TIRANË- Partia Demokratike ka vendosur sot që të thyejë bojkotin dhe të marrë pjesë në reformën për drejtësinë, e cila ka qenë prej kohësh pjesë e diskutimeve në tryeza të posaçme.

Kështu, PD-­ja ka propozuar nënkryetarin për Komisionin e Posaçëm për Reformimin e Drejtësisë, dhe ai është Eduart Halimi, ish­ministër i Drejtësisë. Gjithashtu, si anëtarë, PD­ja ka propozuar Oerd Bylykbashin dhe Gent Strazimirin. Në Komisionin e Posaçëm për Reformën në Drejtësi, mazhoranca dhe opozita do të kenë të njëjtin numër anëtarësh, çka do të krijojë mundësi të mira për kompromis.

Në një prononcim për mediat Eduard Halimi ka shpjeguar se ky vendim erdhi pas komunikimeve intensive të PD-së me partnerët ndërkombëtar dhe pasi maxhoranca pranoi kërkesën për barazi të anëtarëve të komisionit për reformën në drejtësi.

“Ka patur gjatë javëve të fundit takime intensive të eksponentëve të Partisë Demokratike me partnerët ndërkombëtarë të cilët asistojnë në çështjet e Reformës në Drejtësi dhe nga sinjalet dhe mesazhet që kemi marrë, maxhoranca ka pranuar një nga dy kërkesat e opozitës. Ka pranuar kërkesën përsa i përket paritetit në komision, një kërkesë shumë e rëndësishme në mënyrë që reformat të jenë jetëgjata dhe të mos varen vetëm nga qenia vetëm në një mandat të një qeverie. Ndaj dhe opozita do ta marrë pjesë në mbledhjet e ardhshme të komisionit të posaçëm të Reformës në Drejtësi dhe sigurisht në seancën e ardhshme do të bëhet e ditur emrat”, tha Halimi.

Më tej deputeti demokrat, i cili do të jetë edhe nënkryetari i Komisionit shpjegoi se opozita do të ketë 5 anëtarë.

“Opozita sot ka depozituar edhe listën e 5 anëtarëve të këtij komisioni, meqë ky komision do të ketë 10 anëtarë, duke u tërhequr nga kërkesa për bashkëdrejtimin e këtij komisioni. Pra, komisioni do të ketë një kryetar dhe një nënkryetar që i përket opozitës dhe të ketë në përbërje 10 anëtarë me nga 5 të secilës palë”, tha ai.

Por Halimi theksoi se “Sigurisht që opozita do të shohë me vëmendje edhe seriozitetin e kësaj reforme dhe angazhimin e qeverisë në reformën në drejtësi në mënyrë që kjo reformë të bëhet duke pasur si synim që të ketë në vëmendje luftën ndaj korrupsionin në sistemin e drejtësisë dhe forcimin e institucioneve të drejtësisë, dhe jo kapjen e tyre”.

“Sepse është fakt i pranuar tashmë nga të gjithë, se gjatë këtyre dy viteve çdo ligj që ka kaluar qeveria që ka pasur të bëjë me drejtësinë, nuk ka pasur si synim luftën ndaj korrupsionit por ka pasur si synim kapjen e institucioneve të drejtësisë. E kam fjalën këtu për ligjin e KLD-së, i cili nuk solli asnjë risi tjetër për luftën ndaj korrupsionit në sistemin e drejtësisë, përsa i përket shkallëve të para të gjykimit, por solli vetëm zëvendësimin e karrigeve, duke zëvendësuar 3 anëtarët e zgjedhur nga Parlamenti i mëparshëm me 3 anëtarë që janë militantë të Partisë Socialiste në Këshillin e Lartë të Drejtësisë”, u shpreh ai.

Deputeti demokrat theksoi edhe njëherë se opozita do të shikojë me shumë vëmendje çdo hap që do të ndjekë qeveria. “Pra, opozita do të shikojë me shumë vëmendje çdo hap që do të ndjekë qeveria duke qenë prezent në këtë reformë ashtu si një element jashtëzakonisht të rëndësishëm për opozitën që është procesi i dekriminalizimit të cilët duhet të shkojnë paralele, pasi është shumë e rëndësishme që ligjet që do të hartohen për të reformuar sistemin e drejtësisë duhet të vijnë, sigurisht, nga deputetë me integritet dhe duke bërë dekriminalizimin e Parlamentit. Ky është qëndrimi i opozitës. Sot opozita ka depozituar emrat dhe presim seancën e radhës miratimin e këtyre emrave në mënyrë që opozita të marrë pjesë”, përfundoi ai.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb