TIRANË

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka folur për mediat  jashtë sallës së Kuvendit në lidhje me reformën zgjedhore, por edhe për refuzimin që PD i bëri ftesës së kryeministrit Edi Rama.

Ai tha se ftesa e djeshme ishte e sinqertë dhe ka për synim bashkëpunimin me opozitën për të miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Gjithashtu Balla u pyet edhe për deklaratën e kryetari të Komisionit të Reformës Zgjedhore,  Damian Gjiknuari, i cili tha se është i gatshëm të ri-shohë pozicionin e tij pas pretedimeve të PD, por me disa kushte.

Pjesë nga deklarata e Ballës:

Z. Balla, opozita ka refuzuar me një vendim unanim të aleatëve të jetë pjesë e tryezës për reformën zgjedhore të thirrur nga OSBE javën e ardhshme. Si do të shkojë përpara reforma zgjedhore nëse PD nuk ulet në tryezë me ju?

 Së pari, të gjithë e dimë që pas vetëdorëzimit nga ana e Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim, deputëtë të zgjedhur nga lista e PD por që drejtojnë disa prej partive opozitare, është krijuar në Komisionin e Reformës Zgjedhore mundësia që Partia Demokratike të jetë e përfaqësuar  përmes një zgjidhje që ne i kemi dhënë për të pasur edhe ajo një përfaqësues në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore.

Ajo që kryeministri Rama ka bërë dje në cilësinë e Kreut të Partisë Socialiste është pikërisht një shprehje e gadishmërisë sonë që sipas edhe një tradite të konsoliduar shumë vjeçare në vend, në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore të jetë padyshim zëri dhe kërkesat që burojnë nga Partia Demokratike apo edhe aleatët e saj.

Në këtë këndvështrim secila prej palëve duhet të kuptojë se ne jemi kundërshtarë me njëri-tjetrin por kur bie fjala për rëndësinë që ka reforma zgjedhore, secila prej partive duhet të sjellë propozimet e veta lidhur me atë që na duhet të bëjmë domosdoshmërisht për të garantuar që zgjedhjet e qershorit 2021 të zhvillohen sipas një kodi të ri zgjedhor.

Duhet ta themi që koha në dispozicion deri në zgjedhjet e qershorit 2021, nisur edhe nga eksperiencat e shumë viteve, tregon se nuk është një kohë e gjatë, po të kemi parasysh që nga momenti i miratimit të ndryshimeve në kod zgjedhor deri në implementimin e shumë prej risive që do të sjellë kodi i ri zgjedhor, si për shembull vota e shqiptarëve jashtë territorit, është shumë e shkurtër.

Gjithashtu koha në dispozicion për implementimin e teknologjisë në zgjedhje është e shkurtër.

Prandaj, çdo ditë e humbur në këtë ftesë të hapur e të sinqertë, është një ditë e shkuar dëm.

Diskutimi i iniciuar nga OSBE së bashku me dy bashkëkryetarët, znj. Hajdari dhe z. Gjiknuri është një qasje e parë për të kuptuar realisht çfarë artikulojnë një pjesë e partive të vogla apo edhe deputetë të Kuvendit lidhur me disa propozime që mund të kenë lidhur me sistemin.

Unë mendoj se ajo që duhet të jetë e rëndësishme në kuadër të një reforme zgjedhore të plotë është dhe lidhet tërësisht me adresimet e të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

Përsa i përket ndryshimeve në 2013, 2015, 2017, materiali është gati. Komisioni do të punojë me intensivitet për të përkthyer edhe rekomandimet që burojnë nga raporti përfundimtar i zgjedhjeve të 30 qershorit me qëllim që të kemi një qasje të plotë në kodin zgjedhor.

Unë dje kam theksuar edhe nevojën që të fokusohemi edhe tek ligji për financimin e partive politike, kujtoj që në institucionet e drejtësisë kemi hetime, jo vetëm në Shqipëri por edhe jashtë Shqipërisë, për financimet të paligjshme të partive politike në Shqipëri. Kur bëhet fjalë për një prej partive kryesore politike, siç është Partia Demokratike, padyshim që ky është një shqetësim që duhet adresuar për të forcuar, reduktuar vulnerabilitetin e financimeve të paligjshëme tek partitë politike.

 Z. Balla, sot Damian Gjiknuri u shpreh i gatshëm për t’u larguar nga bashkëdrejtimi i Komisionit të Posaçëm të Reformës zgjedhore, ç’ka është refuzuar pak më vonë nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike. Deri në ç’pikë është e gatshme mazhoranca të bëjë lëshime në emër të një dialogu që nis me reformën zgjedhore. A është pjesë e këtij dialogu edhe largimi i z. Gjiknuri nga drejtimi i këtij komisioni?

 Së pari, unë nuk jam dakord me këtë qasje të kujtdo, qoftë edhe të Partisë Demokratike, që vendos kushte për përfaqësuesit e palës tjetër. Z. Gjiknuri është eksperti më i mirë i reformave shumë-vjeçare zgjedhore në Shqipëri që prej vitit 2007. Pra, është një eksperiencë e dobishme në funksion të mënyrës së përkthimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR në amendamente të kodit zgjedhor. Unë nuk dua të hyj aspak në këtë debat të pakuptimtë. Është një debat i pakuptimtë. Në demokraci kundërshtari nuk zgjidhet. Nuk dua të zgjatem aspak në një çështje që nuk është aspak themelore. Çështja themelore në këtë moment është: në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore, për shkak të largimit të PD nga Parlamenti ato nuk janë përfaqësuar në Komision, ne kemi krijuar një artificë për t’u krijuar mundësinë që ato të jenë të përfaqësuar duke u dhënë të njëjtën veto siç kemi edhe ne.

 A mund ta bëjë reformën zgjedhore një person i cili ka dalë në përgjime për shit-blerje votash z. Balla?

 Ajo që dua të kuptoni është se në parimet themelore të të drejtave të njeriut askush nuk mund të paragjykohet sa kohë që nuk ka qoftë edhe një vendim gjykate që të provojë fajsinë e tij. Në këtë vend çdo ditë njëra palë, e cila dihet se kush është, nxjerr arsye të kota për t’ju shmangur domosdoshmërisë dhe përgjegjësisë që sot ne të jemi bashkë në një tryezë për të dialoguar për të gjitha çështjet.

Partia Socialiste jo pa qëllim ka treguar një vijimësi të dakordësisë së saj kur kemi pranuar edhe kërkesën e deputetëve të rinj të opozitës për të zgjeruar mandatin e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore si edhe diskutime mbi ndryshime mbi sistemin zgjedhor.

 Z. Balla nëse Partia Demokratike nuk merr pjesë në tryezën për Reformën Zgjedhore do e vijoni vetë?

 E thashë qartë se nuk kemi asnjë ditë për të humbur. Ju duhet ta dini se Kodi Zgjedhor miratohet në Kuvendin e Shqipërisë, prandaj duhet paraprakisht që të ketë një tryezë mes forcave politike. Kryeministri Edi Rama nisur nga nevoja për të respektuar votën e shqiptarëve të qershorit 2017, që e ka mandatuar Partinë Demokratike si parti parlamentare, t’u jepet mundësia të jenë pjesë e një tryeze.

Në demokraci kundërshtari nuk zgjidhet por votohet. 

Z. Balla, Gjermania pritet ti vendosë 9 kushte Shqipërisë për hapjen e negociatave. Pika e nëntë pritet të jetë saktësismi i legjitimitetit të zgjedhjeve të 30 qershorit. Si do ndikojë kjo për Shqipërinë në 18 tetor?

Qeveria gjermane e ka mbështetur dhe e mbështet fillimin e bisedimeve me Shqipërinë.

Do të duheshin minuta të tëra për të shpjeguar sesi funksionon procesi i bisedimeve për anëtarësim.

Momenti i parë i bisedimeve për anëtarësim është konferenca mes BE-së dhe qeverisë shqiptare.

Të jeni të sigurtë që Këshilli Europian do të përcaktojë qartë fillimin e procesit të negociatave. Duhet të kuptojmë se Gjermania mbështet fillimin e bisedimeve për anëtarësim mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Kjo është një shprehje e qartë e njohjes së reformave të thella institucionale që ka bërë Shqipëria. Guri i themelit është ecuria e reformës në drejtësi.

Reforma në drejtësi ka ecur sipas të gjitha pritshmërive e cila është model edhe për vendet e tjera të rajonnit të cilat edhe sot janë në proces negociatash me BE-në por nuk kanë bërë një reformë si reforma jonë në drejtësi që lidhet tërësisht me dy prej kapitujve më thelbësorë të 35 kapitujve që bëjnë pjesë në marrëveshjen për anëtarësim.

Kapitujt 23, 24 që lidhen me shtetin e së drejtës janë dy kapituj që hapen të parët dhe mbyllen të fundit.

 Jemi akoma pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë z. Balla. Këto pritet të jenë dhe disa nga kushtet e Gjermanisë çfarë do të ndodhë, do të vazhdojë Shqipëria pa Gjykatë Kushtetuese?

 Ajo që të gjithë shqiptarët dinë është që qoftë Gjykata Kushtetuese, qoftë Gjykata e Lartë janë në proces plotësimi të vakancave. Ky është një proces që po ecën mjaft mirë dhe unë me padurim po pres që Kuvendi i Shqipërisë, që ka 1/3 e plotësimit të vakancave në Gjykatën Kushtetuese ta ushtrojë këtë të drejtë sa më shpejt.

 Z. Balla, me sa vëmendje po e ndiqni sot gjyqin e Saimir Tahirit? 

Pavarësia e gjyqësorit ka qenë dhe mbetet themeli i reformës në drejtësi. 

Nëse ish ministri juaj dënohet do mbani përgjegjësi politike? 

Pavarësia e gjyqësorit mbetet themeli i reformës në drejtësi. 

Z. Balla, folët për ndryshimin e sistemit. A do të pranonte Partia Socialiste kërkesën që vjen edhe nga brenda parlamentit prej opozitës, për ndryshimin e sistemit. Pra, a pranoni listat e hapura z. Balla? 

Kjo nuk lidhet me rëndësinë që ka një proces dialogu në një tryezë ku të gjitha partitë politike të jenë të përfaqësuara. Shqipëria ka detyrim themelor adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb