Përmbysja e regjimit mbi 50 vjeçar të familjes Assad në Siri pritet të ketë ndikim të madh në gjithë rajonin e Lindjes së mesme. Ndërsa sirianët po festojnë rrëzimin e tij, bota po ndjek me vëmendje zhvillimet që do të pasojnë në këtë vend të përbërë nga sekte dhe grupe të ndryshme etnike, ku secila mbështetet nga një fuqi rajonale. Ndër ndikimet e para të këtij zhvillimi është goditje e fuqishme që iu dha ndikimit të Iranit dhe Rusisë në Lindjen e Mesme.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës nga Amani i Jordanisë, Arianit Shehu, Drejtor i Lartë për Lindjen e Mesme, në Institutin Demokratik Kombëtar (NDI), flet rreth asaj se çka pritet të ndodhë në rajon. Zoti Shehu thotë se aktualisht në Siri paraqetet mundësi e artë për një tranzicion të qetë drejt një demokracie funksionale. Por që kjo të arrihet sipas tij, kusht i domosdoshëm do të ishte përfshirja e të gjitha pakicave dhe grupeve të ndryshme etnike e fetare.
Zëri i Amerikës: Ju keni mbi një dekadë që punoni në Lindjen e Mesme, në mënyrë specifike në Siri gjatë dekadës së fundit të luftës civile atje. Zhvillimet e fundit në Siri, në veçanti përparimi i shpejtë i kryengritësve dhe rrëzimi i Bashar Al Assadit brenda disa ditëve befasoi në fakt të gjitha vendet perëndimore. Si e shpjegoni këtë rrjedhë të ngjarjeve?
Arianit Shehu: Sa për saktësi dhe për informim të drejtë të shikuesve, së pari unë kam më shumë se 20 vjet në Lindje të Mesme që menaxhoj programet e qeverisë amerikane për demokraci. Saktë, që lufta ndaj ISIS-it ka qenë një ndër prioritetet kryesore të programeve që menaxhoj, mirëpo gjithashtu kemi punuar shumë me konsolidimin e opozitës siriane, kemi punuar shumë me mirëqenien e qytetarëve, aq sa ka qenë e mundur brenda në Siri, për sigurimin e furnizimit me ujë, furnizime me ushqime, përkrahjen e helmetave të bardha në punën e tyre fisnike që kanë bërë gjatë kësaj dekade.
Rrëzimi i Bashar al Assadit ka qenë ndoshta pak i befasueshëm në brishtësinë e tij, por jo në rrëzimin e vetë regjimit të Assadit. Ka qenë e domosdoshme dhe ka qenë e pritshme që do të vinte dita që Bashar al Assadi do të binte (nga pushteti). Regjimi i Bashar Al Assadit duhet të ishte ndërruar apo rrëzuar para 10 viteve. Mirëpo siç e dini dhe siç e cekët edhe ju, me përkrahjen e Iranit dhe të Rusisë atij iu mundësua që të vazhdojë që të qëndrojë dhe të vazhdojë terrorin e vet ndaj qytetarëve sirianë.
Zëri i Amerikës: Aktualisht vendet e rajonit dhe ato perëndimore po bëjnë thirrje për një tranzicion të pushtetit në Siri. Ju e thatë, jeni angazhuar me opozitën siriane në pritje të këtij momenti. Si mendoni se do të dukej ky tranzicion, duke patur parasysh që Siria ka një shumëllojshmëri grupesh etnike dhe fetare e secili prej tyre është i lidhur me një aktor të fuqishëm rajonal?
Arianit Shehu: Siria për momentin paraqet një shans të artë të një tranzicioni të qetë drejt një demokracie funksionale. Inkluziviteti dhe përfshirja e të gjitha pakicave dhe grupeve të ndryshme etnike dhe religjoze, është kusht i domosdoshëm për të cilën jemi duke punuar shumë intensivisht gjatë këtyre ditëve. Gjithashtu, përfaqësimi i drejtë i grave, i të rinjve, i fiseve të ndryshme suni që jetojnë nëpër qytete të tjera të Sirisë, do të jetë i domosdoshëm për një qeveri të qëndrueshme, si dhe për siguri e paqe brenda Sirisë.
Zëri i Amerikës: Në 14 muajt e fundit që nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor, bota ka qenë dëshmitare e konflikteve në Lindjen e Mesme që kanë përfshirë aktorët botërorë. Me zhvillimet në Siri, ndikimi i Rusisë dhe Iranit po zbehet. Çfarë do të thotë kjo për Lindjen e Mesme? Kjo që po shohim, a është një vazhdimësi, e pranverës arabe, apo një paralajmërim për një përshkallëzim të mëtejshëm në këtë rajon?
Arianit Shehu: Po mund të jenë të dyja. Do të varet nga populli sirian. Do të varet nga udhëheqja siriane. Do të varet nga grupet militante që tani janë prezente dhe kanë fuqi në pjesë të ndryshme të Sirisë, si atë të SDF-së në Sirinë Lindore, po ashtu edhe atë të HTS-së dhe grupeve të tjera të Armatës së Lirë Siriane në pjesën perëndimore. Do të varet nga sirianët vetë. Sirianët do ta zgjedhin. Shpresojmë që do të jetë tranzicion shumë më domethënës dhe shumë më i qetë, se zhvillimet që kemi parë në Libi, në Egjipt, në Algjeri dhe në Tunizi. Siria ka një moment të jashtëzakonshëm që t’i ofrojë qytetarëve të vet, paqe dhe siguri. T’i ofrojë qytetarëve të vet një rrugë drejt demokratizimit të shoqërisë dhe t’i ofrojë rajonit një mundësi të reformës të qëllimshme dhe të plotkuptimtë drejt demokratizimit. Ne e shohim këtë moment edhe si një moment ndoshta të përkrahjes së forcave demokratike brenda Iranit, që edhe ato të gjejnë guximin, të gjejnë mënyrën, të gjejnë forcën që edhe ai regjim autokratik, diktatorial në Iran, të zëvendësohet me një demokraci plotkuptimtë.
Zëri i Amerikës: Zoti Shehu, a prisni ju një angazhim të Shteteve të Bashkuara, ose më saktë, a duhet të ketë një angazhim të Shteteve të Bashkuara, duke patur parasysh që administrata e ardhshme ka dhënë sinjale se nuk do të dëshironte të përfshihej në Siri?
Arianit Shehu: Duhet të definohet deklarata dhe të shohim pasi kjo administratë të marrë mandatin, duhet të definohet çfarë duhet të thotë ky mosangazhim. A është mosangazhim ushtarak, mosangazhim me trupa? Unë jam duke punuar këto ditë në takime të shumta me zyrtarë shumë të lartë të qeverisë amerikane, mbi opsionet e angazhimit dhe në bazë të resurseve dhe të interesave politike dhe të interesit kombëtar të qeverisë amerikane. Jemi duke punuar, gjithashtu kemi kontakte me pjesëtarë të administratës së re, në informimin e tyre për gjendjen aktuale në Siri, mbi rëndësinë që të vazhdohet të përkrahet demokratizimi i Sirisë, jo vetëm për të rritur mirëqenien e 22 milionë sirianëve, por gjithashtu për sigurinë dhe paqen në rajon dhe në botë. E përmendët edhe më herët edhe vetë, Siria dhe rajoni mundet shumë lehtë të shndërrohet në territor të përshtatshëm të ringjalljes së grupeve shumë të fuqishme ekstremiste, siç e kemi parë ISIS-in gjatë dekadës së fundit.
Zëri i Amerikës: Zoti Shehu, cilat janë përgjegjësitë e organizatës tuaj, si një organizatë që cila mbështet proceset demokratike në vendet në trazicion, në këtë kontekst të ri të krijuar tashmë?
Arianit Shehu: Në rajon jemi prej një kohe shumë të gjatë, pra më shumë se 30 vite. Kemi qenë pjesë e shumë proceseve. Jemi pjesë e implementimit të rezolutës 2254 që është në lidhje me procesin e paqes në Siri. Njohim të gjithë aktorët në rajon. Kemi marrëdhënie shumë të mira me të gjitha forcat progresive në rajon dhe të diasporës, që janë të përfshira në proceset jo vetëm në Siri, por edhe në rajon. Kemi burime të mjaftueshme që të vazhdojmë angazhimin tonë, si në minimizimin e rrezikut nga rishfaqja e grupeve terroriste dhe grupeve që e përdorin dhunën si mjet politik, por gjithashtu edhe në përkrahjen e qytetarëve të Sirisë dhe në rajon për përmbushjen e vizionit dhe aspiratave të tyre për paqe, siguri dhe demokraci./Voa/