Regjisori serb, Emir Kusturica, u emërua këshilltar i anëtarit serb të Presidencës së Bosnjës, Millorad Dodik. Njoftimi nuk sqaroi se cilat do të jenë detyrat e Kusturicës, 64 vjeç.


Kusturica, i lindur në Sarajevë, është mik i afërt i Dodikut, nacionalist serb. Të dy ata shprehin mbështetje për presidentin rus, Vladimir Putin.


Kusturica, dy herë fitues i Palmës së Artë në Festivalin e Filmit në Kanë, është i njohur për deklarata kundërthënëse. Një nga filmat e tij “Underground”, i vitit 1995, është cilësuar si shumë pro-serb.


Dodik u zgjodh anëtari serb i Presidencës trepalëshe të Bosnjës në muajin tetor. Anëtari mysliman është Shefik Xhaferoviq, ndërsa ai kroat Zhelko Komshic. Bosnja përbëhet nga entiteti mysliman-kroat dhe entiteti serb, ndërsa qeveria qendrore i lidh të dy ata.

Dodik ka bërë thirrje për shpërbërjen e Bosnjë e Hercegovinës dhe për pavarësinë e entitetit serb, Republika Srpska.