Si të kalosh një fundjavë? Kjo është pyetja që shoqëron çdokënd, në kërkim të relaksit dhe argëtimit, kryesisht me familjen. Dëshira të shumta, por mundësi të pakta. Kjo është ajo që del në pah nga një vëzhgim i bërë në disa nga qytetet kryesore të vendit, aty ku jeta kulturore lë shumë për të dëshiruar.

Ndërsa kryeqyteti ka intesitet aktivitetesh në teatrin kombëtar, atë eksperimental, kinema, apo në teatrin e operas e baletit, koncerte, ekspozita dhe muze ku artdashësit mund të kalojnë orët e pushimit dhe të kënaqin shijet e tyre estetike, jashtë metropolit ritmi i jetës artistike ulet ndjeshëm, ndërsa në shumë qytete mund të thuhet se nuk ka aspak jetë artistike dhe njerëzit e kalojnë kohën më së shumti kafeneve. Dëshira të shumta, por mundësi të pakta. Kjo është ajo që del në pah nga një vëzhgim në disa nga qytetet kryesore në vend.

Shkodra…djepi i kulturës
Shkodra është një nga qytetet që pas Tiranës ka jetë të pasur kulturore, krahasuar me qytetet e tjera. Fundjava ofron aktivitete për qytetarët e Shkodrës, por qytetarë dhe turistë deklarojnë se ka nevojë për t’i kuruar më shumë këto aktivitete kulturore, për të rritur cilësinë e performancës, apo edhe më shumë promovim për jetën kulturore.
“Mendoj se ka aktivitete të ndryshme në fundjavë në Shkodër. Por, si një amerikane mendoj se duhen promovuar më shumë. Shkodra është kryeqyteti Shqipërisë për artin e kulturën. Shqipëria, e cila ka një histori të pasur kulturore, duhet ta cojë përpara atë dhe të rrisë zhvillimin kulturor, veçanërisht në Shkodër.” – deklaron një turiste e huaj.
Qytetarët kërkojnë ndër të tjera, rikthimin e orkestrës simfonike të qytetit.

Pogradeci…i Lasgushit
Bukuritë natyrore, klima, pozita gjeografike, mikpritja dhe njerëzit punëtorë e bëjnë qytetin e Pogradecit një ndër më te veçantët dhe më të preferuarit për të kaluar një fundjavë ndryshe. Me dhjetra vizitorë të ardhur nga qytete të ndryshme apo edhe jashtë kufijve të Shqipërisë zgjedhin këtë qytet të bukur për t’u larguar nga monotonia e përditshme dhe për të gjetur pak më shumë qetësi shpirtërore. Pogradeci i Lasgushit, i cili aq shumë shkroi e foli për liqenin. Ende sot ai tërheq pranë vetes vecanërisht në fundjavë qindra persona, mes tyre vetë banorët e zonës…te tjerë për të peshkuar, dëshirë e trashëguar brez pas brezi. Por, për vetë qytetarët e Pogradecit, nuk ka asnjë risi për të kaluar ditët dhë mbrëmjet e ftohta. Pogradecarët janë bërë nostalgjikë, dhe vetëm kujtojnë jetën artistike të dikurshme, e cila tashmë nuk ekziston. Të moshuarit shprehen se kjo jetë artistike, është zëvendësuar me një atmosferë të vakët, që karakterizohet nga vetëm një shëtitje buzë liqenit

Korça e serenatave
Pak kimoletra me larg, Korça e bukur e serenatave vijon te jetë një ndër qytetet ku ende ka jetë aktive kulturore, edhe pse më e vakët në periudhën e dimrit. Drejtorja e Teatrit “Andon Zako Çajupi” Zamira Kita bën me dije se ka një sërë projektesh që pritet të vihen në skenë këtë sezon dhe se mungesa e ambienteve të teatrit, që është në proces rikobnstruksioni, nuk është një pengesë për zbatimin e këtyre projekteve.

Durrësi…të gjithë drejt detit!
Teatri “Aleksandër Moisiu” mbetet pika referuese e aktiviteteve kulturore artistike në qytetin e Durrësit. Shfaqjet dhe aktivitetet nuk kanë qenë të pakta, por vetëm teatri nuk mund të mbushë të gjithë boshllëkun që krijon mungesa e kinemasë, apo shfaqjeve për fëmijë. Këta të fundit nuk kanë ku të agëtohen, në mungesë të aktiviteteve kulturore. E kjo përgjumje zgjat muaj të tërë. Ndërkohë, rinia durrsake, në mungesë të një kinemaje i drejtohet kryeqytetit ose gjen zgjidhje te filmat e shkarkuar përmes internetit.

Fieri…dikur shfaqje të shumta po sot?
Ndryshe është situata në Fier, qyteti që pavarësisht se është pak km larg detit, nuk e sheh si mundësi fundjavën aty. Dikur, i cilësuar si një vatër e rëndësishme kulturore për shkak të estradës profesioniste e shfaqjeve të shumta që ajo prodhonte, tashmë nga kjo traditë ka mbetur shumë pak. Qytetarët ankohen se jeta në fundjavë, ashtu si edhe gjatë ditëve të tjera, është kthyer në monotone. “Shfaqjet ne teatrin “Bylis” janë të pakta, ndërsa shpesh ato lënë për të dëshiruar në aspektin e cilësisë.” – deklarojnë fierakët. Por ka edhe nga ata, që nuk e e dinë as se çfarë ndodh me jetën kulturore.

Jeta kulturore në qytetet e UNESCO-s
Sapo përmend qytetet e UNESCO-s Beratin dhe Gjirokastrën mendon se jeta kultutore aty duhet të jetë e larmishme, por nëse bën një vëzhgim të thjeshtë, e kupton se edhe aty ka për cfarë të ankohesh
Jeta është më e vakët dhe monotone në qytetin e “një mbi një dritareve”, ku jeta në fundjavë karakterizohet nga dy aktivitete: kafe dhe xhiro në bulevard. Qyteti muze nuk ofron asnjë lloj argëtimi për beratasit, që i kalojnë ditët dhe fundjavët duke ndjekur të gjithë së bashku një rutinë të mërzitshme. Ky qytet nuk ka asnjë kinema, pasi e vetmja që ekzistonte dikur, ka dalë jashtë funksionitt që nga trazirat e vitit 1997, kur u dogj e u shkatërrua, për të mbetur pas kësaj në harresë të plotë. E sikur të mos mjaftonte në Berat mungojnë edhe aktivitet te tjera kulturore, si estrada, teatri i kukullave për fëmijët, etj. Fillimi i kësaj vere që shkoi kujtohet nga qytetarët si një periudhë e artë, kur për një javë rresht u organizuan aktivitete të shumta si: panaire, ekspozita dhe koncerte, me rastin e celjes së sezonit turistik. Të rinjtë janë ata që e ndiejnë më shumë monotoninë, e që ngecin në kurthin e një rrethi vicioz të kafeneve, xhirove e në raste në të rralla aktivitetet fizike në palestra, ndërsa jeta e natës, as që mund të imagjinohet. “Vajzat i sheh në qarkullim deri rreth orës 19.00, e paskësaj në rrugë has vetëm gjininë mashkullore”- deklarojnë të rinjtë.

Qyteti i gurtë i Gjirokastrës vizitohet nga mijëra turistë të ardhur nga qytete të ndryshme apo jashtë kufijve të vendit, ndërsa vendasit e kanë shuar kureshtjen për të fshehtat dhe të shkuarën e qytetit të tyre. Vizitat në zonën muzeale janë më intensive vecanërisht në fundjava. Por pas kësaj shëtitjeje, dita duket se mbetet e zbrazët. Mungesa e jetës kulturore ndihet nga të rinjtë, pjesa më e madhe e të cilëve kohën e kalon në kafene apo në rastin më të mirë në palestra. Ndërsa për shumë të tjerë parku i viroit mbetet alternativa e vetme brenda qytetit, natyrisht kur moti është i mirë. E në mungesë të jetës kulturore, dalin në pah veset. “Bixhoz, kazino, bixhoz….kjo është jeta jonë në fundjavë!”- thotë një adoleshent. Jeta e vogëlushëve në fundjavë mbetet gjithashtu e zbrazët. Teatri i dikurshëm i kukullave tashmë nuk ekziston. Pak muaj më parë, aktorët e teatrit “Zihni Sako” ndërmorrën inisiativën e risjelljes së një shfaqjeje teatrore me kukulla, që rezultoi tepër e suksesshme, po aq sa ishte një iniciativë e lënë në mes. Mënyra e vetme e argëtimi për fëmijët janë shëtitjet apo lojërat elektronike.

Saranda…qyteti me dy pamje
Qyteti i bregdetar i Sarandës, i cilësuar shpesh si perlë turistike, ofron dy pamje të ndryshme brenda një viti. Rrugët gëlojnë nga turma njerëzish në sezonin e verës, ndërsa në dimër ndien vetëm zbrazëti e monotoni, ku i vetmi që qendron aty në çdo stinë është deti, tashmë edhe ai i heshtur dhe gri. Në rrugë sheh më së shumti të moshuar. Lokalet e qytetit të cilët në verë qendrojnë të hapura thuajse 24 orë, tashmë ose janë të mbyllura ose frekuentohen nga shumë pak njerëz. Ashtu si në qytete të tjera, edhe këtu mungon jeta artistike e kulturore. Prej shumë vitesh edhe këtu mungon kinemaja, e kështu jeta e banorëve është tepër monotone. Në qendër të qytetit ndodhet edhe kinoteatri “Butrinti”, me një jetë mbi 40 – vjeçare, i amortizuar, e që përdoret më së shumti për aktivitete partiake, ndërsa ato artistike janë gjithmonë e më të rralla. Saranda ka një Qendër Kulturore me një bërthamë të moderuar aktorësh. Aty, si rrallë herë po punohet për një aktivitet për festat e nëntorit, ndërsa aktivitetet e fundjavës mungojnë, kjo për shkak të mungesës së fondeve

Ndërsa flitet për strategji në zhvillimin e sektorit të kulturës, në një prekje të lehtë në vetëm disa prej qyteve kuptohet se ajo që është bërë është shumë pak. Kjo mangësi ndikon drejtëpërdrejtë në jetesën e qytetarëve, të cilët mes një jete pasive e monotone, nuk kanë sesi të mendojnë pozitivisht për qytetin e tyre… (News24)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: