Kërkimi shkencor është zbehur në një kohë që institucionet kërkimore janë në kushte mbijetese. Këto janë dy nga problematikat kryesore të ngritura sot në diskutimin mes rektorëve të universiteteve publike dhe jopublike dhe kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi. I pranishëm në takim ishte dhe prof.dr Ethem Ruka, rektor në Luarasi i cili shprehu gatishmërinë për të zgjeruar bashkëpunimin dhe kërkoi rritje të financimit për përmirësimin e situatës.

Në kuadër të 1 vjetorit të nënshkrimit të kontratave të bashkëpunimit mes 24 universiteteve dhe Kuvendit të Shqipërisë, u zhvillua një tryezë diskutimi mbi arritjet e deritanishme dhe sfidat për të ardhmen. Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi priti në takim, rektorë të IAL-ve  publike e jopublike. Rektori i “Luarasi” prof.dr Ethem Ruka shprehu gatishmërinë për të zgjeruar bashkëpunimin, por theksoi se kërkimi shkencor është zbehur dhe kërkon rritje të fondeve për përmirësimin e situatës.  Ai shtoi se duhet bërë verifikimi i titujve shkencorë dhe evidentimi i plagjiaturave.

Vetë kryetari i Kuvendit pranoi se disa detyrime si rritja e financimit për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor nuk janë plotësuar në nivelin e duhur. Më tej, Ruçi, me rastin e 100 vjetorit të parlamentarizmit, kërkoi nga universitetet akordimin e bursave për studentët më të mirë.

Rektori i Mjekësisë Arben Gjata bëri me dije se është drejt përfundimit projekti mbi qendrën e simulimit klinik, ndërkohë që kërkoi mbajtjen e premtimit për një infrastrukturë të re në QSUT. Sakaq, Mynyr Koni, në cilësinë e rektorit të Universitetit të Tiranës ngriti problemin e bllokimit të ciklit të tretë të studimeve në nivelin e doktoraturës dhe kërkoi rritje financimi për kërkimin shkencor.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb