Ish-Kryeministri italian, Matteo Renzi, ka shfrytëzuar momentin e arrestimit të ish-Presidentit Ilir Meta, për të kundërshtuar transferimin e emigrantëve që shpëtohen në det nga autoritetet italien në kampin e Gjadrit.

“Ne e dimë që autoritetet shqiptare kanë standarde të ndryshme. Ju e patë në Shqipëri, se çfarë ndodhi me arrestimin e ish-presidentit të Shqipërisë. Ju i patë pamjet se si e nxirrnin në mënyrë brutale nga makina ish-Presidentin e Republikës. Emigrantët bengalezë ndoshta mund t’i shohin këto pamje, imagjinojnë këtë dhe se çfarë mund të ndodhë me ta”, tha Renzi.

Ish-Kryeministri nuk ka nguruar të sulmojë kryeministren Giorgia Meloni që e konsideron si një influencuese dhe jo shtetare.

“E përballur me probleme të ndërlikuara si emigracioni, ajo luan kartën tregtare. Kështu lindi “Operacioni Shqipëria”, të cilin edhe Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, e cilëson si ‘një reklamë elektorale që i shërben Melonit. Ajo kërkon pëlqime në Instagram, nuk e zgjidh problemin. Ajo shkruan një reklamë. Sot të gjithë italianët e dinë se, ndërsa kërkojnë sakrifica për ligjin e buxhetit, më shumë se 700 milionë euro po shpërdorohen në një qendër të padobishme emigrantësh”, tha Renzi.

Dhe lidhur me vendimin e Gjykatës së Romës, Renzi shprehet se vendimi i gjyqtarëve që refuzojnë transferimin e emigrantëve, është një vendim i drejtë, në përputhje me ligjin evropian, nuk ka asnjë diskutim për këtë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb