TIRANE- “Kuvendi, Qeveria dhe institucionet e tjera të vendit tonë janë të angazhuara totalisht për realizimin e objektivit strategjik të vendit tonë, Integrimin e plotë në familjen e Bashkimit Europian”.
Kështu deklaroi sot kryetari i Grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, që gjatë fjalës së tij në parlament, duke shprehur keqardhje që në një moment kaq të rëndësishëm opozita nuk është e pranishme.
Duke folur për rezolutën për çeljen e negociatave, Balla tha se institucionet e vendit tonë janë të angazhuara të punojnë fort për të përshpejtuar rrugën drejt BE.
“Ju ftoj ta votojmë këtë rezolutë për hapjen e negociatave me BE. Do të kishim dashur shumë, që në frymën e që duhet të shprehi kjo rezolutë, ta votonim së bashku me opozitën. Objektivi strategjik është anëtarësimi në BE”, tha Balla.
“Duke vlerësuar mbështetjen që BE ka dhënë për Shqipërinë për forcimin e demokracisë dhe zhvillimin ekonomik dhe social, Balla tha se përparimi i Shqipërisë në procesin e anëtarësimit, bazohet në meritë, në përputhje me reformat dhe arritjet konkrete.
“Përmes kësaj rezolute, ri-afirmojmë besimin tonë në vlerat e BE. Po ashtu tregojmë se ne besojmë në respektimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe konsolidimin e një kuadri ligjor sipas atij të BE, duke vlerësuar se e ardhmja e Shqipërisë është në BE”, shtoi Balla.
Duke u ndalur te rekomandimi i KE për Shqipërinë, Balla tha se “hapja e negociatave është rikonfirmim i punës së mirë të bërë nga qeveria. Gjithashtu është një nxitje për të përshpejtuar reformat e gjithanshme dhe në veçanti të Reformës në Drejtësi, në administratë dhe në respektimin e të drejtave të njeriut”.
(BalkanWeb)