TIRANE – Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ftoi të rinjtë që të konkurrojnë për tu bërë pjesë e Forcave të Armatosura, duke i siguruar se procesi i rekrutimit do të bazohet vetëm në merita. Sipas ministres Kodheli, tashmë ka mbaruar epoka kur emrat dalin nga fundi i listave për tu vendosur të parët.

“Forcat e Armatosura janë maja e shoqërisë. Patjetër që për të arritur tek maja ka mund, ka disiplinë, ka dhe zhgënjime, por në fund të fundit ajo majë është një shans i madh për gjithsecilin prej jush që do të vazhdoni ose jo universitetin, për të pasur një shkollim falas brenda dhe jashtë vendit, për të pasur shërbim shëndetësor falas për ju dhe familjet që do të krijoni nesër.  Ju duhet të jeni zemra e shoqërisë shqiptare në të gjitha drejtimet. Përpara jush ka horizonte të jashtëzakonshme, nuk ka kufi, nuk ka limite. Forcat e Armatosura kanë mbërritur të jenë në front të parë të barabartë mes të barabartëve në misione. Pa u keqpërdorur, vetë misioni fisnik që kanë, vetë përgatitja e tyre do ta mbajë larg të keqen, sot e përgjithmonë.”- deklaroi ministrja Kodheli.

“Jam e bindur që pas këtij takimi, ju jo vetëm do të reflektoni, shanset janë të mëdha, mundësitë janë të mëdha për ta bërë karrierën tuaj këtu brenda. Jemi më shumë së të mirëpritur të merrni pjesë në proceset e rekrutimit, ku nuk ka më emra që dalin nga fundi i listës për të dalë të parët, ku nuk ka më anonim që këtu vijnë për të marrë një rrogë. Ajo epokë ka mbaruar. Sot ka ftesë për t’ju frymëzuar juve për të qenë pjesë e ajkës së shoqërisë shqiptare, për të qenë pjesë e Forcave të Armatosura”- vijoi ministrja.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: