TIRANË

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi po zhvillon një takim me 24 rektorë të universiteteve publike dhe private, ndërsa i pranishëm në tryezën e diskutimeve është edhe rektori i Universitetit “Luarasi”, Et’hem Ruka. Ai  vuri theksin në disa çështje kryesore si dhe listoi një sërë problematikash me të cilat përballen çdo ditë  institucionet e arsimit të lartë në vend.

Gjatë fjalës së tij, rektori i “Luarasit”, Et’hem Ruka theksoi se kjo hapje dhe bashkëpunim i ngushtë mes institucioneve në vend, është një shenjë  e mirë e cila duhet të vijohet, dhe të përdoret si ogur i mirë për përmirësimin e cilësisë arsimore në vend. Ai vuri theksin  edhe tek mungesa e fondeve në fushën e kërkim-zhvillimit, tek problematika me artikujt shkencorë fiktivë, ndërsa shtoi se disa institute kombëtare, ndodhen sot në gjendje të mjerueshme.

“Jemi të gatshëm që këtë bashkëpunim ta zgjerojmë në çështje të tjera. Ne tek “Luarasi” kemi ftuar profesorë dhe grupe interesi, por një hapje e tillë, për të ftuar rektorët, po e shohim për herë të parë. Të njëjtën hapje ka bërë edhe Akademia e Shkencave, ku kemi qenë të pranishëm javën e kaluar. Sa më shumë hapemi dhe sa më shumë bashkëpunojmë me institucionet, të gjithë janë gjëra të mira dhe është diçka pozitive që institucionet hapen ndaj universiteteve. Kërkimi shkencor në vendin tonë ka rënë, është sporadik. Ka fonde shumë të kufizuara. Disa institucione janë në një situatë  të mjerueshme dhe janë në gjendje alarmi. Do të duhen shumë fonde, por fondet e para janë ato që ruajnë identitetin e kombit tonë. Duhet pak më shumë fonde. Ka gjëra që bëhen me lekë, por ka gjëra që bëhen edhe me shpirt. Pedagogët e shkollave tona të lartë mund të punojnë për raportet të ndryshme kombëtare. Në Shqipëri ka ndodhur një inflacion të gradave shkencore, majtas dhe djathtas, deri tek artikujt fiktivë, dhe paraqiten si diçka origjinale. Që të verifikosh sot doktoratat duhet logjistikë e madhe”-tha Ruka.

Rektori foli edhe për 100-vjetorin e krijimit të parlametarizmit shqiptar, ku mes tjerash theksoi se për këtë temë, Universiteti “Luarasi” është i gatshëm të ftojë në auditoret e tij deputetë dhe krytetarë të grupeve parlamentare, të cilët do të flasin mbi historinë dhe dobinë e një Kuvendi fuksional.

“Lidhur me 100 vjetorit të parlamentarizmit shqiptar. Kjo është një gjë shumë e madhe. Parlamentarizmi është në thelb të demokracisë dhe të historisë tonë. Ne kemi mundësinë të flasim për parlamentarizmin, kemi mundësi të ftojmë dhe të bëjmë tavolina të rrumbullakëta dhe të flasim për këtë histori. E shikoj shumë të frytshme këtë tavolinë dhe uroj që të mblidhet sërish, sepse të gjithë ne e kemi të nevojshme të flasim dhe të adresojmë problemet që dalin përpara dhe të shkëmbejmë ide”-tha mes tjerash, Et’hem Ruka,  rektori i Universitetit “Luarasi”.

(n.m/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: