Replikat në Kuvend dhe debatet për shkak të situatës së djeshme në Kryesi dhe komisionin hetimor për koncesionet në Shëndetësi kanë vijuar për gati dy orë në seancën plenare.

Deputetët e opozitës kanë hedhur akuza të forta ndaj maxhorancës. Ndërkohë deputetja e PD-së Elda Hoti tha se Ilir Beqaj lëvizte i lirë në Kryesinë e Kuvendit pasi Garda ishte e zënë duke shoqëruar kryetaren e parlamentit Elisa Spiropali në Panairin e Librit.

“Ilir Beqaj lëvizte i lirë mbrëmë dhe dy ditë me radhë nëpër korridoret e Kuvendit sepse 30 gardistë dje ishin të zënë duke shoqëruar zonjën Spiropali se do të shkonte në panairin e Librit. Znj. Spiropali mos e keqpërdor Gardën e Republikës për paradën tuaj të modës. E paprecedentë zonjë ajo që ndodhi në komisionin hetimor”, tha Hoti.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Spiropalit, e cila tha se dje për vizitë kishte qenë homologu i saj nga Maqedonia e Veriut.

“Dje në Kuvendin e Shqipërisë ishte për vizitë kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, i cili bëri një vizitë në Panairin e Librit. Nuk u përdor asnjë punonjës i Gardës për të mbrojtur as kryetarin e kuvendit të Maqedonisë së Veriut dhe as kryetaren e Kuvendit, kanë procedurat e tyre të mbrojtjes”, tha Spiropali.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb