E kisha menduar krejt ndryshe. Një vend të rrëmujshëm, me sistem anapulla në transport e milingonajën njerëzore veshur me ngjyrë gri, që lëvizte pa pushim po nëpër rrugët gri. Ndërsa avioni po ulej në Pekin (Bejing), ajo përshtypje mu fiksua edhe më shumë, ndërsa malet-kodra më dukeshin të zhveshura e pajetë. Një vajzë simpatike që mbante në duar emrin tim do më shoqëronte në hotel, ku do të bashkohesha me pjesën tjetër të grupit të delegacionit të 28 gazetarëve të ardhur nga 16 vende të Ballkanit dhe Europës Qendrore e Lindore, nga Estonia në Shqipëri. Teksa udhëtonim në autostradën që lidhte aeroportin e qendrën me Pekinit, pyje të lartë rrapesh e plepash, shtrirë anash nga të dyja krahët e autostradës na shoqëruan deri brenda qytetit e vijuan të ravijëzohen në korridore të gjelbra, por shtuar me manjola, mimoza e begonja shumëngjyrëshe, që dikur në Tiranë ne i quanim begonja kineze. Pekini është plot ngjyra, rrugë të pastra (nuk gjen një filtër cigare) e lulishte të kudondodhura. Nuk është i rrëmujshëm, madje aq sistematik sa duket si pjesë e filmave fantastiko-shkencorë, “Star Wars”.

Delisula
Delisula

Temperatura është rreth 32 gradë, sepse është pasdite, megjithatë ajri është shumë i ngrohtë, i palëvizshëm. Ndërtesat e xhamta në ‘down-town’ lartësohen njëra pas tjetrës, a thua se janë në garë për të qenë kush e kush më e lartë e më e bukur. E lodhur pas një transiti 12-orësh në Stamboll, të cilin e shfrytëzova për të dalë në qendër dhe në pazarin e Stambollit, ku ndodhet edhe restoranti i kuzhinierit me famë botërore Nusretit, në të cilin shijova hamburgerin fantastik dhe bakllavanë me akullore, doja vetëm të shtrija këmbët e tejlodhura, të ënjtura edhe nga 10.5 orë udhëtim nga Stambolli në Pekin. Për fat hapa programin ku pashë se vetëm pas 15 minutash duhet të isha në darkën që ambasadorja Huo Yuzhen, përfaqësuesja speciale e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, do të shtronte për delegacionin e gazetarëve. Darkë e këndshme, pa shumë protokoll e fjalime, me një prezantim të zonjës Huo që na uroi mirëseardhjen e një prezantim tonin për t’u njohur më mirë nga ishim e ku punonim. Unë isha e vetme nga Shqipëria, por jo e vetmja shqiptare, pasi takova Besnik Shukin, redaktor në agjencinë e lajmeve MIA të Maqedonisë Veriore, me të cilin kisha qenë rreth 5 vite më parë në Estoni. Ushqimi në Kinë është shumë i shijshëm e ka aq shumë asortimente në tryezat e rrotullueshme sa nëse s’të pëlqen diçka, ke alternativa zëvendësuese sa të duash. Ndërsa në Changsha duhet të bëni kujdes të zgjidhni të duhurat, pasi janë tejet pikante, përvë-luese thënë më mirë. Gjëja e parë që duhet të bëni me të mbërritur në Kinë është të blini një numër që kushton rreth 20 euro e ka ofertë interneti mjaftueshëm, pasi aty po nuk kishit VPN në celularin tuaj, do e keni shumë të vështirë dhe komunikimin me ‘WiFi’. Dhe e dyta, thyeni paratë në Juan, sepse nuk hasni lehtësisht këmbimore parash, dhe në disa hotele nuk ka.

66317652 3000905229949559 7082239911046152192 N
66317652 3000905229949559 7082239911046152192 N

Sheshi i revolucionit
Mezi prisja të vinte e nesërmja, sepse ishte e pamundur të dilja atë darkë. Kjo edhe për një arsye të thjeshtë, sepse do takonim profesor Wang YIWEI, i cili do të na fliste për iniciativën e ‘Rrugës së Mëndafshit’ dhe lidhjet zinxhir që do krijonte kjo mes Kinës e thuajse të gjitha shteteve. Ah se mu kujtua. Edhe në aeroport, në kontrollin e pasaportave, ne vendet që përfshihemi në ‘Rrugën e Mëndafshit’, kemi sportelet tona, “Belt and Road Iniciative”, i përcaktuar ndryshe “Rrugët e Reja të Mëndafshit”, gjë që më bëri të ndjehem e favorizuar, sepse nuk has radhë. Profesor Wang është me famë ndërkombëtare. Në jetën e tij akademike numërohen 20 libra, mbi 200 analiza akademike dhe 1000 komente në shtyp. Profesori na shpjegoi se BRI (Belt and Road Iniciative) do të mbulojë 65 vende ose 4.4 bilionë njerëz, ndryshe 63 për qind të botës dhe 29 për qind të GDP botërore, duke u bërë korridori ekonomik më i gjatë në rruzull. Ai na tregoi për eksperiencën kineze, sipas së cilës: Nëse do të bëhesh i pasur, ndërto rrugë; nëse do të bëhesh më i pasur, ndërto rrugë automobilistike; nëse do të bëhesh me pasuri, ndërto rrugën e internetit dhe nëse do të pasurohemi së bashku, ndërlidh rrugën mes Kinës dhe botës nëpërmjet BRI. Qëllimi kryesor i “Bealt Road Iniciative” është lehtësimi i investimeve dhe i tre-gtisë, fuqizimi i bashkëpunimit ekonomik e teknik, shfrytëzimi i tregut të madh euroaziatik, optimizmi i shpërndarjes së burimeve e tregtisë, progresi i integrimit ekonomik rajonal dhe realizimi i zhvillimit të sinkronizuar social-ekonomik. Një nga propozimet ambicioze të Kinës është rruga ekspres e detit dhe tokës që lidh portin e Pireut në Greqi me Maqedoninë Veriore, Serbinë e në fund me Hungarinë. E gjitha kjo më risolli në mend një shprehje të mendimtarit kinez Konfucit, i cili pat thënë: “Kjo botë do të ndahet pas bashkimit e më pas do të bashkohet pas nda-rjes”…

64991357 454697521757874 7390377091247636480 N

Sheshi “Tiananmen” duket si i ngrirë 30 vjet pas ditës së 4 qershorit, ku tanket shtypën qindra apo mijëra protestues (shifra nuk dihet e saktë), pas urdhrit të udhëheqësit Deng Xiaoping. Në hyrje të sheshit, i cili lidhet edhe me qendrën historike të Pekinit skanerë e policë kontrollojnë çantat e njerëzit. Në këtë shesh ndodhet mauzoleumi i njeriut mbase më të rëndësishëm në Kinën e shekullit XX, emrin e të cilit e kisha kyçur prej vitesh mes librave të historisë para ’90-ës, Mao Cedung. Nuk e di pse atë ditë s’mundëm të afroheshim për ta vizituar e sipas një vajze që takova në rrugë, kishte pasur një aktivitet, ndaj kishte edhe shumë policë. Gjithsesi, nëse jeni pranë sheshit “Tiananmen”, vizitoni rrugicat e “Qianmen”-it dhe hani një drekë apo darkë në restorantin më të famshëm që quhet “Roast Duck Restaurant”, (Pata e Pjekur) që ruante autenticitetin e recetës si dhe pamjen e jashtme të fasadës, ndërtuar në kohën e dinastisë Qing. Në dorë më ra një gazetë kineze, faqosja e së cilës ishte ndryshe nga tonat dhe në bisedën që patëm me Unionin e Gazetarëve Kinezë që ka anëtarë 213 grupe mediatike, përfshi “Xinhua News”, “The People Daily News”, “China National Radio”…, liria e medias është në nivele të larta. Në Kinë botimi i lajmeve të rreme është i dënueshëm me burg dhe njerëzit nuk kanë akses të hedhin lloj-lloj videosh në media.

Universiteti i Pekinit
“Gjuha jonë sa e mirë, sa e ëmbël sa e dlirë…” e interpretuar nga një studentë kineze që studion gjuhë shqipe, i bën edhe më të fuqishme vargjet e të madhit Naim Frashëri ndërsa unë e Besniku, shqiptar i Maqedonisë, përlotemi tek dëgjojmë në sallën e mbushur me studentë, gjuhën tonë. Universiteti Ndërkombëtar i Studimeve në Pekin (BISU), multidisiplinar, u themelua në vitin 1964 me suportin e Zhou Enlait dhe ofron degë menaxhimi, ekonomik, letërsi, gjuhë të huaja, 20 të tilla mes të cilave edhe shqipja, si dhe turizëm dhe rreth 10 mijë studentë, përfshi dhe 700 studentë të ardhur nga vende të ndryshme të botës. Në katedrën e Gjuhës Shqipe, e cila ka dy vite që është hapur janë 20 studentë, të cilët ndiqen nga tre pedagogë, mes të cilëve një shqiptar. Sipas tyre, problem mbetet mungesa e teksteve në gjuhën shqipe, ndërsa burim është vetëm interneti. Kisha tentuar të lidhem me ambasadorin shqiptar në Kinë, z.Selim Belortaja, por ai edhe pse e lexoi mesazhin, nuk ktheu asnjë përgjigje… Përpjekje të dytë për ta pyetur mbi nxitjen e të mësuarit të shqipes në Pekin, nuk bëra. Për fat nuk pata ndonjë problem gjatë qëndrimit tim në Kinë, se ndryshe do më duhej ta zgjidhja vetë. Pas shpjegimit nga dekania e universitetit të Pekinit mbi programet, bursat e mundësitë e mira të shkollimit aty, studentët më ftuan në klasën e tyre ndërsa kishin përgatitur një program me historinë e Shqipërisë, recitim poezish, mes të cilëve Dritëro Agolli dhe Edison Ypi si dhe një këngë përmbyllëse, të cilën e kënduam të gjithë. Disa prej tyre do të vijnë në Tiranë për të ndjekur një vit studimi që të përvetësojnë shqipen mes nesh dhe shpresoj që Universiteti i Tiranës t’ua lehtësojë e bëjë më të këndshëm qëndrimin në Shqipëri. Kur sheh se ka plot shqiptarë nëpër botë, fëmijët e të cilëve nuk flasin shqip, mu rrit respekti për këta të rinj që vlerësojnë gjuhën time, gjuhën tonë. Pas përqafimeve të ngrohta që më dhuruan, klasa e shqipes më kishte blerë dhe një dhuratë për kujtim, një komplet çaji porcelani, super i bukur.

Reportazhin e Plotë e lexoni në Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb