Nga Zeid Ra’ad Al Hussein* Më herët këtë pranverë, shkova me makinë në një pikë të bukur në bregun jugor të liqenit Gjenevë. Destinacioni im ishte hotel Royale në Evian-les-Bains. Atje ishte vendi ku në korrik 1938, 32 vende u takuan për një diskutim të turpshëm që është sfumuar virtualisht nga kujtesa jonë. Të mbledhur nga presidenti amerikan Franklin D. Roosevelt në përgjigje të krizës masive të refugjatëve të shkaktuar nga anti-semitizmi i fortë i Hitlerit, konferenca Evian ishte një katastrofë. Dhe rezultati i saj shkatërrimtar duhet të kujtohet në agim të krizës aktuale të migrimit të Europës. Konferenca Evian supozohej të zgjidhte gjendjen e vështirë të qindra mijëra gjermanëve dhe hebrenjve austriakë që ishin të dëshpëruar për t’u larguar.

Roosevelt besonte se vetëm një zgjidhje e përbashkët do të zgjidhte sfidën. Hitleri, gjithashtu shpresonte se shtete të tjera do ta pranonin. Në një fjalim në Konigsberg atë mars, ai bëri shaka: “Mundem vetëm të shpresoj dhe të pres që bota tjetër që ndjeu simpati të thellë për këta kriminelë do të jetë mjaftueshëm bujare për të transformuar këtë mëshirë në ndihmë praktike. Për sa më takon mua, ne jemi gati të vendosim anijet tona luksoze në dispozicion të atyre shteteve për transportim të atyre kriminelëve”. Ai kishte filluar tashmë të dëbonte hebrenjtë, edhe duke i hipur me dhunë në anije për t’i çuar në destinacione të ndryshme në Mesdhe ose kudo në Atlantik. Por, nëpër Europë, refugjatët u përballën me refuzim. Më 6 qershor 1938, teksa përgatitjet për konferencën po zhvilloheshin, Departamenti Amerikan i Shtetit mori një letër në lidhje me 51 refugjatë hebrenj austriakë të ngecur në një varkë të vogël në ujërat ndërkombëtarë të Danubit. Dërguesi kujtonte të kishte parë: “fatin dëshpërues të 51 qenieve njerëzore të drejtuar nga një kufi në tjetrin. Ne të gjithë morëm dijeni për mjerimin e pafjalë që ka rënë padrejtësisht mbi 100,000 banorë të Austrisë”. Megjithatë në Evian në muajin e ardhshëm, ndonëse delegacionet europiane shprehën llahtari nga tortura e përjetuar prej hebrenjve në Gjermani dhe Austri, ata ishin të papërgatitur për të marrë veprim konkret. Rezultati i takimit ishte i qartë: Europa, Amerika e Veriut dhe Australia nuk do të pranonin sasinë e konsiderueshme të këtyre refugjatëve.

Tekstualisht, dy fjalë u thanë në mënyrë të përsëritur: ‘densitet’ dhe ‘intensitet’. Shtetet evropiane ishin tashmë të mbytura me ‘densitet’ popullate dhe kishin arritur një pikë të ‘intensitetit’ – me fjalë të tjera, nuk kishte vend për më shumë të ardhur. Ishte një gjë absurde për t’u thënë sigurisht, në 1938, duke pasur parasysh popullatat e Europës sot. Dhe do të ishte po aq qesharake të thuhej gjithashtu edhe sot. Pjesëmarrësit në Evian nuk e kishin parashikuar Holokaustin ose që Europa po shkonte drejt një lufte tjetër shkatërrimtare; megjithatë, mungesa e tyre e vetëdijes morale ishte befasuese. Shumë shtete që refuzuan të pranojnë refugjatët në vuajtje ishin njëkohësisht të pushtuara dhe brutalizuara nga Nazizmi – dhe të dëshpëruara për kujdesin që ato i mohuan hebrenjve në korrik 1938. Nazistët duhet të kenë ndjerë se anti¬semitizmi i tyre i fuqishëm kishte gjetur një jehonë – ndonjëherë jo aq të vakët – në pjesën tjetër të Europës. Ata kuptuan se nëse dëbimi nuk ishte i mundur, çrrënjosja do të ishte me kalimin e kohës. Sot, anti¬semitizmi, islamofobia, racizmi, ksenofobia dhe ndjenjat anti¬emigrant po ngrihen edhe një herë nëpër Europë dhe duhet të ndalojmë dhe të rivlerësojmë se ku jemi. Një gazetë britanike e madhe së fundmi e ndjeu të pranueshme të lejonte një nga opinionistët e vet t’i quante imigrantët “buburreca”. Radio Televizioni Libre des Mille Collines i Ruandës përdori të njëjtën fjalë për të përshkruar tutsit në fillim të gjenocidit të 1994, siç bëri gazeta naziste e Julius Streicher’s Der Stürmer me hebrenjtë.

Liderët politikë kudo në Europë rregullisht – për të ardhur turp – i fajësojnë migrantët për problemet e tyre kombëtare. Sulmi ndaj migrantëve dhe minoriteteve është i papranueshëm kudo. Kur fjalët formulohen me qëllim të dukshëm për të shkaktuar dëm dhe dhunë në aspektin kombëtar, racial ose fetar, liria e fjalës bëhet nxitje për urrejtje, që është e ndaluar me ligj. Shtetet që kanë ratifikuar Konventën Ndërkombëtare të të Drejtave Civile dhe Politike, që përfshinë të gjithë shtetet e Bashkimit Europian e kanë për detyrë t’i përmbahen asaj. Por gjithsesi propozimet aktuale të Europës mbi emigracionin lënë shumë për të dëshiruar. Kontinenti ka nevojë të rikujtojë të shkuarën më me ndjeshmëri dhe të bëhet më bujar me njerëzit e dëshpëruar që kalojnë Mesdheun. François Crépeau, raportuesi special i Kombeve të Bashkuara mbi të drejtat njerëzore të emigrantëve, vëzhgoi në një intervistë të fundit se Europa, Australia dhe Kanadaja munden të risistemojnë me lehtësi një milion refugjatët sirianë për pesë vitet e ardhshme dhe mund të shtojnë eritreanët në atë listë dhe ta zgjasin këtë politikë në shtatë vjet.

Ndaj, pse po propozon Europa të pranojë për risistemim një shifër të vogël prej 20,000-40,000 njerëzish në vit? Politikanit europian që kundërshtoi me forcë emigrimin, unë i sugjeroj që herën tjetër që do të vizitohet në spital, të hedhë një sy përreth: shumë prej njerëzve që kujdesen për ty kanë një histori emigranti. Ti duhet të shuash etjen me ujin e famshëm të sjellë prej Evian-les-Bains dhe mund të reflektosh mbi dështimin pa kushte të një konference që mund të kishte shpëtuar shumë jetë njerëzish dhe në atë që mund të mësojmë sot prej saj.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: