Nga: JETON SELIMI*
TIRANE – Granit Xhaka është kthyer nga djaloshi i adhuruar, në lojtarin më të urryer në pak ditë. Mesfushori me orgjinë nga Prishtina, që i është bashkuar së fundmi Arsenalit, ka refuzuar thirrjen e Albert Bunjakit për të përfaqësuar Kosovën, duke i qëndruar besnik vendit që e zhvilloi si lojtar, Zvicrës, por kjo nuk është pritur aspak mirë në vendlindjen e tij.

Xhaka është kthyer në tabelë qitjeje nga shqiptarët e Kosovës, të cilët nuk arrijnë të kuptojnë sesi mundet vallë që një djalë si ai të refuzojë të përfaqësojë vendlindjen, aq më tepër kur dihet lidhja e fortë e familjes Xhaka me Kosovën.

Mesfushori i Arsenalit ka postuar një foto ku është buzagaz me disa fëmijë londinezë, tifozë të skuadrës së ‘topçinjve’, menjëherë pasi ata arritën të thyejnë Uatfordin në kampionat. Mesazhet kanë qenë të pafundme, disa edhe me mllef e pa etikë, por thelbi i të gjithëve ishte zhgënjimi i tyre për vendimin e një prej lojtarëve që nuk do të besonin kurrë se do t’u kthente shpinën.

“Ti i bëre këta fëmijë të lumtur, por a e bëre vendlindjen tënde të lumtur ndonjëherë? Ti e le Kosovën duke të pritur non-stop, duke t’u lutur, krejt shpresat i patëm te ti që ke vendosur që të mos kthehesh të luash për vendlindjen tënde. Ti vendose prapë famën para vendlindjes. E di që s’do të të bëhet vonë se po të shkruaj, po kqyrma foton e profilit, kqyre ku jam në foto. Ai që është në varr është daja im, i cili e ka dhënë jetën për këtë Kosovë që t’i e refuzove, duhet me t’ardh marre prej krejt dëshmorëve, prej gjakut të tyre. Në mbyllje dhe diçka, milionat do t’i kesh në euro, po nuk do t’i kesh 10 milionë shqiptarë në krah që deri tani i ke pasur. Nuk e përfaqësove vendlindjen, t’lutem mos thuaj më që je shqiptar i Kosovës. Kosova ka pas, ka, edhe ka me pas trima që nuk e harrojnë vendlindjen e tyre. Zoti ta faltë tradhtinë, se na kurrë s’kemi me ta fal”, shkruan Rinor Kryeziu, një nga tifozët e shumtë që i janë kundërvënë Granit Xhakës në “Facebook”.

Refuzimi i Xhakës pasoi disa refuzime të tjera, siç ishte ai i Valon Behramit apo Xherdan Shaqirit, ndërsa drejt Kosovës kanë vendosur të shkojnë shumë elementë që deri dje përfaqësonin Shqipërinë, teksa shumë pak të tjerë nga Europa i janë përgjigjur thirrjes së Albert Bunjakit, trajnerit të bluve me yje të verdhë.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: