transparencës dhe injorim i këtyre standardeve, do të ishte një dëm i madh i këtij procesi. Unë do dëshiroja që misionet Tuaja të angazhohen në organizimin e një procesi të gjerë konsultimi publik të produktit të prodhuar deri më tani, nëpërmjet organizimit sa më parë të jetë e mundur të Tryezave Publike.

Më lejoni të konfirmoj edhe njëherë qëndrimin tonë se opozita parlamentare nuk mund të ketë rol fasadë në Komision dhe në procesin e realizimit të Reformës në Drejtësi. Ne kemi ekspertizën e nevojshme profesionale dhe vullnetin e plotë politik për të dhënë kontribut real në reformimin e sistemit gjyqësor shqiptar, me qëllim që reforma të jetë jetëgjatë dhe produktive.

Me konsideratën më të lartë,
NËNKRYETARI
EDUARD HALIMI
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: