GJERMANI- Bundestagu gjerman diskuton këtë javë mbi një ligj të ri për regjistrim më të mirë të azilkërkuesve. Vërshimi i refugjatëve në 2015-ën e ka vënë sistemin nën presion dhe autoritetet tani po përpiqen të vënë rregull në një situatë, që disa e përshkruajnë si “kaotike”. Sipas statistikave të Ministrisë së Brendshme, 1.1 milionë refugjatë mbërritën në Gjermani vitin e kaluar, por vetëm gjysmë milion prej tyre kanë paraqitur kërkesë për azil. Ndërkohë, diskutohet që edhe të tjerë njerëz të kenë hyrë në vend pa u regjistruar. Legjislacioni i ri kërkon përmirësimin e shkëmbimit të informacionit.

Qëllimi është që për çdo person të ketë një bazë qendrore të dhënash në një regjistër kryesor të të gjithë të huajve e ku në të ardhmen duhet të kenë akses të gjitha autoritetet. Krahas të dhënave personale, do të regjistrohen edhe të dhëna të tjera: gjurmët e gishtërinjve, numrat e telefonave celularë, informacione për vaksinimin, të radiografive dhe të dhëna të tjera për shëndetin, si dhe për shkollimin apo kualifikimin profesional. Nga regjistrimi i gjurmëve të gishtërinjve, autoritetet shpresojnë për një identifikim të qartë të personave.

Të gjitha pikat përkatëse do të pajisen me një sistem për krahasimin e shpejtë të gjurmëve të gishtërinjve, i ashtuquajtur “Fast-ID”. Ky mund ta lehtësojë edhe krahasimin e shpejtë me të dhënat e Zyrës Federale të Kriminalistikës. Aktualisht, gjurmët e gishtërinjve të refugjatëve merren në Bavari, ashtu siç parashikohet në nivel europian, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të realizohet krahasimi i të dhënave për respektimin e Marrëveshjes së Dublinit, nëse dikush ka udhëtuar përmes “një vendi të tretë të sigurt” dhe duhet të kthehet sërish atje.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: