“Reforma zgjedhore duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe ndërkombëtarët duhet të jenë të pranishëm në këtë proces”. I këtij mendimi është ish-kryetari I KQZ, Ilirjan Celibashi. Në një intervistë për News24 ai tha se prania e PD në këtë proces është e rëndësishme, po aq sa edhe pjesëmarrja e opozitës parlamentare, për shkak se në fund, ajo ka edhe votat që do të kalojnë këtë reformë në Parlament.

Celibashi thotë se Shqipërisë do t’i duhej një sistem zgjedhor, nga i cili duhet të dalë një qeveri e fortë, për të ndërmarrë reforma të thella, por nga ana tjetër duhet të krijojë edhe një opozitë të fortë, sepse sipas tij, vetëm një opozitë e fortë do mund ta mbajë nën kontroll një qeveri, që të mos bëhet pjesë e aferave korruptive. Ish-Kryetari i KQZ, sistemin zgjedhor të vitit 2001-2005, e shikon si një model që mund të aplikohet përsëri.

Në konferencën e organizuar disa ditë më parë nga OSBE në Tiranë, që kishte kryefjalë “reformën zgjedhore”, PD kërkoi që të krijohej një komision i posaçëm për këtë reformë, e cila të  drejtohet nga ndërkombëtarët dhe të ketë përfaqësues vetëm nga opozita jashtëparlamentare dhe një nga parlamenti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb