POGRADEC – Bashkia e Pogradecit është përzgjedhur si bashkia model, në të cilën do të nisë të zbatohet reforma e re territoriale.

Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, u ka shpjeguar sot në Pogradec dhe në Korçë, krerëve të pushtetit lokal, sesi do të bëhet reforma në to.

“Eksperienca dhe modeli i shkrirjes së komunave tuaja me bashkinë e Pogracedit do t’i ofrohet si model për t’u ndjekur, bashkive të tjera të ngjashme që do të formësohen pas zgjedhjeve vendore të 2015-ës, – tha Çuçi.- Unë kam shumë besim që përvoja, qytetaria dhe gadishmëria që kemi gjetur këtu në Pogradec janë një premisë e shkelqyer për realizimin e një modeli bashkimi, që do ta ndjekë më pas shumica dërmuese e bashkive të reja.

Për bashkitë më të vogla se e juaja, Ura Vajgurore është përzgjedhur gjithashtu për të testuar dhe gjeneruar një model bashkimi. Sikurse këtu në Pogradec, edhe atje është duke u punuar intensivisht prej një muaji nga STAR dhe KPMG. Kjo e fundit është një ndër kompanitë më të mëdha të botës në fushën e vlerësimit të financave dhe aseteve fikse dhe Qeveria Shqiptare ka besim se do ta performojë me sukses detyrën e rëndësishme që i është besuar. Pjesë e këtij procesi ambicioz është bërë tashmë edhe Këshilli i Europës.

Me zgjedhjen në krye të 61 bashkive,- theksoi ministri më tej, – kryetarët e rinj do të kenë në duar manualin e detajuar që do t’i udhëzojë përgjatë procesit të bashkimit administrativ dhe financiar, por jo vetëm. Si rezultat i këtyre ndërhyrjeve, parashikohet që, për bashkinë e re të Pogradecit, investimet të rriten dyfish, nga 71 milionë në rreth 140 milionë lekë. Dhe kur themi Pogradeci, tashmë kemi në vëmendje edhe territoret që sot administrohen nga komunat Udenisht, Buçimas, Cerrave, Dardhas, Trebinje, Proptisht dhe Velçan.

Por ajo që është më e rëndësishme dhe vlen për t’u theksuar është fakti që banorët e bashkisë së re do të kenë shërbime më cilësore, më moderne dhe efikase. Këtu dua të ripërsëris faktin që zyrat e komunave do të vazhdojnë të ofrojnë shërbimet bazë për banorët e tyre, dhe do të udhëhiqen nga një administrator i cili do të emërohet nga kryetari i ri i bashkisë,”- shpjegoi ministri në vazhdim.

(ar.sh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb