Ka nisur sot aplikimi i shqiptarëve të cilët jetojnë jashtë vendit në Platformën Elektronike të Regjistrimit (PER), proces i vili zgjati deri në 4 mars.
Burime për BalkanWeb bëjnë me dije se deri tani kanë aplikuar në PER 405 shtetas shqiptare, për të votuar në zgjedhjet e 11 majit.
Mësohet se aplikimet më të shumta janë nga Gjermania, Italia, Britania, Greqia, shtete ku edhe më së shumti jetojnë shqiptarët.
82 përqind e aplikuesve janë meshkuj, dhe vetëm 18 përqind e kërkesave janë nga votuese femra.
Votat e emigrantëve do të shkojnë në qarqet ku kanë edhe regjistrimin e gjendjes civile. Sipas përditësimit më të fundit të të dhënave, shumica e aplikimeve janë bërë për qarkun e Tiranës dhe Durrësit.
Regjistrimi:
Emigranti që kërkon të regjistrohet, fillimisht duhet të hapë një llogari në platformën (PER).
Emigranti, gjatë paraqitjes së kërkesës së tij për regjistrim në listën e zgjedhësve jashtë vendit sipas rregullave të miratuara nga Komisioni Rregullator, zgjedhësi ngarkon në platformën elektronike të regjistrimit të paktën një nga dokumentet e listuara që vërteton qëndrimin e tij jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë:
– Certifikatë pronësie ose dokument ekuivalent në shtetin e rezidencës, që provon pronësinë e banesës;
– Dokument që provon rezidencën në shtetin e huaj i lëshuar nga autoritetet përkatëse;
– Kontratë qiraje ose huapërdorje të banesës;
– Dokumente bankare (kontratë kredie/vërtetim bankar etj.) që përmban adresën e banimit;
– Kontratë furnizimi ose faturë të furnizimit me ujë në banesë;
– Kontratë furnizimi ose faturë të energjisë gaz ose elektrike në banesë;
– Kontratë ose faturë të abonimit të shërbimit digjital të transmetimeve audiovizive;
– Kontratë ose faturë të shërbimit të internetit të telefonisë fikse në banesë;
– Dokument i lëshuar nga organi kompetent i shtetit ku ka vendbanimin i cili vërteton qëndrimin e zgjedhësve në një institucion shëndetësor, kamp emigracioni apo tjetër të ngjashëm;
– Dokument pronësie ose ekuivalent i lëshuar në shtetin e rezidencës që provon pronësinë e banesës;
– Leje drejtimi automjeti (patentë) në rastet kur shënohet adresa e banimit;
Ose çdo dokument tjetër të lëshuar në shtetin e huaj që provon qëndrimin e shtetasit shqiptar në adresën e deklaruar jashtë vendit.
Numri i shtetasve shqiptarë të regjistruar në të njëjtën adresë që aplikojnë në platformën elektronike të regjistrimit nuk mund të jetë më shumë se 6 persona. Përjashtim nga ky rregull do të bëhet vetëm për arsye të përligjura dhe pas paraqitjes së dokumentacionit ligjor (PER) do të lejojë regjistrimin e më shumë shtetasve shqiptarë.
Pas regjistrimit, KQZ i kthen përgjigje emigrantit nëse kërkesa e tij është miratuar ose jo. Nëse KQZ nuk miraton regjistrimin, sqaron emigrantit për dokumentet që duhet të plotësojë me qëllim që të miratohet kërkesa.
Procesi i regjistrimit quhet i suksesshëm kur zgjedhësi paraqet të dhëna të plota dhe kërkesa miratohet.
Kujtojmë se për mbulimin e plotë të kostos së votës është e nevojshme të kryhen ndryshime ligjore, për të cilat duhet edhe konsensusi i opozitës.
(BalkanWeb)