TIRANË

Nga një zonë me zero investime prej vitesh, ku balta në dimër dhe pluhuri në verë ishin kthyer në normalitet për banorët, i gjithë blloku i banimit prej 21 hektarësh i kufizuar nga “Rruga Elbasanit” – “Stavri Vinjau” – “Pjetër Budi” dhe “Ali Visha” në Njësinë 2 është transformuar në një lagjet më të mira të Tiranës.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi përfundimin e një prej investimeve më të rëndësishme, kërkesë e përhershme e banorëve të zonës. Ai vlerësoi punën e bërë, ndërsa theksoi se rehabilimi i gjithë zonës jo vetëm ka rritur vlerën e pronës.

“Ky është një nga projektet që ka qenë ndoshta meraku më i madh i Njësisë 2; e gjithë zona midis shkollës “Mihal Grameno”, shkollës “Labinoti”, ish “Vajgurit të Vjetër”, deri në rrugën e “Elbasanit”, rruga “Budi” dhe “Ali Visha”, mendoj se ka dalë në dritë. Ishtë një nga zonat e cila konsiderohej pjesa më e rëndomtë e Njësisë 2, sot ka një vlerë krejt tjetër, në momentin që ndriçimi është LED, janë mbjellë pemë, ka vende parkimi, ka rampa për karrocat dhe është ndërhyrë në infrastrukturën nëntokësore”, tha Veliaj.

Ai theksoi se tashmë që kanë përfunduar punimet në infrastrukturë, duhet të nisë edhe rehabilitimi i pallateve të banimit. “Tani që kemi zgjidhur çdo gjë në nivelin horizontal, duhet të mendojmë për nivelin vertikal. Aty na duhet bashkëpunim me qytetarët, që për veshjen me kapotë, për efiçiencën energjetike, na duhet që t’i ndajmë shpenzimet. Skema është shumë më e thjeshtë: zgjidhet fillimisht administratori i pallatit, i cili i autorizuar nga banorët jep kontributin e tyre, kurse Bashkia nga ana e saj e dyfishon atë kontribut”, sqaroi Veliaj.

Deputetja e PS, Vasilika Hysi, vlerësoi vëmendjen që Bashkia e Tiranës ka treguar ndaj komunitetit të zonës. “Dua t’ju falenderoj në emër të banorëve të kësaj zone; për 20 e ca vite këtu nuk ka pasur investime. Kjo është një zonë e populluar jo vetëm nga banorë të Njësisë 2, por edhe nga studentët e “Qytetit Studenti”. Nga ky investim përfitojnë jo vetëm banorët, por edhe studentët, të cilët janë në një numër të konsiderueshëm. Me këtë investim vlera e pronës këtu është rritur shumë”, tha Hysi.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb