Nga: FATMIRA NIKOLLI*
TIRANE- Arti është kundra qeverisë, nëse është me qeverinë, s’është më art. Por kjo në shoqëritë e zhvilluara, e jo në Kandahar”, përgjigjet.
Laert Vasili, aktori e regjisori shqiptar, vjen në një rrëfim për premierën e “Elektrës” së Sofokliut, që u vu në teatrin “Aleksandër Moisiut” në Durrës. Mbasi tregon se në të ka motive shqiptare, por pa u ngatërruar me folklorin, ai tregon arsyet pse e përktheu dhe pse solli një teatër bashkëkohor, ku aktorët qëndrojnë gjithë kohës në skenë.
Mandej, biseda ndalet në të tjerë kufij që kanë të bëjnë me Europën sot, me fetë dhe ndikimin e tyre, me dallimet mes politikës e artit, me ftesat në galatë qeveritare, në përfshirjen e vetë Vasilit në politikë, në kritikat e këtij të fundit për të. Aktori e regjisori, fitues i tri çmimeve ndërkombëtare, vitin që shkoi konkurrent për drejtues të Teatrit Kombëtar, tregon edhe pse nuk është ndjerë keq që nuk e mori atë detyrë.
Ndërsa ndalemi në vitin 2012, kohë kur ai u kërcënua në jetë se vuri në skenë “Corpus Christi” në Greqi, Vasili shprehet se këto ditë ka kuptuar që po ta kishin vrarë, politika shqiptare do të kishte bërë një marshim. “Kuptova që po të më kishin vrarë atëherë, ndoshta mund të ishte bërë një marshim paqësor në Shqipëri nga skena politike. Po meqë s’më vranë dhe u vranë disa gazetarë në Paris, atëherë skena politike shqiptare bëri një xhiro në Paris, në përkrahje të fjalës së lirë”.
“Elektra” e Sofokliut, e përkthyer në shqip nga Laert Vasili dhe me regjinë e tij, ka shënuar të dielën 62-vjetorin e teatrit “Aleksander Moisiu” në Durrës. Në rolet e shfaqjes interpretuan: Eralda Çaushi, Amos Muji Zaharia, Mimoza Marjanaku, Vilma Hodo, Suela Bako, Besmir Bitraku, Gjergj Doçi dhe Xhejni Fama, ndërsa kostumet u realizuan nga Stela Laknori. Shfaqja u prit mirë (edhe pse në një teatër të ftohtë), ndërsa në javët në vijim, ajo pritet të vijë në Tiranë, për t’u përballur me publikun kryeqytetas. Më poshtë intervista.
Pse e përkthyet vetë “Elektrën”?
E kam përkthyer që në vitin 2010, kur pjesa u vu në skenë nga Adonis Filipi dhe unë kisha rolin e Orestit. Ekziston një përkthim i Gjon Shllakut, por është i vjetër dhe në gegnisht. Ai është një përkthim që mund të shërbejë për një vënie në skenë në Teatrin e Prishtinës. Ata mund të luajnë me atë lloj përkthimi, ose po të duash në Teatrin e Shkodrës. Nga ana tjetër, po të kesh aktorë që janë nga jugu ose që flasin gjuhën e letrave dhe të vësh në skenë të interpretojnë gegnisht, kam përshtypjen se nuk bën.
Zakonisht një pjesë, pas autorit, të vjen përmes përkthyesit.
Në elementët regjisorialë një përqindje të madhe luan përkthyesi, sepse vendosja e një kundrinori, e një ndajfolje, në radhën e caktuar në fjali, nënvizon ndryshe dhe vë tjetër theks.
Kështu që e mira do ishte që regjisorët të vinin pjesë që kanë mundësi t’i përkthejnë vetë. Unë me veten time bëj kështu.
Si i keni zgjedhur aktorët e shfaqjes?
Pata një ftesë nga Bashkim Hoxha, drejtor i Teatrit të Durrësit “A.Moisiu”. M’u kërkua që të vija me trupën e aktorëve të Durësit një pjesë dhe unë zgjodha “Elektrën”. Pashë një shfaqje të teatri të Durrësit, titulluar “Këtu vallëzohet me hije”, që është tekst dhe vënie në skenë nga vetë Bashkimi (Hoxha). U njoha me aktorët dhe pas saj, vendosa për “Elektrën”.
Keni sjellë një teatër ndryshe, një teatër me elementë bashkëkohorë, me elementë të rinj, që më së shumti përdoret nga teatrot jashtë vendit.
Deri në vitet 1990, kur u hapën kufijtë dhe ne lëvizëm jashtë, çdo gjë bëhej jashtë, asgjë nuk bëhej në Shqipëri, ne edhe krimin e organizuar e sollëm nga jashtë. Tani, në Shqipëri kërkoj kafen turke dhe nuk gjej. Është mirë të vijnë tradita të reja, por duhen ruajtur edhe ato që ke. Për t’u futur në Evropë s’është e nevojshme të tjetërsohesh.
Sepse është bashkim i të ndryshmeve?
Unë mendoj që Europa nuk do funksionojë. Do rrëzohet. Po shihet që nuk po funksionon, sepse është si brenda një familje të përdoren 18 gjuhë të ndryshme. Në një tavolinë, vetëm po të thuash më ‘kalo pak sheqerin’, duhet ta përkthesh në 18 gjuhë dhe do e marrësh pas 18 minutash. Europa është një pakt franko-gjerman, shtetesh të fuqishme, ndërsa teatri merret me historitë e atyre që janë më të brishtë, kjo është detyrë e teatrit.
Dhe “Elektra” që u vu në skenën e Durrësit sjell elementë të rinj. Aktorët janë në skenë gjatë gjithë kohës. Pse?
Mendoj se duhet të jenë gjithë kohës në skenë. Siç ndodh në vendimmarrjet e mëdha shoqërore, që ndryshojnë rrotën e shoqërisë: kërkohet nga populli të dalë në sheshe, të jetë prezent, ka kryengritje, demonstrata.
Por në shesh, kthehen në turmë, apo jo?
Po, por duke marrë shkas nga kjo, aktorët që janë protagonistë, duhet të jenë në skenë. Kur kërkohet që në skenën politike, prezenca e masës, protagonistët duhet të jenë patjetër. Duke qenë gjatë gjithë kohës në skenë, nga ana teknike, e kjo ka më tepër vlerë për profesionin, aktorët i mban në një nivel të caktuar energjie. Kur vjen momenti që ata do jenë aktivë nëpërmjet fjalës, duke qenë gjithë kohës aktiv përmes trupit, interpretimi do të vijë më i nxehtë nga ata. Unë synoj ta çoj këtë pjesë në disa teatro, uroj t’ia dal.
Duke besuar se marrëdhënia mes aktorit e shikuesit është “erotike”, në një marrëdhënie erotike, askush s’mund të braktisë partnerin e tij çdo 30 minuta e të kthehet sërish. Shikuesi e zgjidh me celular. Nëse nuk i pëlqen shfaqja, merret me telefonin. Dhe bisedat e tij arrin t’i dëgjosh deri në skenë.
Ndodhi kjo me shfaqjen tuaj?
Në Durrës të dielën u vu re diçka e veçantë, që gjatë kohës së shfaqjes nuk ra celulari. Edhe ata që i kishin harruar ndezur, e fikën në 5- minutëshin e parë.
Sepse u pëlqye shfaqja?
Shpresoj që po. Unë shfaqjen e shoh në këmbë. Është me e pakta që mund të bëj kur aktorët e mi luajnë e ndërkohë jam sa te pulti i zërit, tek ai i ndriçimit. Më duket se nga duartrokitja që pati në fund, shfaqja u pëlqye shumë.
Do të vijë në Tiranë?
Po, në Teatrin Eksperimental.
Pse jo në Teatrin Kombëtar?
Ajo nuk është produksion i imi, por i Teatrit të Durrësit “Aleksandër Moisiu”. Këto janë vendime që merren nga drejtorët e teatrove. Nga ana tjetër, kisha një mesazh për çunat me kravata. Gjithë Tirana është në Durrës të shtunë e të diel, për dreka e darka. Po t’i lënë drekat e të vijnë në teatër do i bëjnë më mirë shëndetit. Njeriu mund të udhëtojë deri në Durrës për të parë edhe teatër, jo vetëm për të ngrënë.
Cilat do ishin mesazhet aktuale të “Elektrës”?
Urdhëresat që nga koha e helenëve deri te romakët, e te çdo lloj kulture e feje që u shpërhap në mënyrë masive në shoqëri përcjell të njëjtin mesazh: të drejtën. Çfarë është e drejtë dhe çfarë nuk është e drejtë, e më pas besimin e respektin. Të qenët në harmoni. Këto janë mesazhet e Elektrës. Ajo kërkon të vendoset drejtësia dhe Oresti kthehet për t’u hakmarrë. Edhe Klitemnestra, që ka vrarë burrin e saj, të atin e Elektrës, mendon se ka të drejtën e saj pse ai i vrau vajzën. Të gjithë personazhet kanë të drejtë. Ndaj këto pjesë vihen prapë në skenë pas 2500 vitesh, ndërsa ke vepra që bëjnë një xhiro deri në 100 vjet. Këto vepra janë që mund të shoqërojnë njeriun në të gjitha epokat, si sot edhe para 2500 vitesh. Është e njëjta problematikë: njeriu kërkon gjithmonë të ketë të drejtën me vete, të jetë në harmoni me bashkëfamiljarët e tij, me bashkëkombësit, me fqinjët.
Elektra ka mesazhe shumë të vjetra që shoqëria aktuale i ka harruar.
Ke disa muaj në Shqipëri. Ke lënë Greqinë, apo është çështje projektesh artistike?
Janë projektet. Në Perëndim aktorët punojnë me projekte. Janë të rrallë ata që janë stabël. Aktori nga vetë fjala akt, është të jesh në veprim, të jesh veprues, në lëvizje.
Ju konkurruat për postin e drejtorit të Teatrit Kombëtar. Mbase sepse pritej një mendësi ndryshe dhe një eksperiencë e huaj, shumëkush priti të ishit ju drejtori, pse nuk jeni ju?
Këtë duhet të shohë skena politike dhe jo populli. Populli duhet të mendojë kujt t’ia japë votën.
A ka kujt t’i japë votën populli?
Duhet të mendohet se kë voton që të marrë pjesë në vendimmarrje. Nëse s’ka kujt t’ia japë votën, të mos shkojë në votime, t’i bojkotojë dhe të gjejë një zgjidhje tjetër. Megjithatë, unë jam ende i ri në shoqërinë shqiptare dhe shumë gjëra nuk i di.
Të vjen keq nuk e more atë detyrë?
Jo, nuk më vjen keq, pasi nuk do të kisha bërë dot kurrë punën që bën Hervini (Çuli) sepse unë nuk e njoh administratën shtetërore. Domethënë në TK, për të marrë një mal këpucë që i duhen protagonistëve, duhet të bësh tender, të të përgjigjen, të marrësh ofertën më të lirë, ta lësh 3-4 ditë online dhe ta vësh në zbatim.
Pra, ju e paskeni mësuar.
Këto m’i kanë sqaruar. Gjatë bisedave që kam pasur me Hervinin, i kam mësuar këto, sepse unë e ai jemi pak a shumë i njëjti brez, me 3-4 vjet diferencë. Punën që bën ai, unë s’do kisha mundësi ta bëja.
Në fakt, konkurrova për drejtor artistik dhe nuk e dija që bashkë me këtë ishte edhe administrata, pra të isha edhe drejtor administrativ. Unë konkurrova duke pasur parasysh kriteret e teatrove në Perëndim, ku drejtori artistik dhe ai administrativ janë të ndarë. Tani kuptoj që ai merret edhe me gozhdët që janë vënë. Është punë e jashtëzakonshme dhe që s’bën për mua. Ai është i fortë që i bën.
Ju u përfshitë në politikë në Greqi, pse hoqët dorë?
Isha kandidat për Këshillin e Qarkut të Atikës. Është një qark që përfshin 5 milionë banorë. Mora duku 3751 vota. Por, e dorëzova si detyrë për shkak të detyrimeve të mia artistike.
Pse, sepse nuk je i prerë për politikë?
Po ndoshta nuk jam aq i dhënë.
Apo se artisti është kundërshtar me politikën?
Pikërisht këtë doja të thosha. Përkraha një vajzë të moshës sime, e cila për herë të parë, kandidonte për qarkun e Atikës. Iu vura në shërbim për ta ndihmuar, ndaj kjo nuk ka lidhje me partitë politike. E mbarova betejën që kisha për të bërë dhe iu ktheva sërish teatrit.
Së fundmi, për shkak të ngjarjes në Paris, Europa është përfshirë në një debat mbi fenë, fetë dhe ndikimin e tyre dhe se sa feja përdoret, debat ku është përfshirë Shqipëria. Ju patët vetë një përplasje, kur vutë në skenë “Corpus Christi” në Greqi, ju panë si armik.
Po. Këto ditë kuptova që po të më kishin vrarë atëherë, ndoshta mund të ishte bërë një marshim paqësor në Shqipëri nga skena politike. Po meqë s’më vranë dhe u vranë disa gazetarë në Paris, atëherë skena politike shqiptare bëri një xhiro në Paris, në përkrahje të fjalës së lirë.
Në një kohë që Shqipëria është shpallur nga “Freedom House” si vend me media pjesërisht të lirë?
Dhe kur deputetët shqiptarë rrihen me grushte. Ndërkohë ne parakalojmë në Paris për fjalën e lirë. Mirë është të luftosh për vlerat dhe të ëndërrosh që do vijë një ditë që do i kemi. Mua do më pëlqente të ishte bërë një marshim për çështjen time kur u rrezikuam unë dhe familja ime me jetë, si nga fanatikët e fesë edhe nga neonazistët. Nuk pati diçka të tillë. Pati një interesim nga ju si media, por ju jeni të interesuar për lajmin, është puna juaj.
Nuk është vetëm lajmi, është ana njerëzore. Media ka pasqyruar edhe lajme për shfaqjet tuaja.
Po, dakord. Patjetër. Por, dua të them se kjo nuk është detyra juaj. Nëse ju e bëni si lajm për këto arsye, skena politike e ka detyrë të interesohet. Në ç’kuptim? Në kuptimin që ke jashtë një aktor, që e ke të vlerësuar me tri çmime ndërkombëtare, i cili paçka presioneve për t’u deklaruar grek, ka vazhduar të deklarohet shqiptar.
Ndërkohë, fton një aktore që është brezi i dytë apo i tretë i shqiptarëve në Amerikë si Eliza Dushku, që mbase nuk di shqip fare, fton Rita Orën, kujtohesh që Belushët janë shqiptarë, por ndërkohë ke një djalë që ka lindur këtu, është rritur këtu, ka bërë akademinë në Tiranë, ka ikur në Greqi, ka punuar, është rrezikuar me jetë atje, vazhdon mbron tezën e tij dhe ç’ndodh? Skena politike shqiptare i bie fyellit.
Ju (media) nuk e keni detyrim të interesoheni për mua, politika e ka detyrim. Kjo ka ndodhur në vitin 2012-ën. Nuk e di kush ishte atëherë ministër Kulture. Sigurisht, kjo është çështje e qeverisë shqiptare. Një popull i vogël jashtë mund të paraqitet vetëm me kulturën. Kemi 10 ditë që postojmë në rrjete sociale një violinist që ishte në Koncertin e Vjenës. Ku është politika për këta njerëz? E dinte ajo që ai ekzistonte?
Herë pas here artistët që jetojnë e punojnë jashtë janë ftuar në Shqipëri, pra nuk janë harruar.
Po, e di. U mbajt një gala në Pallatin e Brigadave nga Ministria e Kulturës, ku ishin ftuar edhe artistë. Unë nuk isha i ftuar, i bie të jem kooperativist. Nuk isha ftuar as tek pritja e kryeministrit me artistët që punojnë jashtë vendit.
Si i keni raportet me qeverinë e tanishme?
S’kam asnjë raport. Nuk i njoh as nuk më njohin dhe jemi të gjithë në paqe. Arti është kundra qeverisë, nëse është me qeverinë, s’është më art. Por kjo në shoqëritë e zhvilluara, e jo në Kandahar.
Ju rezulton se nuk ju njohin?
Përderisa nuk më ftojnë, rezulton se nuk më njohin. Ndërkohë, po të kisha dalë te “Telebingo” e Italisë, këtu mund të kisha marrë edhe titullin “Nderi i Kombit”.
Por, bota e spektaklit është më e ndjekur se ajo e teatrit.
Nëse flasim për Italinë, po. Duket se për Shqipërinë, çdo gjë që bëhet në Itali, është e rëndësishme. Se mund të punosh në Athinë e të kesh çmime ndërkombëtare, nuk ka aq rëndësi.
Ju e keni takuar ministren e Kulturës kur prezantuat platformën për drejtor i TK-së. Si u pritët?
Shumë mirë. E vlerësoi edhe platformën. Jam i kënaqur nga takimi që pata me të.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: