Ashtu siç kemi parë edhe në disa kapituj paraardhës të këtij libri, lidhur me faktin se për vite me radhë qeveria franceze hasi në refuzimin e Tiranës zyrtare në kërkesat e saj për dekorimin e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, ministri frëng i Kulturës, Zhak Lang, duket se nuk është “dorëzuar” kollaj. Pasi në fillimin e majit të vitit 1990, ai ka porositur ambasadorin francez të akredituar në Tiranë, Mishel Bylmer, që t’ua kujtonte edhe njëherë autoriteteve zyrtare shqiptare, kërkesën e tij për dekorimin e shkrimtarit Ismail Kadare. Madje, duke u kërkuar atyre një përgjigje zyrtare përpara se qeveria franceze të niste procedurat përkatëse për dekorimin e Kadaresë me “Des Arts et des Lettres”. Dhe gjithashtu lidhur me atë gjë, t’i bëhej e ditur dhe t’i merrej mendimi edhe vetë shkrimtarit Ismail Kadare. Duket se insistimi dhe “mosdorëzimi i armëve” nga ana e ministrit frëng të Kulturës që ngulte këmbë në kërkesën e tij, me shumë gjasa ka ardhur për faktin e njohur se afro një vit më parë (korrik 1989), Tirana zyrtare i dha lejen Kadaresë për të marrë pjesë në festimet e 200-vjetorit të Revolucionit Francez, ku shkrimtari i njohur shqiptar ishte i ftuari special i presidentit Francois Miterenad, në mes 35 kryetarë shtetesh nga e gjithë bota. Madje, jo vetëm kaq, por falë Kadaresë, nga e gjithë Lindja komuniste, aty përfaqësoheshin vetëm Shqipëria dhe Polonia. Dhe nisur nga ky fakt, duke se ministri Zhak Lang e ka konsideruar një formalitet, kërkesën e tij për dekorimin e shkrimtarit shqiptar, i cili në Francë ishte bërë si “i shtëpisë” me botimet e tij. Por duket se Zhak Lang ka gabuar në “llogaritë” e tij, pasi politika dhe aq më shumë ajo e një vendi komunist si Shqipëria, nuk funksiononte si në matematikë “me rregullin e treshit”. Kjo gjë duket qartë nga këto dokumente arkivore që publikohen për herë të parë në faqet e këtij libri, pasi kërkesën zyrtare të qeverisë franceze, udhëheqja e lartë shqiptare as nuk e ka marrë fare në konsideratë. Madje, e ka lënë fare në heshtje, aq sa ministri i Punëve të Jashtme, Reiz Malile, në shkresën e vartësve të tij ku e informojnë për kërkesën e qeverisë franceze, ai ka vënë shënimin “kur është bërë ky propozim zyrtarisht”. Dhe më pas ka shtuar që t’i bëhet një letër Foto Çamit, gjë e cila i është bërë po prej tij, por nga Komiteti Qendror nuk ka ardhur asnjë përgjigje. Nuk dihet me saktësi përse nuk ka ardhur ndonjë përgjigje nga Foto Çami, kur asokohe nga shumëkush mendohej dhe ishte krijuar një imazh se “shoku Foto” ishte një nga udhëheqësit që e përkrahte dhe ndihmonte Kadarenë në pengesat që i nxirrnin herë pas here atij…

Shkrimin e plotë mund ta lexoni duke klikuar në linkun e mëposhtëm:http://www.gsh.al/2017/09/04/ekskluzive-reiz-malile-qeveria-franceze-kerkon-ti-akordoje-kadarese-des-arts-et-des-lettres/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: