Një kërkues i lartë i fushës së terrorizmit thotë se rënia e numrit të shqiptarëve që luftojnë në Siri ka të bëjë më tepër me situatën në Lindjen e Mesme sesa me masat e marra nga qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës.

Shpend Kusani, i tha BIRN se numri i shqiptarëve që po shkojnë për të luftuar në Siri dhe Irak krah ekstremistëve islamikë ka rënë për shkak se ka më pak kërkesa për ta.

Thuajse asnjë shqiptar apo kosovar nuk iu bashkua ISIS në dy vitet e fundit, gjë që Kusani e përshkruan si rënie të kërkesës për ndihmën e tyre në terren.

“Ne dëgjojmë histori rreth projekteve kombëtare për të ulur këtë fenomen, si ndjekjet penale, ligjet që e ndalojnë fenomenin dhe masa të tjera… Por ajo që ndikon në ngritjen apo rënien e fenomenit të luftëtarëve të huaj ka të bëjë më shumë me kërkesën sesa me ofertën,” tha ai.

Nëse nuk ka kërkesë për ta, nuk do të ketë ofertë për luftëtarë të huaj – edhe nëse dhe kur kushtet e brendshme mund të ekzistojnë për ta, tha ai.

Një faktor tjetër që ai e konsideron të rëndësishëm në rënien e numrit të shqiptarëve që i bashkohen ISIS është përballja e tyre me terrenin dhe zhgënjimi që kanë pësuar.

“Shumë luftëtarë të huaj që janë kthyer kanë folur rreth pasigurive dhe lëmshit që ekziston atje – edhe nëse e kanë mbështetur kauzën, gjë që ka pasur ndikim që njerëzit të mos shkojnë,” vëzhgoi ai.

“Ata kanë treguar se, mbi të gjitha, nuk është aq ideale sa ISIS e bën të duket në makinerinë e vet të propagandës,” përfundoi ai.

Një raport i publikuar në mars 2016 nga Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtar, AIIS, tha se numri i luftëtarëve shqiptarë nga Shqipëria që i janë bashkuar ISIS në Siri dhe Irak arriti kulmin në 2014, kur 90 deri në 150 persona u larguan nga Shqipëria, 31 prej të cilëve ishin fëmijë dhe 13 ishin gra.

Arrestimet dhe forcimi i legjislacionit kanë ulur ndërkohë shifrat. Autoritetet në Shqipëri raportojnë se numri i atyre që u larguan për në Siri nga Shqipëria në 2015 ishte thuajse zero.

Ndërkohë, rreth 60 persona janë në gjyq në Kosovë për lidhje me aktivitete terroriste, pas arrestimeve të rreth 120 të dyshuarve që nga shtatori 2014.

Autoritetet e Kosovës thonë se 300 persona janë larguar nga vendi për të luftuar në Siri për grupe të ndryshme islamike, kryesisht ISIS dhe Al Nusra.

Kusani mirëpret idenë e hapjes së një qendre ekselence të NATO-s këtë vit në Tiranë, e cila do të kryejë studime për luftëtarët e huaj terroristë.

“Besoj se Shqipëria është një vend i përshtatshëm për një qendër të tillë, për arsyen e vetme se është i vetmi vend në Europë, ose në Perëndim, që ka një shumicë dërrmuese të popullatës myslimane, një pjesë e të cilës është prekur së fundmi nga ky fenomen”, tha ai.

Ai beson se një nga funksionet kryesore të qendrës mund të jetë ofrimi i përgjigjeve bazë.

Një sondazh i publikuar më 10 gusht nga Këshilli i Bashkëpunimi Rajonal, mbi iniciativat për të parandaluar ekstremizmin e dhunshëm në Europën Juglindore, arriti në përfundimin se numri i individëve nga Ballkani Perëndimor që shkojnë për të luftuar në Siri/Irak ka rënë që nga 2015.

“Rënia shpjegohet nga një kombinim i frikës së pasojave ligjore dhe ndërgjegjësimit të rreziqeve… dhe rritja e mbulimit mediatik në vend. Megjithatë, pothuajse të gjithë ata që iu përgjigjën sondazhit qartësuan se rënia nuk do të thotë se radikalizmi ka reshtur,” paralajmëroi raporti.

Raporti theksoi se përjashtimi social, margjinalizimi dhe dëshira kërkesa për përkatësi, të gjitha kontribuojnë në radikalizmin fetar.

“Ka pak trende politike në mbështetje të përfshirjes më të madhe të qytetarëve në jetën sociale dhe publike, ose në kultivimin e identiteteve gjithëpërfshirëse dhe të ndryshme – pavarësisht nevojës për politika të tilla,” shtoi raporti. /Fatjona Mejdini-BIRN/

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: