TIRANË-Një aksion me qëllim vendosjen e shtetit në binarët e ligjit e cilësoi kryeministri Edi Rama aksionin për prerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë dhe reformat e ndermarra nga qeveria. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e 10-të të Këshillit Ekonomik Kombëtar Rama theksoi se reformat synojnë zhvillimin ekonomik dhe se shumë shpejt do të nënshkruhet traktati për energjinë.


“Jemi në mbledhjen e 10 të këtij këshilli. Ka rezultuar në vazhdimësi një instrument i rëndësishëm i ndërveprimit mes gjithë aktorëve institucional dhe faktorëve me rëndësi të dorës së parë në adresimin çështjeve themelore të ekonomisë dhe në trajtimin kuadrit të reformave tona që synojnë rritjen e ekonomisë, përmirësimin e vazhdueshëm të klimës së biznesit dhe pa dyshim rritjen e punësimit dhe të mirëqenies si rezultat i drejtpërdrjetë në këtë proces”- u shpreh Rama.


Kryeministri theksoi vendosmërinë e qeverisë së tij për të mos bërë asnjë hap prapa, duke çuar deri në fund aksionin kundër vjedhjes së energjisë elektrike. Kryeministri theksoi se nuk do të ketë falje të faturave të papaguara, por pr/ligji do të parashikojë dispozita specifike për ekzekutimin e faturave të energjisë.


“Operacioni kundër hajdutërisë dhe hajdutëve të energjisë në Shqipëri synon të vendosë më ne fund vendosjen në binarët e shtetit modern të raportit me këtë pasuri kolosale të vendit tonë, që në vend që të ishte burim përfitimi dhe mirëqenie për shqiptarët është kthyer në një burim problemesh dhe stresesh të pafundme për Shqipërinë. Për të shkuar përpara me një qasje komplekse dhe për ta kthyer sektorin energjetik në sektorin e prodhimit të një vlere të shtuar të pasurisë dhe mirëqenies së këtij vendi. Pr/ligi nuk parashikon asnjë falje faturash, por përfshin dispozita specifike për ekzekutimin e faturave të energjisë elektrike. Ndaj bindjen se jo vetëm në këtë operacion duhet të jemi të gjithë së bashku pa asnjë dallim, sepse nga ky operacion nuk varet fati i qeverisë apo i një pjese të shoqërisë, por varet fati i vendit tonë dhe çfarë do të jetë Shqipëria pas disa vitesh, por edhe sepse ky operacion është themeli i pazëvendësueshëm për të ngritur gjithë ngrehinën e re të sektorit të energjisë.”- theksoi shefi i qeverisë.

Kryeministri nënvizoi se çdo hajdut i energjisë do dërgohet prapa hekurave dhe asnjeri nuk do tolerohet.

Operacioni është ndërtuar për të kapur çdo hajdut. Nuk kemi asnjë mundësi, asnjë tagër, asnjë mandat që të tolerojmë hajdutët. Mandati ynë i radhës do të vijë vetëm nëse ne do të respektojmë këtë mandat dhe nëse do t’i qëndrojmë detyrimeve që kemi në raport me popullin shqiptar për të bërë shtet.”- theksoi Rama.

Më tej kryeministri vlerësoi mbështetjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. Ai sqaroi se në mbledhjen e sotme do të diskutohet paketa fiskale , projektbuxheti 2015 si dhe projektligji për sektorin e energjisë.

“Publiku nuk ka qenë gjithnjë dëshmitar i këtyre mbledhjeve që kemi preferuar ti bëjmë si mbledhje punë dhe jo si takime mediatike. Nuk kemi munguar të shprehim vlerësimin tonë qoftë ndaj partnerëve, FMN, BB e me radhe institucionet e përfaqësuara qoftë edhe drejtpërdrejtë ndaj sipërmarrjes. Në këtë instancë kemi mundur të diskutojmë me shumë seriozitet dhe mundësinë e ndërveprimit dhe ballafaqimit të këndvështrimeve. Jam mirënjohës Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe Biznes Albania për avancimin e një analize teknike lidhur me paketën fiskale dhe komentet e tyre adresuar, qoftë në tërësi qoftë sipas sektorëve. Parapëlqyem ta ndajmë me publikun këtë pjesë të parë sepse është mbledhja e fundit e vitit dhe sepse flitet për tema madhore të punës së këtij këshilli, të punës së qeverisë, si paketa fiskale, buxheti dhe i fundit projektligji për sektorin e energjisë elektrike që do paraqitet i detajuar nga Ministri i Energjisë dhe do kalojë në rrugën drejt miratimit në parlament. Dua të nënvizoj disa aspekte qoftë të aktivitetit korent të qeverisë dhe synimeve tona sa i përket këtyre aspektet. Shqipëria përgatitet të kalojë një ligj që garanton detyrimin si palë nënshkruese e traktatit të energjisë”- u shpreh Rama.

Kryeministri sqaroi se do të hartohet një mekanizëm për të menaxhuar borxhet e pa mbledhura të qytetarëve që nuk kanë paguar energjinë elektrike në mënyrë që këta të fundit të mos përfundojnë në burg.
“Si mund te kemi më shumë investime të huaja si do i marrin risqet investitorët e huaj në një vend ku vidhet energjia elektrike ku energjia është një nga elementët që cënon drejtpërdrejtë konkurrencën? Kjo është e pa mundur. Kam dëgjuar njerëz që më parë garantoni që sistemi të funksionojë perfekt pastaj mblidhni faturat e papaguara. Si mund të investojmë në sistem nëse nuk mbledhim paratë?

Politikë e qeverisë së shkuar ishte; qeverisim sot jo për të bërë detyrat sot por për të marrë mandatin tjetër. Për të marrë mandatin tjetër u shkelim syrin hajdutëve. Kurrë mos pastë pushtet njeri në këtë vend në këtë formë dhe kurrë mos i ardhtë pushteti nëse çmimi për të marrë pushtetin është t’ia fusim Shqipërisë zjarrin nga poshtë. Jam i vetëdijshëm edhe për faktin që sot ka plot nga ata që nuk e kanë vjedhur energjinë dhe nuk e kanë paguar energjinë për arsye nga më të ndryshmet dhe kanë akumuluar borxhe të mëdha. Duhet një mekanizëm për të ristrukturuar këto borxhe në raport me kompaninë por fjalën falje të kamatave borxheve nuk duhet ta konsiderojmë si opsion sepse kemi bërë një analizë dhe Ministri i Energjisë mund të dëshmojë për këtë. Kemi një program të plotë të rimëkëmbjes së sektorit energjetik. Faljet në të shkuarën të kamatëvonesave kanë sjellë vetëm vjedhje dhe abuzime më shumë dhe rënie të menjëhershme të arkëtimeve. Për këtë arsye do u japim të gjithëve mundësinë e dytë që duan të futen në sistem por mundësia e dytë duhet të jetë e lidhur me gatishmërinë për tu futur në sistem dhe me pagesën e pjesë që u takon. Shumë shpejt ministri do bëjë publik mekanizmin dhe bashkë do garantojmë që kompania të veprojë ashtu si duhet”- u shpreh Rama.

“Jemi të vetëdijshëm edhe për mangësitë e kompanisë. kompania ka bërë progres të konsiderueshëm në aspektin e tërheqjes së litarëve. Shërbimi ndaj klientit le shumë për të dëshiruar. Askush që ka punuar një muaj nuk mund të pretendoj që gjithçka kthehet s hap e mbyll sytë nga një katrahurë në një shërbim normal. Ne do marrim përsipër si përgjegjësi nga ana e shteti jo si politike bamirësie se nuk ka të drejtë njeri të bëj bamirësi me paratë e shtetit. Është përgjegjësi jo falje. Për lehtësimin e shlyerjes së borxheve”-theksoi Rama.

 

PAKETA FISKALE
Sa i përket paketës fiskale dhe rritjes së taksave kryeministri theksoi se janë rritur vetëm tre taksa.
“ Sa i përket paketës fiskale kam dëgjuar me vëmendje kritikat dhe sugjerimet dashamirëse dhe jo dashamirëse. Dashamirëse konsideroj ato që vijnë nga sipërmarrja. Ju siguroj që në këtë qeveri i kemi të gjitha kapacitetet të bëjmë maksimumin por nuk kemi mundësi të shkojmë përtej maksimumit. Për shkak të 20 viteve ecje qorrazi maksimumi është i përcaktuar. Përpjekja për të ikur përtej maksimumit për të bërë një superfuqi energjetike na solli aty ku e gjetëm vendin. Sipërmarrja nuk duhet ta harrojë që është e para qeveri që respekton detyrimet ndaj sipërmarrjes. 720 milionë dollarë që i gjetëm si plaçkë të lënë në derë nuk thamë çne këtu, jo nuk është e jona por e morëm dhe do ja paguajmë sipërmarrjes.

Kemi disbursuar rreth 260 milionë dollarë. Ekipi vëzhgues i FMN ka dalë në konkluzionin që kjo është bërën ë mënyrë transparente jo klienteliste. Nuk jemi këtu për të bërë rrush e kumbulla të ardhmen.

Pjesa e mbetur e rrugës së Elbasanit është dashur të bëhet projekti nga e para sepse u shfaqën rrëshqitjet. Kompani tha nuk kishim mundësi të hapnim gojën. Rrugën kryesore që hyn në kryeqytet e kishin bërë si shteg dhish me katër rrota. Dëgjoj rritje taksash rritje taksash. Çfarë taksash kemi rritur?
Kemi rritur tre taksa që nuk afektojnë në asnjë sens qasjen tonë dhe çfarë ne u kemi thënë njerëzve. Kemi rritur me 10 lekë taksën e qarkullimit tek nafta, gjë që e bëmë edhe vjet. Kur e bëmë një vit më parë, u hodhën të gjithë se do të rritet çmimi i bukës, makinat nuk do të dalin më në rrugë, do na hanë minjtë, ku jemi? Nga kjo taksë 10 lekë qytetarët nuk do të ndjejnë asgjë, e as ekonomia. Ndërkohë, do të ulemi me distributorët e naftës, lidhur me raportin e çmimit këtu dhe naftës në rajon, por kjo s’ka të bëjë me taksën.”- u shpreh Rama.

 

Duhani

E dyta, akciza e duhanit, është e hapur që ne jemi kundër duhanit. Nuk e konsiderojnë rëndim, por lehtësim të konsumatorit. Dihet botërisht se si shkon kjo punë në të gjithë historikun e raporteve çmim dhe duhan.

 

 

Depozitat

Tek depozitat, kemi 9 miliardë depozita. Ne duam t’i stimulojmë këto, por nuk jemi duke prekur as mësuesit e as infermierët, e as kënd nga e gjithë ajo makth e 97 për qind të shqiptarëve që përfituan nga taksa e sheshtë në kalimin e taksës së ndershme. Do të bëjmë në parlament një prezantim se sa lehtësohet me taksat. Nuk ju kemi gënjyer.

 

 

Sipas kryeministrit, paketa e re fiskale parashikon zerimin e 15 taksave të lidhura drejtpërdrejt me prodhimin. Shefi i qeverisë shprehu bindjen se mazhoranca do të mbajë premtimin për hapjen e 300 mijë vendeve të reja të punës, duke bërë të ditur se deri tani janë hapur 81 mijë vende pune.

 

“81 mijë vende pune janë hapur sipas standardeve europiane, nuk punojnë në të zezë por në të bardhë. Është një shifër tërësisht e verifikueshme, sepse është borderoja e shtetit shqiptar. Kur kemi folur për 300 mijë vende pune kemi ditur çfarë flasim, kemi thënë se bëhet fjalë për vende pune sipas konceptit evropian. Besoj edhe më shumë sot se dje se do ta realizojmë”- deklaroi Rama.


(er.nu/a.n/BalkanWeb)

Etiketa: