Udhëheqësit e Bashkimit Evropian prezantuan të mërkurën planet më gjithëpërfshirëse deri sot për të luftuar ndryshimin e klimës, me një objektiv të ri që deri në vitin 2030 të ulin sasinë e çliruar të karbonit në 55%, nën nivelet e vitit 1990.
Legjislacioni i njoftuar nga Komisioni Evropian, do ta bëjë synimin e bllokut për të arritur neutralitetin e klimës deri në vitin 2050 ligjërisht të detyrueshëm dhe do ta reformojë plotësisht sistemin e energjisë të bllokut.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha gjatë një konference shtypi se plani do të shërbejë si një udhërrëfyes veprimesh konkrete të nevojshme për të arritur synimet për klimën.
“Paketa jonë synon të kombinojë uljen e sasisë së çlirimit të gazeve të dëmshme me masat për të ruajtur natyrën dhe për të vënë vendet e punës dhe ekuilibrin social në qendër të këtij transformimi,” tha zonja von der Leyen.
Propozimi do të përfshinte çdo sektor të ekonomisë së BE-së në Sistemin e Këmbimit për Çlirimin e Gazeve, që nxit kompanitë të ulin emetimet duke taksuar karbonin që ato prodhojnë.
Taksa të reja për sektorët e papërfshirë më parë janë propozuar për aviacionin dhe karburantet e transportit. Plani bën thirrje gjithashtu për rritjen e taksave ekzistuese të karbonit në sektorët e transportit, prodhimit dhe energjisë.
Një nga aspektet më të rëndësishme të paketës është një taksë e re mbi karbonin e prodhuar nga importet e huaja, e cila nga ana tjetër mund të rrisë çmimet për konsumatorët. Kjo taksë kufitare – e njohur zyrtarisht si mekanizmi i rregullimit të karbonit në kufirit – do të siguronte që BE-ja ta reduktojë çlirimin e gazeve në të gjitha vendet anëtare dhe të mbronte kompanitë vendase kundër konkurrencës së çmimeve nga kompanitë e huaja pa të njëjtat kufizime mjedisore.
Në prill, zyrtarët e lartë të mjedisit nga Kina, India, Afrika e Jugut dhe Brazili u shprehën kundër një takse të tillë, duke thënë se do të ishte diskriminuese ndaj vendeve në zhvillim që nuk kanë burime për t’u përqendruar në uljen e emetimeve.
Komisioni gjithashtu po planifikon të heqë dorë plotësisht nga shitja e makinave me motor me djegie deri në vitin 2035, duke e çuar efektivisht në zero sasinë e gazeve të çliruar nga makinat e reja.
Propozime të tjera përfshijnë kalimin e miliona ndërtesave në BE tek furnizimi me energji të ripërtëritshme deri në vitin 2030 përmes rinovimit dhe zbatimit të një takse karboni në transportin rrugor.
“Çlirimi i dioksidit të karbonit duhet të ketë një çmim dhe ne e dimë që çmimi i karbonit funksionon,” tha zonja von der Leyen.
Komisioni e vuri theksin tek një tranzicion drejt energjisë së rinovueshme në mënyrë të drejtë dhe të arritshme për të gjithë, veçanërisht për individët me të ardhura të ulëta dhe vendet anëtare, ekonomitë e të cilave varen më shumë nga industritë që shkaktojnë ndotje.
Taksat e mjedisit për individët kanë shkaktuar polemika në të kaluarën, siç për shembull protestat e jelekëve të verdhë kundër rritjes së taksave të karburantit nga qeveria franceze.
Meqenëse çmimet e energjisë pritet të rriten, komisioni propozoi krijimin e një fondi prej $ 85.2 miliardësh që qytetarët e vendeve anëtare mund të kenë qasje për të ndihmuar në zbutjen e kostove të kalimit në alternativa të pastra.
Plani i komisionit vjen gjashtë vjet pasi Marrëveshja Klimatike e Parisit sinjalizoi në vitin 2015 një angazhim botëror për të zbutur ndikimin e ndryshimit të klimës dhe për të frenuar ngritjen e temperaturave globale./VOA/