40.000 refugjatë nga Greqia dhe Italia, si edhe 20.000 tjerë nga kampet në Afrikën veriore do të duhej të shpërndaheshin në BE. Por takimi i ministrave të Brendshëm ishte larg këtij qëllimi.

Raundi i dytë i bisedimeve të ministrave të Brendshëm të BE-së solli vërtet premtimin për pranimin e 22.504 refugjatëve të tjerë në zbatim të programit të BE-së për rishpërndarjen e refugjatëve nga kampet në kufirin sirian. Por premtimet lidhen edhe me faktin që vende jo anëtare të BE-së si Norvegjia apo Zvicra janë bërë pjesë e programit të riakomodimit. Për zhvendosjen e refugjatëve nga Italia dhe Greqia, ku vijnë gati gjysma e refugjatëve pati vetëm premtimin për 32.256 refugjatë, një numër shumë më i vogël se sa kërkohet. Krerët e politikës europiane kishin kërkuar shpërndarjen e 40.000 nga Italia e Greqia dhe 20.000 nga kampet në vendet e Afrikës veriore. Por si gjithmonë kur vjen puna tek politika e refugjatëve në Europë merr fund solidariteti.

Disa vende ende u rrinë larg refugjatëve
“Nuk ishte e lehtë, ishin bisedime të vështira”, u shpreh komisioneri i BE-së për refugjatët, Dimitris Avramopolous. Por as ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn një politikan me shumë përvojë nuk ia doli t’u merrte më shumë premtime kolegëve europianë. “Disa shifra ishin zhgënjyese, të tjera për të ardhur turp”, tha ai duke iu referuar kështu bllokuesve në BE. Këtu nuk bën pjesë vetëm Britania e Madhe dhe Danimarka që nuk harrojnë ta vënë në përdorim të drejtën e përjashtimit. Por edhe Austria dhe Hungaria mendojnë se janë të rënduara mjaft me këtë temë dhe nuk duan të marrin pjesë në programin e rishpërndarjes. Përveç kësaj edhe Bullgaria, Spanja dhe Portugalia janë ende shumë larg limiteve të vëna për to. Si një rreze shprese, Asselborn përmendi Irlandën e vogël, një vend që pranon vetë refugjatë, megjithëse nuk është e detyruar për këtë.

Gjermania do të marrë pjesë në këtë program me 12.100 vende. “Disa lindje të vështira zgjasin”, tha Sekretarja e Shtetit në Ministrinë e Brendshme, Emily Haber pas takimit. Në fund të vitit këshilli i ministrave të Brendshëm do të mblidhet sërish për të gjetur vendet për 8.000 refugjatë që ndodhen në Europën jugore.

Vullnetarizmi nuk funksionon
Komisionieri i BE-së Avramopoulus pranoi se është i zhgënjyer. Rezultati tregon se sa e vështirë është që të jetësosh një program mbi baza vullnetare”, tha ai. Komisioni Europian kishte propozuar fillimisht një kuotë fikse për secilin vend, por kjo u refuzua nga vendet anëtare. Tani Komisioni do të bëjë në vjeshtë një propozim të ri, “një sistem urgjence për pranimin e refugjatëve”, për të lehtësuar vende si Italia apo Greqia. Komisioneri Avramopoulos vlerëson si pozitiv faktin që rishpërndarja e refugjatëve të parë me programin e ri BE-së do të fillojë në tetor.

Një rezultat tjetër konkret: Me krijimin e të ashtuquajturave “Hotspots” do të fillohet shpejt. Në këto “hotspots” duhet të regjistrohen të gjithë refugjatët që vijnë në Itali dhe Greqi, do të përpunohen kërkesat për azil dhe do të bëhet një vlerësim i parë. Autoritetet lokale do të ndihmohen nga ekspertë të Frontex-i dhe Europolit. Komisioni Europian do të vërë në dispozicion fonde të reja për rikthimin e refugjatëve që nuk kanë asnjë shans për njohjen e azilit.

Kritika për takimin
“Është turp që ata nuk ia dalin të shpërndajnë një numër kaq të vogël”, komenton eurodeputetja e të Gjelbërve, Ska Keller rezultatin e bisedimeve. Do të kishte qenë një gjest solidariteti, së paku t’u ndihmohej kaq pak refugjatëve. “Këta 60.000 vetë do të kishin shenjuar një fillim të ri në politikën europiane për azilin”, por faktin që kjo nuk arrit, Ska Keller e sheh si goditje për Komisionin Europian që u përpoq për këtë fillim të ri. Ky rezultat tregon se nuk arrihet gjë me kuotat mbi baza vullnetare.

AI: BE të pranojë 100.000 refugjatë
Edhe Gauri van Gulik nga Amnesty International e kritikon takimin e ministrave të Brendshëm. “Edhe sikur ata të kishin arritur një shifër më të madhe – rezultati është për të vajtuar.” Sipas van Gulik pas kaq bisedimesh dhe në kontekstin e krizës, ajo që bëhet është shumë pak. “Ky është një problem i madh dhe ne kemi nevojë për zgjidhje të mëdha”, thotë ajo. AI kërkon një zgjidhje me tre hapa: Së pari duhen krijuar mundësi legale dhe të sigurta për të hyrë në Europë, vendet në kufijtë e BE-së kanë nevojë për më shumë mbështetje. Krahas kësaj refugjatët duhet të kenë të drejtën e lëvizjes së lirë brenda BE-së pas njohjes së azilit. Me këtë do të zgjidheshin shumë probleme, si për shembull ato në kufirin francezo-italian. Amnesty International kritikon ashpër Hungainë që kërkon të mbyllë kufijtë për të mos lejuar refugjatë të tjerë në vend. Van Gulik sheh si të nevojshme pranimin e 100.000 vetëve në BE, por vetë BE është shumë shumë larg kësaj shifre.

(m.k/Deutche Welle/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: