TIRANE


“Ëndrra e një nate vere”, është komedia e dashurisë shekspiriane, e cila vjen këtë fundjavë në skenën e ‘Teatrit të Metropolit’. Regjisorja Armela Demaj, në një intervistë për emisionin ‘Chic’ të Fjodora Dorës në News 24 rrëfen më shumë rreth kësaj shfaqje dhe se çfarë mendoi ajo kur mori për herë të parë në dorë veprën “Ëndrra e një nate vere” dhe arsyet pse i besoi ëndrrën e dashurisë artistëve të rinj dhe thuajse të panjohur.


Shfaqja është ndërtuar në antitezë mes ëndrrës dhe realitetit, e ky dualizëm përvijon edhe në faktin se një vepër e madhe interpretohet nga një kastë aktorësh të rinj.


E pyetur nga moderatorja çfarë mendoi dhe si u ndje kur mori në dorë këtë vepër të madhe regjisorja e njohur ka treguar se, Shekspiri është një nga shtyllat kryesore të ndërtimit të teatrit global dhe kjo ia bën disi më të lehtë punën regjisorit dhe aktorit por është pak me ‘spec’.

“Shekspiri është një nga shtyllat kryesore të ndërtimit të teatrit global dhe kjo ia bën disi më të lehtë punën regjisorit dhe aktorit por është pak me ‘spec’. Sepse nga njëra anë e bën më të lehtë për shkak se pena e tij e jashtëzakonshme të lejon të krijosh situata mbi të por nga ana tjetër është një kafshatë shumë e madhe për shkak të dimensionit të jashtëzakonshëm dhe temave e nën temave që Shekspiri i ka qëndisur në veprat e tij. Sjellja e një komedie afër fundit të vitit është një dhuratë e bukur për atmosferën festive sepse edhe para dy vitesh ne vumë në skenë ‘Natën e dymbëdhjetë”- ka thënë regjisorja, Armela Demaj.

Ndërsa e pyetur se si e ka menduar nga ana e konceptit regjisorial këtë atmosferë ëndrre të Shekspirit regjisorja ka rrëfyer se nuk ka dashur të sjellë vetëm një komedi por një ëndërr dhe ëndrra brenda vetes ka momente që nuk janë fort komike por që janë pak misterioze, por ka edhe momente komike e momente aksioni konflikti etj.

“Ajo që unë kam dashur të sjellë jo vetëm një komedi por një ëndërr dhe ëndrra brenda vetes ka momente që nuk janë fort komike por që janë pak misterioze, por ka edhe momente komike e momente aksioni konflikti etj. Periudha kohore në të cilën është shkruar vepra janë vitet 1595 ose 1596, dhe “Ëndrra e një nate vere” është një nga komeditë e hershme të Shekspirit. Ndërsa unë i kam vendosur ngjarjet në fund të viteve 1700 dhe fillimi i 1800-ës. Por tematikat që Shekspiri prek janë të përbotshme dhe të përhershme prandaj ai është një nga shtyllat kryesore të teatrit botëror”- ka treguar më tej regjisorja.

Aktorët e “Ëndrra e një nate vere’ janë kryesisht të rinj, disa sapo të dalë Universiteti i Arteve dhe të tjerë duke u diplomuar. E pyetur se pse preferoi aktorë të rinj regjisorja rrëfeu se Teatri shqiptar duhet të rritet por duhet edhe të trashëgohet dhe për këtë duhet të dalin aktorë të rinj të cilët të marrin përsipër sfida.

“Janë sfida të bukura dhe janë sfida të cilat sidomos aktorëve të rinj i nevojiten. Duhet ta fillosh diku dhe ku ka më mirë se sa ta fillosh me ‘kafshata’ të mëdha siç është një vepër e Shekspirit.  Por komedia të bën që ta përtypësh më lehtë ‘kafshatën’ se sa një tragjedi e madhe. Teatri shqiptar duhet të rritet por duhet edhe të trashëgohet dhe duhet të dalin aktorë të rinj të cilët të marrin përsipër sfida por se sa i realizojnë ata kjo është tjetër diskutim por ama ne duhet t’i marrim përsipër këto rreziqe që t’i japim atyre mundësinë të sfidojnë veten sepse vetëm nëpërmjet kësaj mënyre ata mund të rriten. Dhe nesër ata do të bëhen emra të mëdhenj që do të trashëgojnë teatrin’-përfundoi regjisorja duke i ftuar në gjithë në Teatrin e Metropolit të shohin komedinë e Shekspirit” Ëndrra e një natë vere”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb