Egnatia luan nesër një ndeshje konfirmimi që lidhet me sigurimin matematikor të vendit të parë.
I mjafton vetëm një pikë ndaj Teutës për t’ia dalë, por, edhe nëse mundet, sërish mund të jenë ata kryesuesit e kampionatit, nëse Vllaznia nuk fiton me të paktën tre gola diferencë në duelin tjetër që ka me Laçin në shtëpi. Gjithsesi, në Rrogozhinë nuk janë duke e menduar këtë skenar, pasi gjithçka është në dorën e tyre për të mos vënë në rrezik 100 milionët, për më tepër që Teuta, në kahun tjetër, ka siguruar mbijetesën dhe motivimi nuk do të jetë maksimal.
ROTACIONI – Për Tetovën ka lajme të mira para këtij dueli dhe për “Final 4” në tërësi, ku mësohet se mesfushori Regi Lushkja nuk ka një dëmtim të rëndë, ndryshe nga sa mendohej pas duelit në Kupë me Partizanin, ku la fushën i dëmtuar. Gjithsesi, ndaj durrsakëve mund të bëjë pushim dhe t’u jepet mundësia të tjerëve që nuk kanë pasur shumë hapësira këtë edicion. Një minirotacion është duke u menduar brenda mundësive që kanë, për vetë faktin se vijnë pas 120 minutave intensive me Partizanin në Kupën e Shqipërisë. Dihet që këtë sezon ka pasur shumë pak mundësi për Tetovën që të bëjë rotacione, sepse mungesat e shpeshta të lojtarëve e kanë detyruar të luajë me ekipin që ka në dispozicion. Tani që skuadra është plotësuar disi, ka ardhur koha edhe për të bërë disa ndryshime te titullarët në ndeshjen e nesërme.
RELAKS PARA FINALEVE – Egnatia ka qenë në një presion të vazhdueshëm në përballjet e fundit. Humbja e ndeshjes së parë në Kupë dhe rezultatet zhgënjyese në kampionat, vunë në diskutim edhe forcën reale të ekipit të drejtuar nga Edlir Tetova. Në letër ishte skuadra më e mirë, por kishte humbur jo pak nga shkëlqimi i pak javëve më parë. Mirëpo, java që lamë pas, foli tërësisht në favor të kampionëve, të cilët, me barazimin ndaj Skënderbeut, siguruan praktikisht vendin e parë dhe përmbysja ndaj të kuqve në Kupë u siguroi për herë të tretë radhazi pjesëmarrjen në finalen e këtij konpeticioni. Një relaks jo i vogël ky para finaleve që e presin në vazhdim në “Final 4”, ku normalisht kanë si synim që të mbajnë sërish titullin në shtëpi. Gjithsesi, mbetet për t’u parë se sa do t’ia dalin, sepse Egnatia e këtij viti ka treguar se edhe mund të thyhet, ndonëse në Rrogozhinë kanë si synim që të përsërisin “tripletën” e sezonit që sapo lamë pas.

