TIRANE– Deputeti i LSI, Përparim Spahiu ka reaguar pas vendimit të Komisionit të Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë për të votuar kundër statusit të minatorit. Spahiu thotë se ky vendim është kundra interesave të minatorëve dhe ish-minatorëve. Ai thotë se mazhorancës nuk i bëhet vonë për minatorët, por ka edhe një shans pasi nisma do jetë me patjetër në seancën plenare.
Fjala e plotë:
Para pak minutash shumica e Rilindjes në Komisionin e Çështjeve sociale dhe shëndetësisë votoi kundra statusit të minatorit propozuar nga unë dhe grupi parlamentar i LSI ku me votë mori dhe mbështetjen e PD.
Ky votim është absolutisht kundra interesave të minatorëve dhe ish-minatorëve që e prisnin atë me padurim dhe për fat të keq u votua kundër politikisht.
Kjo nismë është e ndërmarrë nga unë që nga marsi 2017 dhe rikthyer në shtator pasi në atë periudhë nuk pati as vëmendje dhe as interes për ta diskutuar.
Nisma, i’u bë e qartë dhe qeverisë dhe komisionit, është vetëm për qëllimin që minatorët të gëzojnë statusin e munguar për ta.
Pra unë kërkova me këtë status të vendosej drejtësi sociale të asaj kategorie që i ka dhënë ekonomisë kombëtare aq shumë madje dhe jetën.
Rilindja këtë e quajti shkelje të Kushtetutës.
Para syve të gjithë shqiptarëve shohim hipokrizinë dhe demagogjinë e kësaj mazhorance.
Politizimi ë këtij projektligji nga Rilindja është provë e qartë se Qeverisë nuk iu bëhet vonë për të sakrifikuarit dhe ata që bëjnë punë të vështirësive ekstreme siç janë minatorët.
Mazhoranca ka dhe një shans tjetër pasi nisma do të jetë për diskutim në seancën plenare, iu bëj thirrje të gjithë deputetëve të votojnë pro këtij statusi.
(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: