TIRANË – Kryetari i Kuvendit Ilir Meta i ka bërë të ditur sot, kryebashkiakut të Tiranës dhe kreut të opozitës, Lulzim Basha, se askush nuk e pengon ta rifitojë Tiranën në zgjedhjet e ardhshme vendore, madje ai  tani është i favorizuar për ta rifituar atë pas Reformës Territoriale, e cila e ka dyfishuar bashkinë e Tiranës.

“Lidhur me pretendimin fare absurd se kjo reformë qenka bërë për të caktuar në tavolinë rezultatin e zgjedhjeve, duke numëruar se sa bashki janë bërë në jug, sa janë bërë në veri,- tha Meta, – mendoj se të gjitha këto janë qesharake. Ne e dimë të gjithë se këto janë zgjedhje vendore, këto nuk janë zgjedhje politike. Përsa i takon zgjedhjeve politike, nuk ka asnjë ndryshim. Shqipëria mbetet me 12 qarqe, siç kanë qenë edhe më parë, me konsensus të plotë midis dy palëve dhe nuk ndryshon asnjë gjë. Përkundrazi, ndërsa nëse do të ishte dikush i favorizuar sa i takon ndarjes administrative -territoriale, pra nga harta, më e favorizuar nga të gjithë është opozita dhe personalisht z. Basha. Pse do të thoni ju? Sepse janë ata që kanë Bashkinë e Tiranës dhe Bashkia e Tiranës është dyfishuar në saj të kësaj reforme me atë që është sot. Dhe askush nuk e pengon që të rizgjidhet dhe të rifitojë këtë bashkia, e cila është e barabartë me të gjitha bashkitë e jugut apo të veriut të Shqipërisë. Pra, pretendime të tilla janë mëse absurde nuk impresionojnë asnjë dhe unë dot ftojë z. Basha dhe partinë Demokratike që të vazhdojnë të mbeten principal, të kërkojnë respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe natyrisht duhet të japin shembullin për këtë gjë.”

Po ashtu, Meta theksoi se me qendrimin e saj ndaj Reformës, opozita po tregohet destruktive. “Nuk mund të mos shpreh zhgënjimin tim të thellë për reagimin tepër emocional dhe aspak konstruktiv, aspak principal të Kryetarit të Partisë Demokratike, z.Basha, menjëherë pas vendimit të bërë publik nga Gjykata Kushtetuese, e cila në mënyrë tepër bindëse u shpreh për kushtetutshmërinë e reformës administrative – territoriale që ishte kontestuar nga ana e Partisë Demokratike. Është një zhgënjim i thellë që vjen nga z. Basha, besoj për të gjithë ata të cilët për muaj të tërë kanë dëgjuar prej tij dhe përfaqësuesve të Partisë Demokratike, si kërkesë kryesore, si pretendim kryesor, pikërisht insistimin për t’u respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese nga ana e mazhorancës, dhe pikërisht në një moment kur Gjykata Kushtetuese jep vendim të qartë i cili nuk shkon në drejtim të dëshirës dhe të kërkesës së Partisë Demokratike, kemi një kundërshtim të këtij vendimi. Jo vetëm kaq, por edhe reagime vërtetë destruktive të cilat tregojnë qartë se opozita e jonë ka nevojë të bëhet më e përgjegjshme, ka nevojë të bëhet më parimore. Nuk duhet të akuzojë mazhorancën për standarde të dyfishta, ndërkohë që vetë aplikon standarde të dyfishta.

Shpreh keqardhjen, – tha Meta më tej, – për kujtesën e dobët gjithashtu edhe të z.Basha, i cili pretendon se opozita është e përjashtuar nga procesi i realizimit të reformës administrative territoriale, kur të gjithë qytetarët shqiptarë, por edhe partnerët tanë ndërkombëtarë që kanë asistuar për këtë reformë, e mbajnë mend se si asnjëherë tjetër, për një reformë të rëndësishme, opozitës iu dhanë mundësitë maksimale për të patur një rol përcaktues, një rol të barabartë me shumicën.

Pra, u krijua një komision parlamentar me 16 anëtarë, 8 nga mazhoranca, 8 nga opozita , me dy bashkëkryetarë, një nga mazhoranca dhe një nga opozita. Dhe për muaj të tërë opozita e bojkotoi këtë komision me pretendimin se mazhoranca gjoja kishte fiksuar një hartë të sajën të ndarjes elektorale. Dhe më pas, kur ky komision paraqiti pesë variante të ndryshme, ku iu dha përsëri opozitës që të zgjidhte një nga pesë variantet, përgjigjja e tyre ishte që do të paraqisnin variantin e tyre, pra variantin e Partisë Demokratike dhe për këtë organizuan edhe një Konventë të Partisë Demokratike për reformën administrative – territoriale ku ftuan edhe përfaqësues nga mazhoranca. Dhe ju e mbani mend shumë mirë, që përfaqësues të mazhorancës, z. Fino si bashkëkryetar i komisionit dhe z. Vasili si anëtar i këtij komisioni morën pjesë pa asnjë paragjykim në këtë Konventë të Partisë Demokratike për reformën administrative – territoriale, shpjeguan punën dhe konceptin e deriatëhershëm të komisionit dhe njëkohësisht e ftuan opozitën që të jepte alternativën dhe opsionin e saj.

Ne pritëm përsëri që Partia Demokratike të sillte një variant të saj përtej pesë opsioneve të ofruara nga ana e komisionit parlamentar për reformën administrative – territoriale. Por kjo gjë nuk ndodhi asnjëherë, sepse i vetmi opsion për fat të keq i Partisë Demokratike ka qenë dhe mbetet zero reformë administrative – territoriale, që do të thotë për fat të keq, jo thjesht “status quo”, por degradim i standardeve të shërbimit ndaj qytetarëve shqiptarë.Historitë e tjera s’janë serioze, por le ta hedhin vështrimin tani drej 21 Qershorit,”- nënvizoi Meta.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb