TIRANE – Vajza e shkrimtarit të madh Dritëro Agolli nuk ka lejuar të kalojnë në heshtje akuzat e Marie Poradecit, e bija e shkrimtarit Lasgush Poradeci.
Elona Agolli ka zgjedhur një poezi që babai i saj i ka kushtuar Lasgush Poradecit, si përgjigje ndaj akuzave të Marie Poradecit, e cila pretendon se ka qenë pikërisht Dritëro Agolli ai që dha urdhrin për të varrosur Poradecin si njeri i thjeshtë, pa bërë homazhe në nderim të tij.

13627021_656923217822661_1987893650628469779_n

 

NË VEND TË NJË REPLIKE ME MARIE PORADECIN
LASGUSHIANE-Nga Dritëro Agolli
Në çetelet e kujtimit, siç këndoi Lasgushi i madh,
Veli yt i çupërisë nëpër mjegull vitesh zbardh.
Kur me helm po pija kupën, siç e piu Sokrati plak,
Ti më the ta pinim bashkë, veç të prisnim edhe pak.
Ti the pak, po prita shumë, – mëndje turbullt gjithë ujem,-
Dhe pastaj e fsheha kupën të shpëtoja nga ky helm.

S’e besoj të vish ta pijmë, as të dukesh më në prag,
Helmi i hershëm nuk na duhet: ti je plakë e unë plak …
Në çdo plak e në çdo plakë helmi fshehur rri në trup,
S’ka pse helm të marrim vetë dhe të bëhemi për turp.
Helmi herët duhej marrë, pa u ndarë as unë as ti,
Se tani ka pleqëria helm me poçe dhe kusi.
Në çetelet e kujtimit, siç këndoi Lasgushi i madh,
Veli yt i çupërisë nëpër mjegull vitesh zbardh …

13876504_1069949929748198_412627836525323914_n

AKUZAT E MARIE PORADECIT
Një ditë më parë vajza e shkrimtarit të njohur Lasgush Poradeci, Marie Poradeci ka rrëfyer në faqen e saj në “Facebook” arsyen se përse nuk u kryen homazhe në nderim të babait të saj, dhe zbuloi personin që urdhëroi varrosjen e shkrimtarit si njeri i zakonshëm.
Marie Poradeci shkruan se ishte pikërisht Dritëro Agolli, në atë kohë Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, që nuk ka pranuar që trupi i babit të saj të vendosej në Shtëpinë e Kulturës, ku mund t’i jepte lamtumirën e fundit i gjithë qyteti i tij.

STATUSI I PLOTË:
Ishte qershor i vitit 1982. Babai im, që ishte me motrën në Pogradec, pësoi një ishemi cerebrale shumë të fortë. Atëhere ai ishte 83 vjeç. Unë dhe mamaja ishim në Tiranë. Mamaja kishte mbi 10 vjet që vuante nga një artrit i fortë deformant dhe lëvizte me shumë vështirësi. Motra e shkretë midis lotëve na lajmëroi, duke na e bërë gjendjen e tij shumë serioze.
Mes njëmijë vështirësive vendosëm të shkonim në Pogradec. Duhej të ishim atje sa më shpejt, sepse ndoshta ishte hera e fundit që e shikonim. Me mundim të madh gjetëm një taksi dhe me gjithë gjendjen e rënduar të mamasë u nisëm në orën shtatë të darkës. Gjithë rrugës qanim të dyja në heshtje. Qanim dhe mendonim. Eh sa shumë gjëra! Arritëm në Pogradec rreth mesnatës. Gjendja e babait shumë e rënduar.
Shumë pogradecarë të shqetësuar vinin poshtë te dera dhe pyesnin për gjendjen e tij. Në këto ditë, kur im atë luftonte me vdekjen, vjen në Pogradec me makinën e tij, Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve Dritero Agolli. Sigurisht, shkrimtari komunist, nuk erdhi në shtëpinë tonë, qoftë edhe për të bërë një vizitë kortezie tek i sëmuri, sipas zakonit shqiptar. Dikush guxoi dhe i tha: në qoftë se Lasgushi vdes a duhet ta vendosim trupin e tij në Shtëpinë e Kulturës, për t’i bërë homazhe dhe t’i japë lamtumirën e fundit i gjithë qyteti i tij, ai u përgjigj prerë: Jo, jo ai do varroset si njeri i zakonshëm.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb