TIRANE-Debatet e nisura pak ditë më parë, fill pas dekorimit të 67 nacionalistëve nga Presidenti Bujar Nishani, janë zhvendosur në seancën e sotme të Kuvendit. Kryeministri, Edi Rama dhe kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka kanë debatuar për qëndrimet e tyre ndaj partizanëve dhe ballistëve.

Replikat kanë kaluar edhe në akuza personale, kur kryeministri Rama u tha se të gjithë përulen para partizanëve të Varrezat e Dëshmorëve. Madje u tha se janë “Pasardhës të ballistëve të Shefqet Musarait”.

Nga kjo deklaratë reagoi deputeti Paloka, duke iu drejtuar Ramës, “Im atë ka qenë partizan. Nnuk di ç’ka qenë yt atë në atë kohë, po im atë nuk do e bënte kurrë atë qe po bën ti (Rama) sot që të mbroj krimet për të cilat vetë Mehmet Shehu është shprehur që në atë kohë se ka qenë një gabim. Ti mburresh me veprat e babait dhe mburresh më shumë jo me monumentet e Enverit që ka bërë yt atë e në hijen e të cilave je rritur, por me firmën e tij për pushkatimin e poetëve kur ishte në presidiumin e Kuvendit Popullor”.

Pas kësaj ka reaguar kryeministri që gjatë replikës i tha: “Ti djalë partizani, je këmba që çohesh për ti rënë kokës, je shembull degradues i një historie ëndrrash dhe shpresash që i dha jetë PD. Sot përfaqësohet nga ty djali i partizanit që rreh gjoksin për pulat e Ballit Kombëtar”.

Debatet mes tyre kanë vijuar edhe sa i takon gjendjes së fermerëve në vend, dhe sektorit bujqësor në tërësi.

Deputetët demokratë po akuzojnë nga foltorja e Kuvendit, kryeministrin Rama se nuk ka mbajtur premtimet e bëra gjatë fushatës, dhe se sipas tyre nuk kanë krijuar mundësi për shitjen e prodhimeve të tyre.

Por këto deklarata kanë ngjallur reagimin e kryeministrit Rama, i cili tha se eksportet e prodhimeve bujqësore kanë shënuar rritje.


DEBATET RAMA-PALOKA
Edi Rama: Do ishte mirë që Universitetit Bujqësor të mos i kishit vënë kazmën paraprakisht. Për ju ishe hapësira e lëmoshave, për ne është hapësira e një zhvillimi, që bazohet tek investime të bazuara në logjikën e tregut. Mirë që nuk bëtë asgjë për të krijuar tregun e tokës, mirë që i latë fermerët në mëshirën e fatit, pa pronën e tyre, bazuar mbi ligji 7501, mirë që nuk lëvizët as gishtin që t’i çonit ujin në parcelë dhe nxorët jashtë përdorimit me mijëra hektarë për shkak të përdorimit të ujit. Bllokuat qindra kilometra të kanaleve kulluese për shkak të rrugëve pa plan. E shkatërruat Universitetin Bujqësor, atë qendër ekselencë që sot duhet të ishte pararoja e zhvillimit të qëndrueshëm të bujqësisë. Ne jemi angazhuar në një synim konkret për ta rikthyer Universitetin Bujqësor në krye të detyrës së vet. Nuk duhet të jepen vetëm leksione, por të zhvillohen praktika të standardeve europiane. Aty duhet të drejtohet çdo biznes e fermer për të marrë informacionin e duhur për zhvillimin e projekteve të tyre. Jeni shkatërruesit në çdo sektor. Mundohuni që përveç kritikave, që është detyra juaj, të jepni edhe një ide. Na thoni si mund të bëhet më mirë, nëse ne po e bëjmë gabim. Sa për kanabisin mos u shqetësoni fare, se nuk është si thoni ju. Referojuni shifrave të eksporteve bujqësore, dhe do të shihni se janë më të lartat ndonjëherë. Janë produkte që tregtohen jashtë vendin tonë, dhe s’kanë asnjë lidhje me kanabisin që thoni ju.


Edi Paloka:
Ju përkeqësuat gjendjen e fermerëve. Premtuat shumë gjëra, po s’bëtë gjë. Rritet çmimin e energjisë, të naftës, taksat, TVSH. Këto po ua thonë fermerët çdo ditë, por ky nuk e pranon. Ato çfarë po themi ne janë probleme që i ngrenë fermerët, madje dhe në takimet me Ramën. Ndërkohë Rama këtyre shqetësimeve ju përgjigjet me batutat e tij bajate; dikujt i thotë si të duron gruaja në shtëpi, dikujt qenke i dehur, apo unë jam me Partizanin. Ky thotë janë rritur eksportet për prodhimet bujqësore. Po është rritur eksporti i kanabisit. 20 ton në dy javë janë kapur. Ky është realiteti i bujqësisë së këtij zotërisë.

Edi Rama:
Unë jam me Partizanin, nuk jam me Ballin Kombëtar. Nuk ka arsye për të dalë këtu në emër të Ballit Kombëtar, në emër të Ballit këtu mund të kujtoni sa pula keni shqyer kur keni qenë në qeveri. E keni trajtuar vendin si një pulë që e keni shqyer nga të gjitha anët. Keni shumë të drejtë t’i dekoroni, sepse jeni njësoj si ata. Kur shkoni aty te varrezat e dëshmorëve dhe shkoni përkuleni aty, se s’keni rrugë tjetër, të partizanët jeni. Aty do përkuleni se s’keni ç’bëni. Sa për fermerët, janë shumë më të zgjuar nga sa i kujtoni ju. Eksperienca e tyre është mëse e mjaftueshme për të kuptuar se ju silleni si në cirk, kur u thoni se u janë rritur taksat. Asnjë taksë nuk është rritur në fshat. Ama u është rritur rimbursimi i TVSh për prodhimet bujqësore.


Edi Paloka:
Kisha dëgjuar çdo lloj flote, po flotë ekskavatorësh e kam dëgjuar nga ti (Rama). E në fakt edhe ata i ke dhuratë nga Kina. Flet për subvencione, po ti e di për çfarë farash bëhet fjalë, se i jepni për kastravec e del kungull. Sa për partizanët e bën debatin bosh. Im atë ka qenë partizan. Nnuk di ç’ka qenë yt atë në atë kohë, po im atë nuk do e bënte kurrë atë qe po bën ti (Rama) sot që të mbroj krimet për të cilat vetë Mehmet Shehu është shprehur që në atë kohë se ka qenë një gabim. Ti mburresh me veprat e babait dhe mburresh më shumë jo me monumentet e Enverit që ka bërë yt atë e në hijen e të cilave je rritur, por me firmën e tij për pushkatimin e poetëve kur ishte në presidiumin e Kuvendit Popullor.

 

Rama-Palokës: Është aritmetika e Saliut jo ajo që ke mësuar në shkollë falë babait partizan. 10 ekskavatorë kanë ardhur me kërkesën tonë, aty e keni pasur Kinën edhe më parë. Janë edhe 61 të tjerë që janë financim i bordit të bujqësisë i këtij shteti. I fundit që ka ardhur për bujqësinë erdhi në 2005. Këto janë fakte s’kemi çfarë flisni fare. Sa për ata që u vranë në mënyrë të padrejtë mos i ngatërro këtu. Kur flet për ballin ka pasur patriotë dhe nacionalistë të ndershëm, këtë se ka vënë askush në diskutim përveç Saliut. Që ju jeni pasardhësit e Ballit Kombëtar të Shefqet Musait kjo s’ka pikë dyshimi. Ti djalë partizani që je këmba që çohesh për ti rënë kokës, je shembull degradues i një historie ëndrrash dhe shpresash që i dha jetë PD. Sot përfaqësohet nga ty djali i partizanit që rreh gjoksin për pulat e Ballit Kombëtar.


KUVENDI DISKUTON DISA PROJEKTLIGJE
Në rendin e ditës së seancës së sotme parlamentare janë disa projektligje, si ai për “Për falimentimin”, që synon të caktojë rregulla të detyrueshme dhe të barabarta, si dhe të lehtësojë zgjidhjen dhe shlyerjen e detyrimeve të debitorit brenda ose jashtë procedurës së falimentimit.

Kjo është dhe arsyeja, qe pr/ligji në fjalë shoqërohet dhe me ndryshime në Kodin Civil dhe ne Kodin e Procedurës Civile, që gjithashtu janë pjesë e axhendës se séancës së sotme. Në punimet e parlamentit përfshihet gjithashtu dhe një shtesë në ligjin “Per organizimin dhe funksionimin e Sherbimit to Permbarimit Gjyqesor”, si dhe disa ndryshime në ligjin “Per sherbimin permbarimor gjyqesor privat”.

Projektligji “Per mbrojtjen e bimeve” dhe ai “Per prodhimin biologjik, etiketimin e produkteve biologjike dhe kontrollin e tyre”, pjesë e përafrimit me legjislacionin e BE-së, janë dy draftet e tjera që i propozohen seances parlamentare të radhës.

(ed.me/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb