TIRANE– Kryeministri Edi Rama e cilësoi si një moment kthese historike për arsimin reformën dhe transformimin rrënjësor të sistemit të teksteve arsimore. Kreu i qeverisë ishte sot i pranishëm në aktivitetin e organizuar nga Ministria e Arsimit “Reforma në tekstet shkollore: Tekste Evropiane për Gjeneratën e Re të Shqiptarëve”, ku ai foli për ato që i cilësoi si arritjet e revolucionit në tekstet arsimore.

“Ky vit shkollor nis pa barrën e papërballueshme të qindra teksteve mizerabël”, tha Rama duke iu referuar sistemit të altertekstit që nuk ekziston më.

Sipas kreut të qeverisë, “pjesëmarrja e kësaj kthese historike është edhe ndarja me librat e skualifikuar dhe futja ë sistemin tonë arsimor e tre burimeve të mirënjohura të cilësisë më të lartë europiane të dijes për fëmijët që hyjnë në shkollë”.

“Është mirëmenduar që këto tekste të fillojnë nga klasa e parë dhe e gjashtë, duke u dhënë atyre ajkën me të cilën ushqehen të gjithë fëmijët e Europës. Ajkën me të cilën ushqehen, shkollat, mësuesit dhe gjeneratat e reja të vendeve që i shohim me admirim dhe duam t’u ngjajmë”, tha Rama.

Duke folur për rritjen e buxhetit të arsimit, Kryeministri u shpreh se kjo nuk është githçka. “Historia na ka mësuar se shpenzimi i më shumë parave në arsim nuk garanton një cilësi më të mirë, nëse nuk bëhet një strategji e qartë me një vizion për të nesërmen e vendit”, tha Rama.

Prandaj, vijoi ai, “nuk dua të them sesa e kemi rritur ne buxhetin për arsimin. Kemi rritur dhe do të vazhdojmë ta rrisim. Flet më shumë ajo që ne po bëjmë për ta kthyer një sistem të rrënuar dhe korruptuar tërësisht, në një sistem funksional dhe transparent, ku cilësia vendos mbi gjithçka dhe për gjithçka”.

Duke folur për alterteksit, Rama tha se, “në vitn 2012 nxënësit kishin në total 1130 tekste, deri në 11 alternativa. Një nisëm që rezultoi një katastrofë me pasoja. Një kaos i jashtëzakoshëm, ku sigurisht përfitimet më të mëdha i nxorri korrupsioni dhe politika dritë-shkurtër”.

Më tej kreu i qeverisë foli për detyrimet që k kjo qeveri për të pastruar atë që ai e quajit “shtëpia jonë e përbashkët. “Ne në këtë qeveri jemi të detyruar t’i nxjerrim në pah të palarat e artikuluara për vite të tëra sepse kemi marrë vendim ta pastrojmë shtëpinë tonë në çdo nivel dhe çdo aspekt. Të palarat që dalin në shesh dhe skandalizojnë, sikur njerëzit s’ishin këtu më parë, apo shumëçka tjetër s’ishin këtu më parë, dhe kthehen në argument për të drejtuar akuzën ndaj nesh. Po s’ka problem, kjo është pjesë e përpjekjes. E thashë këtë për t’i kujtuar të gjithëve se gjithë përpjekjet për ta shndërruar një vend të katandisur në një rrëmujë totale, ku seicili përpiqet të kapë ç’të mund, është e pamundur të pastrohet në një kohë kaq të shkurtër”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se, përveç cilësisë së teksteve është i nevojshëm edhe kualifikimi i mësuesve. “Synimi ynë është që çdo mësues të ketë kartën e vetë të krediteve, që do ta bëjë të paprekshëm”, tha Rama.

Qëllimi i aktivitetit të sotëm, ishte njohja e publikut të gjerë dhe grupeve të interesit me politikat e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në drejtim të përmirësimit të cilësisë së teksteve shkollore për arsimin parauniversitar në Shqipëri.

MAS PREZANTON RAPORTIN PUBLIK PER REFORMIMIN E TEKSTEVE SHKOLLORE
Sot, Ministria e Arsimit dhe Sportit, prezantoi raportin publik mbi procesin e reformimit të teksteve shkollore në vend.

Reforma e altertekstit, e cila, deri në vitin 2012, rezultoi me 1,130 tekste në përdorim dhe me 2 deri në 11 alternativa për lëndë mësimore, rezultoi gjithashtu me gjetje, në pjesën më të madhe të këtyre teksteve, me deformime dhe probleme të rënda shkencore, konceptuale dhe gjuhësore.

Në këtë kuadër, me synim përmirësimin dhe garantimin e cilësisë së teksteve për nxënësit shqiptar në sistemin e arsimit parauniversitar, MAS, ndërmori një proces të gjatë reformator ku në procesin e vlerësimit dhe përzgjedhjes u ftuan mësuesit nga i gjithë vendi; Kjo procedurë, rezultojë në heqjen e 470 teksteve të tjera nga katalogu ekzistues. Në total që nga viti 2013, në bashkëpunim me të gjithë grupet e interesit, janë hequr nga katalogu i vjetër i altertekstit, rreth 600 tekste të identifikuar me probleme serioze shkencore, konceptuale dhe gjuhësore.

Komisioni i Vlerësimit të Teksteve Shkollore pranë MAS, i përbërë nga akademikë dhe profesorë të fushave, përzgjodhi alternativat më të mira të teksteve shkollore për klasat e I-ra dhe të VI-ta ku po aplikohet edhe korniza e re kurrikulare me qasje kompetencat. Këto tekste janë produkt i tre Shtëpi Botuese të njohura nderkombëtare; “Pearson”, “Oxford” dhe “Cambride”. Nga ky proces përfitojnë rreth 76 mijë nxënës shqiptar.

Në të njëtën kohë, po këtë vit shkollor, për herë të parë, nga digjitalizimi i sistemit arsimor të mesëm, përfitojnë 16 mijë nxënës të klasave të X-ta të cilët do të kenë mundesinë e përdorimit jo vetëm të laboratoreve digjitale, por edhe të përmbajtjeve digjitale të standardeve më të mira ndërkombëtare.

Nëse një familje ka 3 fëmijë që shkojnë në shkollë fëmija i tretë do të marrë falas tekstet e kështu me radhë. vendimi që duhet të jetë marrë ditët e fundit në prag dhe të nisjes së vitit shkollor është bërë i ditur nga vetë ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla.

“Sot në këtë traditë të raportimeve publike, jemi këtu për të thënë se kemi ecuar përpara, se kemi bërë hapa përpara edhe në angazhimin që lidhet edhe me përmirësimin e cilësisë së teksteve shkollore, që prekin 450 mijë nxënës në gjithë sistemin tonë shkollor. Sigurisht kemi realizuar dhe një premtim tjetër: kemi mundësuar zgjerimin e nxënësve që përfitojnë tekste falas, duke mundësuar për çdo familje shqiptare që ka tre dhe më shumë fëmijë, që fëmija i tretë në rradhën e shkollimit të përfitojë tekste falas. Pra, nëse një familje ka tre fëmijë që shkojnë në shkollë, fëmija i tretë nuk paguan asnjë lekë për tekstet shkollore dhe nëse ka katër, i treti dhe i katërti përfitojnë nga ky premtim i mbajtur i qeversië shqiptare, e kështu me rradhe. Por le të kthehemi tek alterteksti”, tha ministrja Nikolla.

FJALA E PLOTE E KRYEMINISTRIT EDI RAMA
Dje kam marrë një mesazh shumë inkurajues nga një gjyshe, ish mësuese, e cila, mesa kuptova, kujdesej për ecurinë e mbesës së saj që shkonte në klasën e 6-të. Ishte jashtëzakonisht e entuziazmuar nga tekstet e klasës së 6-të, që kishin ardhur në shtëpi dhe që për të, fjalët e saj: “ishin një ëndërr që nuk e kishte menduar kurrë se do ta shihte të realizuar në të gjallë të vet”.

Unë jam shumë krenar që atë që ajo gjyshe e ditur e kishte konstatuar, për shkak se gjithë jetën e saj kishte qenë mësuese 8-vjeçareje, këtu, në Tiranë, ne e kemi bërë realitet për të gjithë fëmijët e Shqipërisë, që hyjnë në klasën e parë dhe në klasën e 6-të. Të cilëve, ua kemi hequr të gjithë barrën e papërballueshme të mizerabilitetit pseudoshkencor që i kanë marrë frymën, i kanë marrë shpirtin dhe i ka dëmtuar frymën fëmijëve tanë, fëmijëve të Shqipërisë, në të gjithë këto vite. U detyruan me dhunën e injorancës dhe të dritëshkurtësisë politike të marrin rrugën pa rrugë të xhunglës së alterteksteve. Wshtë e pamundur të llogarisësh se çfarë humbjeje në cilësinë e trurit ka pasur Shqipëria në gjithë vitet e të jetuarit të arsimit 9-vjecar apo atij të mesëm në xhunglën e teksteve të pabesueshme.

Megjithatë, sot është një moment kthese historike për arsimin. Pjesw e kësaj kthese historike është edhe transformimi rrënjësor i sistemit të teksteve; Pjesë e kësaj kthese historike është edhe ky mal me libra, deri dje të vlefshëm, sot përfundimisht të skualifikuar; Pjesë e kësaj kthese historike është edhe futja në sistemin e tonë e tre burimeve të mirënjohura të cilësisë më të lartë europiane të dijes për fëmijët që hynë në shkollë.

Faktikisht, është mirëmenduar që të fillohet nga klasa e I-rë dhe nga klasa e 6-të, duke ju dhënë në dorë atyre ajkën me të me të cilën ushqehen të gjithë fëmijët e Europës, ajkën me të cilën ushqehen shkollat, mësuesit dhe gjeneratat e tjera të vendeve që ne i shohim me admirim dhe të cilave duam t’ju ngjajmë.

Në vitin 2011, Shqipëria shpenzonte 3.2% të buxhetit kombëtar për arsimin. Megjithatë, siç është vënë qartësisht në dukje nga studime të ndryshme, por dhe nga Banka Botërore, vetëm 1.9% e atij buxheti shkonte realisht për nevojat bazike të arsimit. Historia na ka mësuar që shpenzimi i më shumë parave në arsim, po besoj si kudo, nuk garanton detyrimisht një cilësi më të mirë, nëse nuk bëhet me një strategji të qartë, që është fryt i një vizioni solid për të nesërmen e vendit, të cilën nuk mund ta shohim ndryshe, përveçse përmes të nesërmes së arsimit.

Prandaj nuk dua të them sesa e kemi rritur ne, buxhetin për arsimin. E kemi rritur dhe do vazhdojmë ta rrisim. Por kjo nuk flet shumë. Çka flet shumë është sa po bëjmë ne për ta kthyer një sistem të rrënuar plotësisht, në një sistem funksional, modern, europian. Një sistem të korruptuar në çdo qelizë, në një sistem transparent, ku cilësia vendos në gjithçka dhe për gjithçka.

Viti 2014 jam i bindur që do të shënohet si pika e kthesës në kohë, pas aq shumë vitesh inercie, duke shpenzuar para, duke shpenzuar energji, për të ecur qorrazi në drejtim të paditur. Reformat e ndërmarra në arsim janë absolutisht rrënjësore. Janë ato reforma që duhet të ishin ndërmarrë me kohë. Lidershipi i Ministres së Arsimit është fat për këtë qeveri dhe për këtë moment, sepse krijon kushtet që ajo çka konceptohet dhe shkruhet në letër të jetësohet me seriozitet, me dinjitet dhe me vullnet të hekurt në realitet.

Në vitin 2012 nxënësit kishin në total 1130 tekste në përdorim, deri në 11 alternativa. Një nismë, që rezultoi një katastrofë me pasojë një kaos të jashtëzakonshëm, ku sigurisht përfitimet më të mëdha i nxori korrupsioni dhe politika dritëshkurtër. Përfitime që nuk kanë asnjë lidhje me përftimet që duhet të nxjerrë një komb, që duhet të nxjerrë një shoqëri, që duhet të nxjerrë një shtet, që duhet të nxjerrë çdo komunitet nga sistemi arsimor.

Ju jeni të gjithë dëshmitarë të talljes masive dhe plotësisht legjitime në rrjetet sociale apo në media të teksteve që dolën në pah si grupi i parë i librave të padëshiruar në sistemin arsimor, falë nismës së ministres. E cila, asnjëherë nuk e ndan nevojën për një reformë nga domosdoshmëria për t’i kthyer njerëzit që duhet ta jetësojnë reformën, pra, mësuesit apo drejtuesit e arsimit, në pronarë të reformës. Për ta ndjerë reformën pronësi të tyre dhe për ta çuar atë përpara, jo sepse kështu na kanë thënë, por sepse kjo është gjëja e duhur.

Gjashtë mijë mësues u angazhuan nga ministrja, për të raportuar gabimet apo lajthitjet në tekstet shkollore. Të gjitha ato raportime iu komunikuan shtëpive botuese. Ai proces nxori 120 tekstet e para që e kishin të vulosur në ballë që ishin një fyerje e inteligjencës elementare njerëzore, por edhe një fyerje për të gjithë prindërit që investojnë jo vetëm kursimet e tyre, por ëndrrat e tyre për t’i shkolluar fëmijët ashtu siç duhet.

Ne në këtë qeveri kemi një problem; Problemin që jemi të detyruar t’i nxjerrim në pah të palarat. Të palarat e akumuluar për vite e vite të tëra. Sepse ne kemi marr një vendim, për të cilin edhe jemi votuar, ta pastrojmë shtëpinë tonë në të gjitha nivelet dhe në çdo aspekt. Problemi që kemi është me harresën, sepse të palarat që dalin në shesh dhe që skandalizojnë dynjanë, – a thua se njerëzit nuk ishin këtu më parë, a thua se këto tekste nuk ishin më parë, a thua se shumëçka tjetër nuk ishte këtu më parë, – kthehen rëndom në një argument për të drejtuar gishtin e akuzës ndaj nesh.

Po nuk ka problem, kjo është pjesë e përpjekjes. Nuk e thashë këtë për t’u ankuar, por vetëm për t’ju kujtuar të gjithëve se një shtëpi e katandisur në një han, të cilit nuk i numërohen portat dhe e pa pastruar për kaq shumë vitesh, e kthyer në një rrëmujë totale, ku secili përpiqet si të mundet për të kapur çfarw të mundet dhe për t’u veshur aq sa mundet për të dalë nga shtëpia, është e pamundur që të pastrohet dhe të bëhet shtëpia e përbashkët që duam në një kohë kaq të shkurtër.

Megjithatë, në një kohë shumë të shkurtër, ne ia dolëm që pas seleksionit të parë në 2015-ën, të bënim një filtrim të dytë, ku vendosmëria e ministres çoi në thellimin e atij sensi të gjithëpërfshirjes dhe të demokratizimit real brenda sistemit, ku ministrja vërtetë e drejton reformën, por asnjëherë nuk i shikon nga lart-poshtë, ata që janë jetësuesit e reformës, mësuesit. Arritëm të heqim edhe 470 tekste të tjera, duke i përfshirë mësuesit në të gjithë territorin e vendit dhe duke ju kërkuar të votojnë në mënyrë të fshehtë për tekstet.

Këtu ka shumë mësues që e dinë shumë mirë se nuk ka qenë një proces aq i thjeshtë për të zgjedhur një tekst ose një tekst tjetër. Ka qenë një proces i ndikuar. I ndikuar nga drejtori, i ndikuar nga ministria që deri dje jepte urdhra se cilat tekste duhet të përzgjidheshin në këtë shkollë apo në atë shkollë tjetër dhe urdhra që vinin jo për të imponuar cilësinë, po për të ushqyer kanalet e hapura të korrupsionit. Ndërkohë ajo me demek “marrje mendimi” që ju bëhej mësuesve ishte një lajthitje më vete, sepse mësuesve ju jepej vetëm 30% të tekstit, a thua se teksti është një shishe vere, ku mjafton të shijosh gllënjkën e parë, për të kuptuar sesi është gjithë shishja.

Pas këtij mali me tekste, tani më të rrafshuar, mbi bazën e rekomandimeve të Bashkimit Europian dhe me vullnetin e plotë për të ndjekur me shpejtësi rrugën drejt një kornize kurrikulare të standardeve europiane, gjë që nuk na e kërkon procesi i integrimit, – sa për dijeni. Nuk është detyrë e procesit të integrimit kjo, por është detyrim që ne e ndjejmë karshi gjeneratës tjetër, sepse Shqipëria europiane nuk është një projekt që ne duam ta ndërtojmë se na e kërkojnë, por është një projekt që ne ia kemi detyrim fëmijëve tanë. U hartua korniza e re kurrikulare e Shqipërisë.

Këtë vit të ri shkollor, nxënësit jo vetëm do të kenë tekstet më të mira që disponohen, të përmirësueshme në vazhdim pa asnjë pikë dyshimi, por më e rëndësishmja është se këtë vit ne vendosim gurët e themelit të një shtëpie tërësisht të re të arsimit, në kuptimin e teksteve, sepse brenda një cikli natyral pesëvjeçar, i gjithë arsimi ynë parauniversitar, do të jetë në aspektin e teksteve, 100% europian dhe do të bazohet 100% në produktet më të mira të Europës, nga pikëpamja e teksteve, e cilësisë të teksteve, që nuk janë thjesht tekste, por janë pjesë e një sistemi krejtësisht të ri të të dhënit mësim dhe të të nxënit të dijeve.

Kështu që, mish-mash-i midis epokës së teksteve ku ne ishim në dashuri me Bashkimin Sovjetik dhe periudhës së kaosit kur u ra rëndë në dashuri me korrupsionin, ia lë vendin një epoke tërësisht e re, që u jep mundësi sot fëmijëve të klasave të I-ra dhe të klasave të 6-të, vitin tjetër, fëmijëve të klasave të 2-ta dhe të klasave të 7-ta, së bashku me të klasave të I-ra dhe të 6-ta, vitin tjetër fëmijëve të klasave të 3-ta dhe të klasave të 8-ta, e kështu me radhë dhe brenda tre vitesh, cikli është i plotë përsa i përket teksteve shkencore. Ndërsa brenda pesë vitesh, ne besojmë shumë që do të përputhet jo vetëm mekanikisht ky cikël, por do të përputhet edhe dija e mësuesve, në raport me këto tekste që sot kërkojnë në një farë mënyre që mësuesi të jetë mësues gjatë paradites dhe të jetë nxënës pasdite për t’u përgatitur, sepse metodika është tërësisht tjetër.

Ky është një revolucion në kuptimin më të vërtetë të fjalës.

Më shumë se kaq, këta libra do të shoqërohen me programe të ilustruara vizuale dhe audio dhe video. Pra, nxënësit do të kenë në dispozicion për çdo tekst, edhe pamjet, si dhe rrëfimin e asaj që shkruhet në libra, gjë që e bën shumë më prekshme dhe shumë më të kuptueshme të gjithë atë që dëgjohet nga mësuesi, thithet nga libri dhe pastaj duhet përvetësuar nga nxënësi. Edhe këto programe janë prodhim i këtyre shtëpive botuese me famë botërore, që jo më kot i kemi zgjedhur, sepse kemi konstatuar që të tjerë para nesh kanë rendur që t’i zgjedhin.

Gjithë baza nënligjore për përzgjedhjen e teksteve nga mësuesit, për shpërndarjen dhe shitjen e tyre, ka garantuar që procesi të mos cenohet nga konflikti i interesit, të mos cenojw meritën e botuesit dhe të mos cenojw mbi të gjitha, aspirata e porositësve dhe të përdoruesve. Sot, prindërit që investojnë për të blerë këto tekste për fëmijët bëjnë një investim me 100% garanci, çka deri dje nuk mund të imagjinohej, jo më të thuhej.

Nga ana tjetër, përgatitja dhe miratimi i standardeve për tekstet e shkollore si instrument normativ, praktik dhe detyrues, për specialistët e arsimit, për shtëpitë botuese të teksteve shkollore, për autorët e teksteve, për recensuesit, për komisionet e certifikimit të teksteve është një hap kolosal përpara, që e ndan përfundimisht Ministrinë dhe titullarin nga fusha ku janë ekspertët, ata që duhet të vendosin.

Po ashtu nuk ka qenë aspak një proces i thjeshtë, sepse na është dashur të përballemi me një mori interesash dhe me një rrjet të tërë, të ngritur mbi bazën e interesave, që prodhonte gjithë atë çmenduri për qëllime fitimi. Kështu që, metodologjia e re për konkurrimin, për botimin, për recensimin, për vlerësimin, për pilotimin, për përmirësimin dhe certifikimin e teksteve shkollore i ka dhënë fund jo vetëm një sistemi të kalbur, por edhe çdo hamendjeje të mundshme se në këtë sistem të ri mund të gjesh shtigje ekstraligjore, për të gjetur hapësirën ku të nxjerrësh fitim, duke marrë në qafë fëmijët e këtij vendi.

Konkurrimi për tekstet e reja ka qenë një sukses më vete, i realizuar në zbatimin korrekt të akteve që thashë më parë dhe ka pasur një besueshmëri të lartë të publikut dhe pjesëmarrësve. Janë vetëm 3 tekste alternative që i takojnë secilit vit dhe që janë shpallur nga Komisioni i Vlerësimit të Teksteve Shkollore. I cili, nga ana tjetër, duke qenë një komision vlerësimi profesionistësh, jo politikanësh, ka qenë në gjendje që t’i kërkojë botuesve të bëjnë për çdo tekst, korrigjimet e nevojshme, para sesa t’i thotë Ministrisë së Arsimit që tekstet janë gati për t’i çuar nëpër shkolla. Për herë të parë, ky Komision merr një fuqi, të cilën ne duam ta konsolidojmë në vitet që vijnë, pasi për herë të parë ne bëjmë këtë përpjekje si vend, si shtet, si shoqëri, si qeveri në gjithë këto vite, për të vendosur në bazën e sistemit të përzgjedhjes dhe të shfrytëzimit të teksteve shkencën dhe mendimin shkencor, jo politikën dhe mendimin politik.

Përsëri, procesi mbetet i hapur, që do të thotë se gjithë ky vit shkollor do të shërbejë për të përmirësuar më tutje tekstet ekzistuese. Procesi i përmirësimit do të jetë një proces që do të kurorëzohet përsëri me opinionin e komisionit të ekspertëve, pavarësisht se do të monitorohet që nga ministria, deri tek drejtoritë dhe zyrat e arsimit. Përsëri do të vazhdojmë në rrugën e konsolidimit të atij procesi, absolutisht të panjohur më parë, demokratizimi në marrëdhëniet brenda sistemit arsimor, që ka çelur ministrja e Arsimit, duke kërkuar vlerësim nga çdo mësues i Republikës së Shqipërisë në çdo shkollë mbi tekstet. Dhe teksti do të marrë certifikimin përfundimtar vetëm kur masa e përmbushjes së treguesve dhe të standardeve të jetë shumë e mirë, jo e mirë, por shumë e mirë, sipas normave të vlerësimit.

Nuk mjafton të ndryshojmë tekstet, për të ndryshuar cilësinë e arsimit. Tekstet janë baza, por nuk janë ende “ushqimi” që fëmija merr, sepse ka nevojë edhe për mësuesin. Është mësuesi që tekstet i kthen në “ushqim” plotësisht të dobishëm për zhvillimin mendor dhe intelektual të çdo fëmije. Këtu duhet të shkojë më tutje, me procesin e rritjes së cilësisë së mësimdhënies dhe të kualifikimit të mësuesve.

Kemi trashëguar një sistem të rrënuar në pikëpamjet e infrastrukturës dhe të teksteve dhe me një demotivim të madh të trupës. Një trupw të demotivuar në tërësi. Një trupë të parespektuar dhe të pavlerësuar. Me vlerësim kam parasysh në radhë të parë, jo lëvdatat, por mundësitë për të rritur kapacitetin e çdo mësuesi dhe mësueseje për ta dhënë mësimin mirë. Këtë jemi shumë të vetëdijshëm që duhet ta përballojmë sëbashku. Kjo fazë e fundit e këtij viti duhet të jetë shumë intensive në lidhje me rritjen e kapaciteteve të mësuesve, me trajnimet, me testimet, me certifikimet e mësuesve.

Synimi ynë është të arrijmë në pikën që çdo mësues të ketë kartën e vet të krediteve, pra, licencën që certifikon shkallën e kapacitetit të çdo mësuesi. Kjo do t’i bëjë mësuesit njëherë e përgjithmonë të paprekshëm kur janë të duhurit dhe të pamundur për të qenë mësues, kur nuk janë të duhurit. Kjo do të bëjë përfundimisht të mundur depolitizimin e plotë dhe vendosjen e meritokracisë reale në të gjithë sistemin, duke i dhënë fund edhe korrupsionit, ndaj të cilit ne kemi luftuar shumë fort, kemi bërë shumë progres.

Testimi i parë kombëtar vitin e shkuar dhe çelja e portalit i ka hapur rrugë, një sistemi automatik, bazuar mbi rezultatet. Testimi do të kryhet në fund të çdo viti për të gjithë ata që duan të rivlerësojnë pikët e tyre, por dhe për të gjithë ata që duan të rrisin besueshmërinë e tyre. Por ajo që është më e rëndësishme është që masat e marra dhe vënia në jetë e komisioneve të posaçme, që do të ndjekin transparencën e procesit nga testimi deri tek emërimi, për çdo emërim dhe ç’emërim, është një hap që mbyll një cikël historik dhe hap një cikël tjetër.

Jam po ashtu shumë i inkurajuar me faktin që nga 180 shkolla në vend, që funksionojnë tanimë si shkolla – qendër komunitare, – vitin e ardhshëm do të kemi më shumë, – por ndërkohë pas pak ditësh fillojmë edhe vënien në realitet në 60 gjimnaze të vendit të mësimit dixhital, ku kemi tani, gati, 120 klasat e para inteligjente në Republikën e Shqipërisë. Nuk është një numër i madh në sasi, por është një numër që flet shumë për faktin se, nëse procesi do të funksionojë ashtu siç ne dëshirojmë, do të jetë shumë më e thjeshtë për të rritur numrin vit pas viti. Por edhe këtu duhet të ndjehemi të gjithë të vetëdijshëm se mësuesit janë po aq nxënës sa nxënësit, sepse janë risi që vijnë me shpejtësi, për të kapur një kohë të humbur përgjatë së cilës mësuesve nuk iu dha mundësia që të përgatiten gradualisht dhe që kërkojnë një impenjim më të madh nga secili mësues, për të qenë në gjendje që gjithë këto risi jo vetëm që t’i absorbojë si nxënës, por edhe të jetë në gjendje t’ia përcjellë nxënësve si mësues.

Është një gjë e re dhe shumë e rëndësishme që këtë vit do të fillojë të mësohet sipërmarrja si pjesë e kurrikulës. Është një gjë shumë e rëndësishme që pas 20 e kusur vitesh, fëmijët e Shqipërisë nuk do të dalin më nga shkolla me idenë që dua një punë në shtet. Por që të vegjël do të fillojnë të njihen me një botë tjetër, me botën e sipërmarrjes, ku çdo ëndërr dhe çdo ide mund të realizohen, nëse do dhe nëse di. Nxitja e shpirtit sipërmarrës, përmes futjes që në shkollë të përmbajtjes së kësaj bote të panjohur për të rinjtë kur dalin sot nga shkolla, përbën një moment të madh kthese për Shqipërinë e të nesërmes.

Unë e dëgjoj shpesh nga kolegët që takoj, sidomos nga kolegët që drejtojnë vende ku ka shqiptarë, që shqiptarët janë të veçantë për nga shpirti sipërmarrës. Problemi ynë është që shpirti sipërmarrës ju shpërthen kur janë jashtë shtetit, kurse kur janë këtu, e kanë mendjen te zyrat e shtetit. Kjo ka shumë arsye që nuk do t’i diskutojmë sot, por ka edhe një arsye, besoj, që atje nevoja është kaq imediate dhe nuk ke asnjë kushëri që të rregullon një punë në shtet, në një kohë që gjithë kushërinjtë i ke rrotull se edhe ata duan të gjejnë një punë, ndërkohë që këtu, sensi i urgjencës është inekzistent në raport me nevojën për të dalë dhe për ta sajuar vetë një punë, por edhe dija është shumë e mangët në këtë drejtim.

Ju falenderoj shumë për gjithçka bëni jo vetëm ju, por të gjithë mësuesit në gjithë territorin e Shqipërisë, për të fituar edhe ju kohën e humbur dhe për të qenë në gjendje që të ndiqni këtë ritëm reformash dhe ndryshimesh, që ne po imponojmë. Jam i bindur që pas tre vitesh, kur gjithë sistemi ynë të jetë i plotë me këto tekste të reja që hyjnë këtë vit, do të ndjehemi vërtet të lehtësuar dhe pse jo të çliruar nga borxhi i tmerrshëm që i kemi fëmijëve tanë. Kush më shumë e kush më pak. Nuk ka rëndësi masa, por ka rëndësi që kushdo që ka pasur një mundësi për të qenë pjesë e këtij sistemi, qoftë në politikë, qoftë në arsim, ka borxhe. Pastaj, secili e gjen vetë sa borxhe ka, por shpresoj që asnjëri të mos i thotë vetes që unë nuk kam asnjë borxh, unë i kam bërë të gjitha shumë mirë, fajin e kanë të tjerët.

Shumë faleminderit!

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb