Kryeministri i vendit Edi Rama, ishte prezent sot në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Akademinë e Shkencave.

Rama tha se me reformimin e Akademisë së Shkencave po shihet dritë në fund të tunelit por ka ende shumë punë për të bërë.

“Sot jemi në një fazë që mund të shohim dritë në fund të tunelit përsa i përket reformimit të Akademisë së Shkencave. Më vjen mirë që sot që flasim jemi përballë një pune të kryer me zell e përgjegjësi nga grupi i ngritur për të propozuar këtë reformë nën drejtimin e Skënder Gjinushit.

Duhet të falenderojmë edhe profesor Artan Fugën për kontributin e tij, por të vazhdojmë përpara pa u ndalur asnjë sekondë e të vazhdojmë me grupin e punës. Por ne e kemi parë të arsyeshme të ndalim një sekondë dhe të ballafaqojmë alternativat. Pasi mbase në platformën e Fugës ka gjëra për t’u marrë në konsideratë. E shoh me shumë rëndësi që në fund asnjë të mos paragjykojë rezultatin e të mos ketë një ndarje për shkak se njëra platformë pati mbështetjen e qeverisë e tjera erdhi në formë rebelimi ndaj saj. Nga kjo fiton vetëm procesi, akademia që duam për nesër

Ajo që na duhet është t’i konsolidojmë në kornizën që më pas do i shkojë Kuvendit të Shqipërisë për të kthyer në ligj draftin e Reformës që në rastin e akademisë së shkencave nuk mund të jetë i imponuar nga lart por është domosdoshmëri që të vijë si një ndërveprim mes akademisë së brëndshmi dhe pastaj parlamentit. Çka është inkurajuese është se në grupin e punës është se ka elementë të kërkuar prej kohësh, që përbëjnë gur themeli për ecurinë e akademisë në të ardhmen” ,” tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se Shqipëria është e fundit në rajon në aksesin e fondeve europiane për kërkim shkencor.

Sipas tij kjo nuk vjen vetëm për shkak të mungesës së parave por më së shumti si pasojë e mungesës së dijeve.

“Shqipëria është e fundit në rajon në aksesin, në fondet europiane për kërkimin shkencor. Serbia ka fituar 90% të projekteve që ka çuar për aplikim, Maqedonia 80% ndërkohë që Shqipëria vetëm 4.5%. Dakort paraja është një bazë pa të cilën s’bëhet puna, por nga ana tjetër aksesi në fonde nuk garantohet me para, por me dije, dhe në këtë aspekt duhet bërë ndryshimi i madh për të krijuar mundëis që në rrugët e njohjes Shqipëria të ketë më shumë kapacitete thithëse që janë të pakrahasushme për nga sasia me vendet e tjera të rajonit. Vendet më të pasura janë ato që thithin më shumë fonde, se dinë më shumë. Vendet e varfra dinë më pak. Diferenca është te ajo që di jo te ajo që ke,” u shpreh Rama.

e.f/BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb