Dikush mund ta quajë një delir faktin se një artisti i duhet diku diku një agjendë, një plan, fundja edhe një ambicje e shënuar diku, ose e pa shënuar fare. Kam disa kohë që unë e bëj një gjë të tillë, dhe më rezulton e suksesshme. Si mund të mos e mendoj se jeta ime, ose jeta e një artisti të mos shënjohet nga qëllime të caktuara? Agjenda ime për këtë vit ka qenë e suksesshme por disi më e qetë, megjithatë, kjo s’do të thotë se nuk duket diell në horizont. 4 koncerte që nga janari në qershor duket se kanë qenë një ogur i mirë. Teksti I një melodrame tjetër ka përfunduar tashmë, madje ka nisur një e tretë. Sapo ka filluar të krijohet edhe stadi muzikor. Po hedh në partiturë Homeriadën e cila kërkon shumë kohë. Bëra një aplikim për në një festival në Londër dhe jam në pritje për një tjetër aplikim.

Po shkruaj disa pjesë pianistike për diskun pianistik Memuar, e një koncert së afërmi jashtë Tiranës duket se kanë kapluar mendjen time tash disa muaj. Po kështu po krijoj një rebus me intervista referenciale në institutin e antropologjisë ku për herë të parë po krijohet një bosht me lëndë të parë për studime mbi artin dhe kulturën shqiptare duke zgjeruar literaturën ekzistuese. Pra, miqtë e mi, sidomos artistët, arsyeja pse I shkrova këto radhë është se shoh shumë nga ata miq, shumë të talentuar të cilët heshtin për një mijë e një arsye, por jo. Agjenda paraprake është një magnet që të tërheq për nga puna krijuese. Nuk është e lehtë, por pikërisht krijimi i saj, qoftë edhe në mendje të ngarkon me përgjegjësi dhe të bën të mos pyesësh edhe shumë për rrethanat. A e besoni miq, se përveç dëshirës për të krijuar, për të lënë një gjurmë të qenësishme në jetë, aleati im është vetëm dhe vetëm pasioni dhe motivimi I brendshëm? E theksoj, nuk është e lehtë, se në kohët që jetojmë nuk mjaftojnë vetëm këto, por këto janë baza për një sukses, në mos të sigurt, të arritshëm në një kohë.

Klima e nderë artistike, cic-micet e brendshme janë një vuajtje, por edhe kjo nuk vihet re, nëse të urdhëron pasioni dhe dëshira. Pa shumë moralizime dua t’iu them se të bësh art në Shqipëri është diçka që e kapërcen përfytyrimin, por ja që bëhet, dhe do të bëhet sigurisht, përderisa ka idhtarë të pasionit.

Edhe diçka tjetër:

Ai që krijon, që e do skenën, duhet të gjejë dy tre miq, aleatë, të cilët t’i japin dorën në krijimtari. Koha është tani, dhe mos e lini të vrapojë, por jepini mundësi të pengohet në sukseset tuaja!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: