TIRANE- Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria ka arritur një standard ku konsiderohet gati për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ka shpalosur në Kuvend, para deputetëve të mazhorancës raportin mbi gjetjet dhe rekomandimet e KE.

Bushati nënvizoi se, “për herë të parë kemi një rekomandim pozitiv nga Komisioni Europian pa asnjë kusht që nga viti 2009 që kur Shqipëria aplikoi për të qenë vend anëtar i BE”.

Bushati u shpreh se, “në 2016-ën, Komisioni Europian i rekomandoi Këshillit hapjen e bisedimeve për anëtarësim duke shoqëruar këtë rekomandim me mirëkuptimin që Shqipëria do të zbatonte ligjin për vettingun apo siç njihet ndryshe, vlerësimi i figurave të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe në të njëjtën kohë do të siguronte progres në zbatimin e pesë prioriteteve kyçe për anëtarësim. 16 muaj më vonë, në 17 prill, Komisioni Europian rekomandoi hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë në mënyrë të qartë apo siç thuhet në mënyrë të përditshme të pakushtëzuar”.

“Paketa e Zgjerimit e 2016-s, para 16 muajsh, shtoi për herë të parë edhe disa kritere të reja për vlerësimin e vendit, përfshirë këtu jo vetëm progresin e vendeve krahasuar me vitet e mëparshme por, edhe nivelin e përgatitjes së tyre për të qenë vend anëtar”, tha Bushati.

Lidhur me aspektet politike Bushati tha se, raporti vlerëson pozitive marrëveshjen ndërpartiake e muajit maj të 2017 e cila shërbeu jo vetëm për zhvillimin e rregullt të zgjedhjeve, por edhe për miratimin e shumë akteve që lidhen me vijimin e reformave në fushat e prioriteteve kyçe.

“Sa i përket anës ekonomike, KE vlerëson zhvillimin funksional të ekonomisë së tregut. Duke theksuar përparimin në fushën e infrastrukturës, energjisë dhe transportit”, tha Bushati.

“Sa i përket progresit të 5 prioriteteve, raporti thekson se ka progres në krahasim me vitin 2016. Raporti përmend se Shqipëria mund të konsiderohet shembull sa i përket procesit të vlerësimit të figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe ngritjes së institucioneve të sistemit të drejtësisë”, tha Bushati.

Po ashtu sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe trafikut, raporti thekson se ka progres në identifikimin dhe shkatërrimin e kanabisit, si dhe intensifikim të punës së policisë me policitë e vendeve anëtare të BE.

Bushati nënvizoi se, “rruga që na pret është edhe më sfiduese me hapjen e negociatave që do të shënonin një gur kilometrik në këtë proces. Qeveria shqiptare ka vullnet të plotë për të ecur në rrugën e reformave. Hapat e mëtejshëm në procesin e anëtarësimit do të kërkojnë forcim të kapaciteteve të administratës”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb