TIRANE – Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti sot në takim kryeministrin e Italisë, Matteo Renzi. Duke i uruar zotit Renzi mirëseardhjen në Shqipëri, kryeparlamentari Meta, vlerësoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Italisë, shprehur më së miri gjatë këtij viti me vizitat e suksesshme të nivelit më të lartë, që janë tregues i qartë i vullnetit për intensifikim dhe konkretizim të gjithanshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Kryetari i Kuvendit i shprehu mirënjohjen Renzit për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer që Italia i ka dhënë Shqipërisë në proceset e saj integruese. Gjithashtu, Meta vlerësoi rolin pozitiv që Italia ka luajtur dhe mund të luajë në të ardhmen për zhvillimet dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit.
Nga ana e tij Renzi, rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të Italisë për vendin tonë si dhe gatishmërinë e plotë për bashkëpunim në të gjitha fushat. Gjithashtu, Renzi përgëzoi Kuvendit e Shqipërisë dhe institucionet e tjera për vendosmërinë e treguar në ecjen përpara me axhendën evropiane.
Me falënderimet për pritjen dhe urimet më të përzemërta për një Vit të Ri të mbarë e të suksesshëm, në mbyllje të takimit Renzi u shpreh se “Shqipëria nuk ka nevojë të hyjë në Evropë pasi ajo është pjesë e saj”.
Të pranishëm në takimin mes kryeparlamentarit meta dhe kryeministrit italian ishin edhe Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruci, Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili dhe Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Integrimit, Majlinda Bregu.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: