Ministri i Jashtëm, Igli Hasani, foli sot për gazetarët lidhur me mundësinë e riatdhesimit të shtetasve shqiptarë që ndodhen në Siri, pas ndryshimeve në këtë vend dhe rënies së regjimit të Bashar al-Assad.
Në deklaratën e tij, Hasani nënvizoi se Shqipëria ka qenë e angazhuar në këtë proces edhe përpara ndryshimeve të fundit politike.
Sipas tij, task-forca shqiptare e ngritur për të menaxhuar mundësitë e tërheqjes së shtetasve nga Siria ka qenë aktive dhe ka hartuar plane konkrete për këtë qëllim. Ai shpjegoi se këto përpjekje janë bërë në bashkëpunim me partnerët strategjikë ndërkombëtarë, duke garantuar një qasje të koordinuar dhe të qëndrueshme.
Ministri theksoi se situata aktuale në Siri, e krijuar pas rënies së Assad-it, ka hapur mundësi të reja për veprime dhe bashkëpunime më të thella.
Duke iu referuar këtyre zhvillimeve, Hasani u shpreh se Shqipëria do të intensifikojë përpjekjet për të siguruar që çdo shqiptar, me vullnetin e tij të lirë, të ketë mundësinë të kthehet në atdhe.
“Edhe përpara rënies së Assad në Siri, task-forca shqiptare për menaxhimin e mundësive të tërheqjes së shtetasve shqiptarë nga Siria ka qenë duke punuar. Kemi pasur plane konkrete për kthimin e shtetasve shqiptarë nga Siria në bashkëpunim me partnerët strategjikë. Realitetet e reja kanë hapur alternativa të reja angazhimi për të cilat do të maksimalizojmë punën që çdo shqiptar me vullnetin e lirë të ketë mundësinë të vijë në vendin e vetë”, u shpreh ai.