TIRANE – Përfaqësues ligjor i Partisë Demokratike, Ivi Kaso konsideron se politika i është imponuar grupit të ekspertëve, dhe drafti i përgatitur për reformën në drejtësi, nuk reflekton frymën e Komisionit të Venecias. I ftuar në rubrikën “Opinion” në “News24”, Kaso theksoi se çështja kryesore e mosdakordësisë është çështja e emërimeve me 3/5.

“Venecia ka folur qartë, i ka dërguar Shqipërisë një opinion të ndërmjetëm, i cili për ne është opinion përfundimtar, lidhur me të gjitha çështjet e kritikueshme që mbarte drafti i parë. Në të paktën 11 prej pikave flitet qartë, përtej gjuhës së zakonshme, janë qartësisht të shkruara të zezë mbi të bardhë. Çështja e parë ka të bëjë me skemën institucionale të propozuar, Venecia thotë thjeshtëso skemën, ul numrin e institucioneve, nga 9 në draftin e parë, në draftin e dytë propozuan 10. Venecia kërkoi reduktim të institucioneve, ndërsa drafti i shton.”- deklaroi Kaso.


Kaso sqaroi ndër të tjera se pika kryesore që i ndan me ekspertët e mazhorancës është votimi me 3/5.
“Janë disa institucione kushtetuese që do krijohen. Komisioni thotë qartë se votimi me 3/5 çimenton kapjen politike të sistemit. Çështja me 3/5 është kryesorja ku nuk shprehim dakordësi”.


Kaso tha ndër të tjera se veprimet që do marrin do bëhen të dituara pas mbledhjes së komisionit AD-HOC.
“Kemi një takim në orën 18:00 me kryetarin Basha. Nuk e ofrojmë ekspertizën tonë do i bëjmë të qarta në komisionin AD-HOC. Produkti i ekspertëve duhet të diskutohet në tryezën e komisionit dhe të gjitha shqetësimet që opozita ka”.


(er.nu/BalkanWeb)

Etiketa: