Nga: VELI HAKLAJ

Ndër 61 shtetet e përfshira në luftimet e përgjakshme të Luftës së Dytë Botërore ishte edhe Shqipëria dhe shqiptarët në viset etnike shqiptare që iu aneksuan Jugosllavisë së Versajës. Pasi Jugosllavia kapitulloi në luftën e prillit 1941, u bë edhe copëtimi i saj. Për të arritur marrëveshjen për ndarjen përfundimtare të Jugosllavisë, më 21 dhe 22 prill 1941, u zhvillua Konferenca e Vjenës me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të autoriteteve shtetërore gjermane dhe italiane, përkatësisht Joachim von Ribentrop dhe Kontit Çiano. Sipas vendimit të Konferencës së Vjenës, tërë territori i Kosovës së sotme u nda në tri pjesë: Serbisë si zonë okupuese gjermane, Italisë dhe Bullgarisë. Për copëtimin e Kosovës përfaqësuesit e shteteve të interesuara përmendën arsyet etnike, por përparësi në marrjen e vendimeve kishte interesi ekonomik. Vija e demarkacionit u vendos më 23 prill, por gjatë kohës që vendosej kufiri në Kosovë pati dhe lëshime. Pjesa më e madhe e Kosovës mbeti nën pushtimin e italianëve. Ajo i aneksohej Shqipërisë me dekretligjin
mbretëror dhe me dekret të Mëkëmbësit të Mbretit nr. 264, datë 12 gusht 1941. Po me këtë dekret Shqipërisë iu aneksua edhe Maqedonia Perëndimore, me qendrat kryesore: Dibra, Struga, Kërçova, Gostivari dhe me një pjesë të Prespës, kështu që vija e demarkacionit në mes Italisë dhe Bullgarisë, në të vërtetë në mes Shqipërisë Etnike dhe Bullgarisë, mbeti e pandryshuar deri në kapitullimin e Italisë. Në këto territore secili pushtues vendosi administratën e vet. Duhet evidentuar fakti se ndërmjet italianëve dhe bullgarëve pati dhe përplasje diplomatike dhe ndonjëherë u bënë edhe grindje të ashpra, sidomos për shkak të vijës së demarkacionit në anën e Lubotenit. Pas kapitullimit të Italisë fashiste, në shtator 1943, Bullgaria përfitoi dhe një pjesë nga territori i Maqedonisë Perëndimore që kishte qenë në zonën e pushtimit italian. Siç rezulton nga dokumentet e shumta arkivore, ndaj popullsisë shqiptare që banonte në trojet e veta në zonën e okupimit bullgar u ushtruan keqtrajtime dhe mizori periodike nga strukturat
shtetërore të Bullgarisë, por dhe nga formacionet paramilitare bullgare, me objektiv shfarosjen dhe largimin e shqiptarëve nga trojet e tyre. Sigurisht që në këto kushte kemi dhe reagimin mbrojtës të shqiptarëve, që pati dhe mbështetje nga strukturat shtetërore të Qeverisë së Tiranës. Këto zhvillime do të jenë objekt i këtij dossieri, që do të publikohet në vijim për lexuesin e “Gazeta Shqiptare”. Për këtë janë shfrytëzuar dokumente arkivore në dosjet që ruhen në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të vitit 1943-1944, ku janë administruar raporte të emigrantëve nga Manastiri, nota verbale dhe korrespondenca të Ministrisë së Jashtme me Ministrinë e Brendshme, Konsullatën Bullgare etj., mbi keqtrajtimin e popullsisë shqiptare nga autoritetet bullgare, si dhe nota të Ministrisë së Jashtme drejtuar Kryekonsullatës Gjermane mbi marrjen e masave për mbrojtjen e shqiptarëve.Autoritetet bullgare arrestojnë
16 shqiptarë në Prespë

Pas largimit të pushtuesve italianë nga territoret shqiptare, Bullgaria zgjeroi territorin e okupuar shqiptar në drejtim të Perëndimit. Këto veprime ushtarake u shoqëruan me masa represive ndaj popullsisë shqiptare. Një rast domethënës për këto zhvillime është dokumentuar dhe në letrën e datës 28 shkurt 1944, që Musa Kranja i drejton Prefekturës së Korçës, ku evidentohet:
“Kam nderin t’i bëj të ditur asaj P. T. Prefekture se një person i jemi i ardhur apostafat nga Prespa, më lajmëron se në muajin nëntor të vitit të kaluar, kur ushtria bullgare ka okupuar vendet e Prespës, që kishin mbetur pa u zënë në shtator, ka arrestuar edhe hequr në drejtim të paditur [16 persona], aq sa deri më sot nuk kanë mundur familjet e tyre të kuptojnë [a janë] gjallë a vdekur, për shkak se kanë bërë pjesë në çetën nacionaliste të Ballit Kombëtar që komandohej prej meje (Musa Kranja).
I lutena nxehtësisht asaj P. T. Prefekture të ketë mirësinë dhe të intervenojë pranë kompetentëve që të bëhen demarshet e duhura si pranë Qeverisë Bullgare ashtu edhe pranë komandave ushtarake gjermane që të urdhërohet lirimi i tyre ose ndryshe t’i njoftohet familjes së tyre mbi fatin që kanë pësuar”.
Bashkangjitun letrës paraqitet dhe lista e personave që mungonin: Riza Mehmeti, Memish Neziri, Ejup Bari, Myslim Shabani, Qamil Rexhepi, Dalip Hasani, Nazmi Myftari, Mehmet Gerçani, nga Gerçani; Shaban Demiri, Sabri Aliu, Istref Nexhipi, Vesih Shemshedini, Ismail Alemi, Tasim Fazliu, nga Kranja; Tahir Rexhepi, nga Nakoleci; Demir Aliu, nga Zvezda.
Pasi ishte informuar zyrtarisht për këtë problem, më 27 mars 1944, Ministria e Punëve të Brendshme i paraqiti Ministrisë së Punëve të Jashtme kërkesën e z. Musa Kranja, me lutjen që Ministria e Punëve të Jashtme të demarshonte ku duhej për lirimin e tyre ose, në rast të kundërt, me marrë njohuri mbi fatin e tyre, që kështu të vihen në korent familjet e interesueme.

Masakrimet e drazhistave në Medvegjë

Veprime antishqiptare të çetave drazhiste u evidentuan edhe në Kosovën Lindore, përkatësisht në Luginën e Preshevës. Me shkresë nr. 307 Rezervat, datë 16 dhjetor 1943, Nënprefektura e Gjilanit informon Prefekturën e Prishtinës se një i quajturi Osman Haliti, nga katundi Svircë i Nënprefekturës së Medvegjës e banues në Gjilan, u ishte drejtue në formë zyrtare tue thanë: “Drazhistat që ndodhen në Nënprefekturën e Medvegjës, të cilët mbajnë emrin “Karovski Adred”, janë tue ba masakrime në katundin Svircë, Tupallë e Gërbac, që janë thjesht shqiptare, si dhe në katundet Ravna-Banja, Stara-Banja, Llapashticë, Kapit, Sjarinc, Gjylekar e Medvegjës, që janë të përzieme. Në të gjitha këto katunde mund të ketë mâ se 4 mijë frymë”.
Meqënëse këto masakrime bëheshin me qëllim që t’i detyronin shqiptarët me u largue nga andej e me ardhë në territorin e administruar nga autoritetet shqiptare, autoritetet vendore të Gjilanit dhe Prishtinës kërkonin ndihmën dhe mendimin e Qeverisë Shqiptare.
Ministria e Punëve të Brend-shme ia përcolli këtë shqetësim të Nënprefekturës së Gjilanit Ministrisë së Punëve të Jashtme me shkresën nr. 138, datë 29 mars 1944, me lutjen që të bâheshin hapat e duhura. Nga ana e saj Ministria e Punëve të Jashtme e njoftoi Ministrinë e Punëve të Brendshme se kjo Ministri nuk ka munguar me bâ, ku duhet, ndërhymjet e nevojshme të rastit për ndalimin e masakrimeve të tilla. Njëkohësisht sugjeronte se do të ishte mirë që t’u jepeshin udhëzime Prefekturës së Prishtinës dhe Nënprefekturës së Gjilanit, në mënyrë që ato të përpiqeshin për me i ndihmue si moralisht ashtu edhe materialisht popullsitë shqiptare që ndodheshin përtej vijës së demarkacionit.

Djelmoshat shqiptarë refuzojnë me shkue nën armën bullgare

Veprimet barbare ndaj shqiptarëve vijuan edhe gjatë gjithë vitit 1944. Që në fillim të janarit, evidentohen raste të largimit të shqiptarëve nga trojet e tyre në zonën e okupimit bullgar, si rezultat i keqtrajtimit dhe torturave që u bëhen. Sipas një njoftimi që Qarkkomanda e Prishtinës i kishte dërguar Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë, rezultonte se “nga Rrethi i Gjilanit, më datën 6 – 7 janar 1944, kanë ardhur nga Bullgaria 15 familje shqiptare të largueme prej se u bëhen tortura prej bullgarëve, të cilët janë vendosur në katundet Malishovë e Uglar.” Për këtë problem, me qëllim marjen e masave të duhura diplomatike, më 19 janar 1944, Ministria e Punëve të Brendshme do të vinte në dijeni Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Për pasojat e këtyre persekutimeve të shqiptarëve në zonën e okupimit bullgar Ministria e Punëve të Jashtme do të merrte dijeni dhe nga shkresa nr. 3059, datë 4 janar 1944, e Kryesisë së Këshillit të Ministrave me të cilën i përcillej radiogrami që Prefektura e Prishtinës i kishte dërguar Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku theksohet: “Meqënëse këto ditët e fundit janë tue kalue kufirin bullgaro – shqiptar me mijëra djelmosha shqiptarë si në krahinën e Gjilanit ashtu edhe në rajonin e Ferizajt, të cilët nuk dëshirojnë me shkue nën armën bullgare si ushtarë të mobilizuem, sepse, siç dihet edhe siç tregojnë, Qevera Bullgare nuk i përdorte si ushtarë, por i shpërndante në vendet e ndryshme si punëtorë, i dërgon edhe në kufirin grek për të meremetue rrugët dhe punë të tjera që poshtënojnë karakterin shqiptar, prandaj lutemi që të kini mirësinë të na njoftoni mënyrën e veprimit dhe n’anën tjetër të ndërhyhet ku duhet për ndalimin e kësaj vepre”.
Në një tel-shifër të ngjashëm të ardhur nga Prefektura e Prizrenit, i cili me shkresën nr. 2482/7ex-43, datë 2 shkurt 1944, nga Zyra Politike e Ministrisë së Punëve të Brendshme, iu dërgua Ministrisë së Punëve të Jashtme, theksohet se autoritetet bullgare kishin thirrë të gjithë shqiptarët prej datëlindjes 1909 deri më 1922 dhe i detyronin të niseshin me punue në rrugët kah kufiri turk. Mbledhja në mes të shqiptarëve dhe largimi i tyne prej vendbanimit për në krahina të largëta kishte tronditur të gjithë elementin shqiptar të Bullgarisë. Nisur nga këto fakte të sigurta që dispononte, Ministria e Brendshme u lutej autoriteteve përkatëse të Ministrisë së Jashtme që “të ndërmjetësohet ngutësisht ku duhet për ndalimin e zbatimit të masës së sipërpërmendun prej autoriteteve bullgare ashtu edhe për keqpërdorimet e tjera që u bâhen shqiptarëve. Përfundimi mundësisht të na njoftohet”.
Persekutimi nga autoritetet bullgare shtrihej edhe mbi familjet e shqiptarëve që kishin pjestarë të larguar nga Bullgaria, si pasojë e keqtrajtimeve. Siç rezulton nga shkresa e datës 17 janar 1944 që Komanda e Sektorit të Kosovës i drejton Komandës së Mbrojtjes Kombëtare: “Para pesë ditëve, komandanti i fuqisë bullgare të Bujanovcit ka thirrë nënprefektin e Gjilanit bashkë me komandantin e Kompanisë së parë të baonit II të këtij regjimenti, që gjendet në Gjjilan, dhe ju ka kërkue kthimin e 500 shqiptarëve që janë arratisë prej Bullgarie. Ai ka shtuar se, në rast se nuk kthehen, do të internohen familjet e tyre”.
Gjithashtu, Komanda e Sektorit të Kosovës ishte informuar se bullgarët kishin lajmëruar Komandën Gjermane se “shqiptarët e arratisun prej tokës bullgare e kanë bërë këtë pse [janë] të paguar nga anglezët për me formue çeta kundra gjermanëve”. Ky informacion autoriteteve ushtarake të Kosovës u rezultonte i pathemeltë.
Nëpërmes kanaleve zyrtare të komunikimit, këto informacione i përcilleshin Zyrës Politike në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Tiranë, e cila pastaj, për marrjen e masave përkatëse, ua përcilllte autoriteteve të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Gjendja ekonomike e shqiptarëve

Situata e krijuar nga lufta në tërësi, por dhe këto mënyra sjelljeje të autoriteteve bullgare kishin bërë që gjendja ekonomike e shqiptarëve të jetë e rënduar.
Simbas komunikimit të Prefekturës së Prishtinës, Ministria e Punëve të Brendshme në Tiranë do të njoftohej se popullsia shqiptare e rrethit të nënprefekturës së Kaçanikut (përtej kufinit) ndodhej në gjendje të ngushtë për bukë, e cila, tue qenë kështu e shtrëngueme nga uria kalonte këndej kufirit për me sigurue sendet e nevojës së parë. Por autoritetet kufitare bullgare, tue e konsiderue kontrabandë sasinë e drithit të blerë në Shqipëri, nga ana e tyre ua sekuestronte dhe i dënonte, çka rëndonte më tepër vuajtjet e tyre.
Nisur nga kjo situatë, me shkresën nr. 3557, datë 18 fruer 1944, Ministria e Punëve të Brendshme i lutej Ministrsë së Punëve të Jashtme që të kishte mirësinë me ra në marrëveshje me Qeverinë Bullgare, “në mënyrë që të lejohen shqiptarët e asaj zone me marrë nga 20 kg për person, në bazë të çertifikatës së gjendjes civile që do të ketë çdo i interesuem”.
Vendosja e kufijve në trojet shqiptare nga autoritetet pushtuese, pa ekspertizën e specialistëve shqiptarë, kishte krijuar dhe paradokse të tilla si ai në katundin Brezhnica (Bujanovc), i cili e kishte pasunin e vet në tokën shqiptare dhe vetëm shtëpitë gjendeshin brenda kufirit bullgar. Gjatë kohës së pushtimit të tyre, autoritetet italiane për këtë gjë nuk ishin interesuar aq fort. Ndërkaq, edhe komandanti bullgar ishte përgjigjë se nuk kishte ndonjë kundërshtim, meqenëse janë toka në pjesën shqiptare, por vetëm donte një urdhër superior që ata të lejoheshin të kalonin dhe të punonin në pronat e tyre.
Një situatë e vështirë ishte krijuar në prill 1944 dhe për shqiptarët që jetonin në komunat Llazaropole dhe Galshenik, të Nënprefekturës së Rekës, të cilët kërkonin t’i lejonin të kthenin në shtëpitë e tyre 30 mijë krenë bagëti të imta që i kishin dërgue për diminim në kullosat e Bullgarisë. Shtetasit Avram Kamile, Sallaman Filipi, Despot Çella, Velo Karka, Jovan Muratovski dhe Tale Karka ishin paraqitur në Prefekturën e Dibrës dhe i kërkonin këto leje meqënëse kishin frikë se mos autoritetet bullgare u nxjerrnin pengesa. Për këtë ishte e domosdoshme ndërhyrja e autoriteteve kompetente shqiptare që të ndërmjetësonin pranë Legatës Bullgare në Tiranë për lëshimin e lejeve relative për shtetasit e komunave në fjalë.

Kush i mbronte shtetasit shqiptarë

I shqetësuar për situatën në të cilën ndodheshin shtetasit shqiptarë, më 16 shkurt 1994, Jani G. Çoni, nga Varna do t’i dërgonte këtë shkresë ministrit të Punëve të Jashtme në Tiranë:

Varna, 16 shkurt 1944 Ministrit të Punëve të Jashtme Tiranë

Shkëlqesë,
Që kur se ikën italianët prej Shqipnie dhe Shqipnia shpalli Vetëqeverimin e saj, nënshtetasit shqiptarë janë në gjendje kaotike, nuk din se kush i mbron dhe kush do t’u japë pasaporta ose letra udhëtimi për ata që duan të kthehen në Shqipni.
Meqënëse unë kam qenë një nga përpjekësit për lirinë e Shqipnisë dhe ngahera përkrahës i shqiptarëve këtu në Varnë, shqiptarët e Varnës dhe përqark sillen tek mue kur kanë nevojë. Por meqënëse edhe unë nuk di gjë u nevojta t’i sillem shkëlqesës Tuaj me lutjen të na shkrueni se kush i mbron nënshtetasit shqiptarë dhe kush lejon pashaporta për ta në Bullgari.
Duke pritur sa më shpejt përgjigjen, mbetem me falenderime dhe adhurime.
Jani G. Çoni
(firma)

Në vijim të komunikimit me z. Çoni, ministri i Punëve të Jashtme, më 2 mars 1944, i dërgon atij këtë përgjigje:

I ndershmi zotni,
Kjo ministri mori në shqyrtim çështjen e parashtrueme me letrën e zotnisë së Juej, datë 16 shkurt 1944, dhe ju njofton se autoritetet gjermane në Bullgari janë të ngarkueme me mbrojtjen e interesave shqiptare në atë vend.
Sa për çështjen e pasaportave, kjo ministri âsht tue bâ hapat e duhuna për rifillimin e marrëdhënjeve me Shtetin Bullgar, në mënyrë që për së shpejti të rikrijohen përfaqësitë përkatëse në Bullgari.
Sidoqoftë, Zotnia Juej mundeni të vazhdoni tue këshillue bashkëatdhetarët që ndodhen në Varne që të jenë të qetë mbasi do të merren masat e duhuna për së shpejti.
(firma, vula)

(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb