Rektori i Universitetit Luarasi, Et’hem Ruka, në fjalën e tij në mbledhjen e rektorëve të universiteteve shtetërore dhe atyre private me kryetaren e parlamentit Elisa Spiropali, foli për situatën e arsimit të lartë në vendin tonë.

Ruka tha se arsimi i lartë në Shqipëri në 30 vjet ka pësuar trajektore jo të lehta. Ai shtoi se janë bërë hapa përpara drejt ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë. Gjithashtu, Rektori i Universitetit “Luarasi” tha se duhet të ndërmerren masa që të thjeshtohen procedurat, me qëllim që të kemi më tepër studentë të huaj në vend.

Rektori i Universitetit “Luarasi”, Et’hem Ruka: Ne jemi në ballë të arsimit në të gjitha nivelet dhe modeli më i keq i arrogancës, grindjes, forcës nuk është një shembull edukativ për gjeneratën e re kjo që buron nga Parlamenti shqiptar. Shpresoj që kjo të jetë e përkohshme dhe gjërat të qetësohen në të mirë të të gjithë shqiptarëve dhe forcave politike. Bëni mirë që na mblidhin se çfarëdo që të bëjnë universitetet, këtu mblidhen në Parlament, certifikohen me anë të ligjit.

Arsimi i lartë në Shqipëri pati trajektore të vështirë në 30 vjet. U bë një ligj, Ligji i Arsimit të Lartë, që mendoj se është i domosdoshëm për të disiplinuar arsimin. Shumë gjëra të Arsimit të Lartë duhet të rishikohen. Ky është një mendim personal por për ne që zbatojmë në praktikë ligjin, disa gjëra mund të lehtësohen, duke patur më shumë besim te universitetet dhe jo thjesht me kontroll nga lart. Ka një serë mekanizmash që e kontrollojnë arsimin që nuk e lënë të gabojë. Ka akreditime institucionale të arsimit, të programeve të studimit që nuk kanë ekzistuar dikur. Kanë evoluar shumë gjërat. Në këtë legjislaturë nuk mund të bëhet, por në legjislaturën tjetër do të ishte me vend të bëhej një diskutim i gjerë dhe mbase duhen bërë disa ndryshime. Por ka plot gjëra që mund të bëhen edhe sot.

Kemi bërë hapa përpara drejt ndërkombëtarizimit. Agjenda që Shqipëria i ka bërë vetes për vitin 2030, kërkon që universitetet të ecin përpara dhe të ndërkombëtarizohen sa më shumë. është një përvojë e madhe që të tjerët e kanë kaluar, kemi shembuj pozitivë të universiteteve shqiptare që janë futur në rrjetën e universiteteve europiane, Universiteti i Tiranës, i Durrësit, Polis, kanë dhënë shembuj të shkëlqyer të treja universitetet. Ndërsa kërkojmë që ta ndërkombëtarizojmë ka mjaft probleme që mund t’i zgjidhim, nuk duan lek. Ne nuk kemi fuqi t’i zgjidhim, ne rektorët, sepse ato duan të takosh shumë ministra, të bësh konsulta. P.sh, ndërkombëtarizimi i studentëve të huaj, ardhja e studentëve të huaj në Shqipëri. Ka plot universitete që kanë marrë iniciativa për të marrë programe në gjuhë të huaj, por ne nuk kemi studentë të huaj.

Shqipëria vijon të jetë një gardh me gjemba që ka filtra pafund që bota i ka hequr. Kemi ecur me turizmin estetik, turizmin dentar, nuk ka pse të mos ecim në këtë rrugë që të pranojmë të huaj në Shqipëri. Ne nuk marrim nga Anglia, Franca, as nga Gjermania, por nga vendet e treta mund të marrim. Di që në 100 kërkesa të studentëve të huaj në një universitet, janë pranuar vetëm 5 për shkak të vështirësisë për marrjen e vizave. Ne e kemi shtruar këtë në MAS, kemi gjetur mirëkuptim të plotë me kryeministrin, ministrin e Brendshëm, të Jashtëm, por këto gjëra duhet të shkojnë deri në fund. Ka gjëra të tilla që nuk duan lek, duan vullnet, dëshirë, të dëgjohemi më shumë dhe të jemi pak më operativë për të zgjidhur problemet.

Gjë e mirë që takimi  me rektorët po kthehet në traditë, hera e dytë ose e tretë me sa mbaj mend unë. Ne funksionojmë në mënyrë të mrekullueshme në konferencën e rektorëve, falë edhe drejtuesit Artan Hoxha falë meritës së tij për t’i bërë bashkë universitetet publike dhe ato private. Akoma ka paragjykime, që universitetet shtetërore janë të nënës dhe ato private shihen me sy tjetër. Ka speficika, s’mund t’i kërkosh shkollës së artit të Çashkut, njëjtat kritere me shkollat e tjera. Kemi patur një komunikim të shkëlqyer me ministren e Arsimit. Kemi një ministre që dëgjon, mban shënim dhe vepron. Jam i bindur që ky komunikim do të vazhdojë sepse është në të mirë të vendit dhe shëndoshjes së arsimit të lartë.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb