TIRANË

Kryetarja e grupit parlamentar demokrat Rudina Hajdari ka folur pas mbledhjes së komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore ku është bashkëkryetare me Damian Gjiknurin.
Ajo tha se në mbledhje janë koonstituuar grupet e punës dhe janë dëgjuar draftet e ekspertëve me rekomandimet e OSBE/ODIHR. Ajo deklaroi se deputetët e opozitës së re nuk do të miratojnë asnjë draft pa ndryshuar sistemin zgjedhor.

“Diskutuam disa gjëra, konstituuam grupin e punës. Janë diskutuar propozimet e përgatitura nga ekspertët në këtë komision që i përkasin sistemit zgjedhor dhe financimit të partive politike por edhe të drejtën e emigrantëve për të votuar jashtë vendit. Të pranishëm dhe ekspertët që draftuan disa nga rekomandimet e OSBE-ODIHR. Ky ishte një draft paraprak për të na prezantuar ne anëtarëve të komisionit disa nga adresimet e OSBE/ODIHR. Do kemi dhe një draft tjetër, që ka propozimin e opozitës së re që kërkon depolitizimin e administratës zgjedhore.
Ky draft prek pjesërisht disa nga gjërat sipërfaqësore të Kodit zgjedhor. Nxit barazinë zgjedhore. Këto nuk prekin çështjen parimore apo thelbësore, siç është marrëveshja e 2008. Qëllimi jonë është të dobësojmë rolin e kryetarëve të partive. Opozita e re po arrin një konkluzion për një sistem proporcional me lista të hapura por presim edhe sugjerime. Ne jemi pro një reformimi zgjedhor”, tha Hajdari.

E pyetur se si do të veprojë opozita e re nëse maxhoranca e voton me 4-5 deputetë të saj, Hajdari tha se është një mënyrë destruktive dhe se opozita nuk do e votojë pa ndryshim sistemi reformën zgjedhore. Ajo foli edhe për bashkëpunimin me opozitën jashtë parlamentare.

“Edhe nëse nuk do të jenë prezent, do i marrim në konsideratë propozimet. Javën tjetër do të kemi të pranishëm shoqërinë civile. Jemi akoma në fazën e diskutimit dhe unë nuk do të miratoj në asnjë moment asgjë as në parim, deri kur të kemi një propozim konkret për ndryshimin e sistemit. Proceset duhet të ecin në mënyrë paralele, nuk duhet të kemi reformë me dy faza. Reforma zgjedhohet duhet të bëhet përpara nëse do të kemi zgjedhje të parakohshme.
Nëse maxhoranca do zgjedhë këtë rrugë, besoj se do jetë një mënyrë destruktive e procesit. Nuk do ishte mirë për shqiptarët.
Grupi parlamentar demokrat është zgjeruar dhe ka anëtarë të rinj. Patjetër që ka mendime të ndryshme brenda një grupi sidomos kur ka edhe anëtarë të rinj që vijnë si rebel nga grupet e tjera. Duhet ta kuptoni që natyra e tyre është e fortë. Por kur vjen puna për sistemin zgjedhor jemi në një mendje.
Sapo përfunduam mbledhjen e grupit dhe u bë konstituimi i të gjithë anëtarëve të rinj. Do bëjmë rregulloren e re. Pas shqyrtimit të kësaj rregulloreje do bëjmë votimet. Por deri tani kam besimin e grupit”, deklaroi Hajdari.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb