TIRANË- Demokratët kanë gati paketën e plotë të amendimeve Kushtetuese për Reformën në Drejtësi. Që Këshilli i Lartë të jetë i pavarur nga politika nuk do të kursehet prekja e Kushtetutës.

“PD do dalë me paketë të plotë të amendimeve Kushtetuese qe ka të bëjë me ndryshimet kushtetuese  në Këshillin e Lartë të Drejtësisë me qëllim që ky Këshill të jetë më eficent dhe I pavarur nga politika, me qëllimin që çështjen e procedimit disiplinor të mos e ketë vetëm ministri i drejtësisë, me alternativën kushtetuese që ministri I  Drejtësisë dhe Presidenti i Republikës të mos jetë pjesë e këshillit të lartë të drejtësisë gjatë emërimit dhe shkarkimit të gjyqtarëve”, thotë nënkryetari demokrat i komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi.

Eduard Halimi, thotë se  është menduar një platformë dhe për rritjen e llogaridhënies së  Gjykatës së Lartë.

“Kemi një platformë që do e adresojmë në ditët në vijim që ka të bëjë me rritjen e llogaridhënies së kësaj gjykate. Për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë duhet të implimentojmë  instrumente kushtetuese që të japin llogari në punën e tyre në luftën ndaj krimit edhe korrupsionit. Nuk luftohet korrupsioni në drejtësi me thirrje jakobine. Serioze është kur bën një draft kushtetues, dhe thua se unë do largoj gjyqtarët e korruptuar dhe kjo bëhet përmes skanimit të punës së tyre”, sqaron Halimi.

Ekspertët e djathtë, iu bashkuan punës pasditen e së enjtes. Prania e ndërkombëtarëve në proces I jep më shumë siguri demokratëve se reforma do të ecë në hullitë e konsensusit, por produkti sqaron nënkryetari demokrat I komisionit të posaçëm nuk do I kaloi Parlamentit pa marrë me parë miratimin e Komisionit të Venecias.

“Prania e partnereve ndërkombëtarëve dhe SHBA në këtë reformë garanci për ne, që lëvizjet e ardhshme të mos kenë të bëjnë me lëvizjet e shkuara të mazhorancës.  Mazhoranca ka përgatitur një draft që se kemi parë, shpresojmë që ta bëjë të qartë në ditët në vijim pastaj gjithë produkti duhet ti kalojë komisionit  të Venecias dhe për këtë kemi rënë dakord me partnerët ndërkombëtar’, nënvizon Halimi.

Synimi është që e gjithë puna të përfundojë në vjeshtë, ndërsa pas për hir të reformës në drejtësi ligji themeltar i shtetit do të ndryshojë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb