Nga: GJERGJ FRASHËRI*
Pas odisesë 24 vjeçare të Konstandinit dhe Doruntinës erdhi lajmi i mirë, se një Komision do të ketë të drejtën të hapë dosjet e diktaturës, për të parë, hetuar dhe gjykuar veprimtarinë e individëve të veçantë që kanë kontribuar në të ashtuquajturën veprimtari kriminale të Sigurimit të Shtetit të periudhës së diktaturës (1944-1991). Iniciativa, megjithëse tepër e vonuar është për t’u përshëndetur, sepse të mësohet e vërteta, nuk është asnjëherë vonë. Çdo epokë historike me sistemin e vet shtetëror, sado pozitive të ketë qenë në zhvillimin e vendit, ka marrë me vete edhe një të vërtetë të hidhur, që është përpjekur ta fshehë nga koha e ngjarjes. Ajo duhet të mësohet një ditë. Përballja me të shkuarën në mënyrë të ndershme, të dhuron përvojë qelibari për të ecur përpara. Por cila përbën të vërtetën e hidhur historike mbi veprimtarinë kriminale të diktaturës që kaluam? Domethënë cila është e vërteta prej së vërtetës së fshehur në raftet arkivore të Sigurimit të Shtetit deri një çerek shekulli më parë? Si do të kërkohet ajo, çfarë pritet të mësohet dhe kush do ta përcaktojë moralin e kësaj të vërtete të fshehur në faqet e panumërta të dosjeve? Përse dhe ku do të përdoret përvoja e mësuar nga ky proces, kush do të ketë të drejtë ta përdorë atë aktualisht? Do nxirret kjo përvojë për të ndrequr moralin, ekonominë dhe ndëshkimin e krimit sot, apo do të përdoret vetëm si kuriozitet tërheqës për të mjegulluar pikërisht krimin e sotëm? Sepse, kur lihet të rrjedhë kohë e panevojshme për të mësuar të vërtetën që qëndron prej 24 vjetësh në sirtar, aktualiteti fillon e tretet paralel me numrin e dëshmitarëve të kohës, atëherë rritet edhe rreziku që e vërteta të degjenerojë në një proces regresiv, që mund të sjellë rezultate denigruese, në vend që ato të hapin shtigje drite për të parë përpara.
Prandaj bëhet e domosdoshme të ndërtohet fillimisht kuptimi (koncepti) – përse do të hapen dosjet, kush do ta marrë përgjegjësinë për hapjen dhe vlerësimin e tyre, çfarë do të quhet pozitive dhe negative në përmbajtjen e tyre, cila është hapësira e aktit kriminal që duhet të bëhet e njohur, çfarë konsiderohet sekret shtetëror që nuk duhet të bëhet e njohur, e kështu me radhë. Hapja e dosjeve për mendimin tim nuk duhet të bëhet pa u ndërtuar ky kuptim (koncept) dhe pa u paraprirë e gjithë kjo punë konceptuale nga një debat publik serioz për zbulimin dhe largimin e kulisave kriminale politike, që pengojnë përparimin e vendit dhe dëmtojnë moralin kombëtar. Hapja e dosjeve të socializmit nuk duhet të bëhet si hapja turistike e tunelit Bunkart mbi Tiranë, duke tjetërsuar identitetin e një prej veprave me përmasa historike kombëtare – kur dhe pse ai u ndërtua, duke deformuar kontekstin dokumentar të veprës, të pasaportës së saj historike për interesa ditore parash (të mbiquajtura turistike). Kujtojmë kohën e post-diktaturës së Bonapartit në Francë, në kohën kur fytyra natyrale e gruas tregonte një grua tjetër të panjohur më parë prej stërmakijazhit dhe stërkozmetikës, në kohën e historizmit të restauratorit vandal , Viollet le Dyc-ut (1814-1879), kur monumentet e kulturës –dokumente historike, në vend që të ruheshin dhe të restauroheshin me besnikëri si dokumenta historike dhe kulturore, transformoheshin (falsifikoheshin) pa asnjë dhimbje profesionale nga origjinaliteti i tyre dokumentar, deri në një gjendje dhe formë, që nuk kishin qenë kurrë. Kujtojmë kohën “padijes në sulm” të Goethes, kohën e kopjacëve dhe të falsifikimit të dokumentave, të shtrembërimit të historisë. Paranë e fituar nga falsifikimi dokumentar, falsifikatori e ripaguan më shtrenjtë, mjerisht edhe blerësi.

Çfarë shansi do të kenë dosjet e informatorëve të Sigurimit dhe të dëshmitarëve gjyqësorë të diktaturës, që ato të hulumtohen me objektivitet, pas një vonese prej 24 vjetësh të pajustifikuar dhe për më tepër, në atmosferën e tejngopur të mosndëshkimit të krimit të sotëm qeveritar e shtetëror? Njëherë vuajtëm nga krimi i diktaturës i fshehur në dosje. Kush thotë, se nuk po vuajmë sot nga dosjet që bëjnë sikur hapen dhe mbyllen çdo ditë, për të futur në kafaz ndonjë ketër në vend të luanit! Shteti dhe qeveria kanë një përgjegjësi të madhe në përdorimin apo shpërdorimin e dosjeve. Përpara se të hapen dosjet e diktaturës m’ë duket se duhet të filtrohet politikisht dhe juridikisht morali historik i tyre, domethënë t’i jepet përgjigje pyetjes kardinale – konsiderohet (vlerësohet) progresive në tërësinë e vet vepra e ndërtimit socialist në Shqipëri nën udhëheqjen e PPSH-së, të Enver Hoxhës (1944-1985) dhe të Ramiz Alisë (1985-1992)? Sepse, në se shumatorja e saj historike do të deklarohet pozitiv, atëherë vepra individuale e dosjeve do të shihet me syrin A. Ndryshe, në se rezultati i veprës së ndërtimit socialist do të deklarohet negativ, atëherë edhe vepra individuale e dosjes do të lexohet nga këndi X. Nga Dekorata te Burgu nuk është pistë tolerance, që mund ta mbyllë shishja e rakisë!

Modeli gjerman i hapjes së dosjeve është i mirë. Unë e kam përjetuar nga afër atë në debatet e përditshme të mjedisit kryeqytetas gjerman, e kam ndjekur përditë në debatet e përditshme në shtypin vendas atje, pasi prej pranverës së vitit 1990 kam jetuar dhe punuar në Gjemani. E kam ndjekur thjeshtë si qytetar për të mësuar, se si mund të trajtohej çështja e hapjes së dosjeve një ditë në Shqipëri. Njëkohësisht pata vërejtur, se Shqipëria e diktaturës nuk ishte Gjermania Lindore, nga shumë pikëpamje. Gjermania lindore ndërtoi socializmin, ndërsa Shqipëria pavarësisht çfarë propagandonte, arriti të zhdukë prapambetjen mesjetare dhe analfabetizmin, të shpëtonte vendin nga varfëria dhe uria, duke i garantuar secilit punën dhe porcionin e mbijetesës sociale. Gjermania Lindore pati një vëlla të madh e të pasur që e mbuloi dhimbjen e hapjes së dosjeve me teknikën ligjore dhe fuqinë ekonomike, kurse Shqipëria jonë jo vetëm nuk ka as vëlla dhe as motër, por as dikë që t’i mbulojë ligjërisht apo ekonomikisht mungesat e saj, as nuk ka zënë ndonjë “dashnore” gjeostrategjike, që ta ndihmojë pa kushte politike, pa ia shprishur moralin kombëtar, pa ia dhunuar veprën atdhetare e patriotike që gjyshërit dhe baballarët tanë bënë për Shqipërinë dhe mbijetesën kombëtare të shqiptarëve. Vendi ynë duket sot se është marrë në duar e huaja dhe po zhytet çdo ditë e më tepër në rrezikun e asimilimit të identitetit kombëtar, prej stuhisë pa mbarim të korrupsionit shtetëror. Dosjet e diktaturës në Shqipëri, të cilat duhet të ishin hapur më 1991, ashtu si në Gjermaninë Lindore u hapën menjëherë pas rrëzimit të Murit të Berlinit, po hapen më 2015. Tash pas 24 vjetësh që ka rrjedhur shumë ujë politik i qelbur, pyes veten, nuk është aktuale dhe urgjente të hapen njëherazi edhe dosjet e korrupsionit demokratik, të cilat mund të parandalojnë të keqen e sotme dhe mund të përmirësojnë ekonominë e rraskapitur të vendit? Po ku janë këto dosje të korrupsionit demokratik në Shqipëri, kush i qeveris ato, Sigurimi Blu apo ai i Kuq i shtetit shqiptar, apo Shërbimet Sekrete të Huaja?

*

Si dhe ku do ta marrim të drejtën të deklarojmë kriminelin e një epoke? Në një shoqëri demokratike që qeveriset nga ligji siç është vetëshpallur prej më se dy dekadash edhe shoqëria jonë, është pikërisht ligji që e ndalon qytetarin e Republikës së Shqipërisë, të akuzojë publikisht si kriminel një qytetar tjetër, derisa ky cilësim nuk është rezultat i një vendimi të posaçëm gjyqësor. Të drejtën për të akuzuar e gëzon kushdo, por duke i paraqitur gjykatës prova të afta ligjore. Të deklarosh një qytetar kriminel, do të thotë se ai ka kryer një vepër kriminale, e cila është provuar si e tillë përpara gjykatës. Akuza e paprovuar gjyqësisht është një akuzë antiligjore, një akt i dënueshëm për vetë akuzuesin. Kështu është sot në Evropën demokratike, kështu janë edhe ligjet në Shqipëri.

Por realisht në Shqipëri nuk ndodh kështu. Ministri dhe shtetari, politikani dhe i ashtuquajturi analist ekranesh e deklaron hapur Enver Hoxhën në mediet e kësaj republike si kriminel, pa pasur në dorë një vendim ligjor. Enver Hoxha akuzohet dhe deklarohet prej tyre si një kriminel i popullit shqiptar, duke klasifikuar kështu veprën e tij 41 vjeçare të Pasluftës (1944-1985) – një vepër kriminale (?!). Kësaj shtrese elitarësh të komanduar (të cilëve u duhen hapur edhe dosjet e diktaturës edhe ato të demokracisë), u vjen nga pas me verbëri turma nga popullata e qytetërimit pesëshekullor shqiptaro-osman, një lloj popullate, e cila jo vetëm nuk di se çdo të thotë qeverisje e shoqërisë demokratike nga ligji, por ajo i është arratisur ndërkohë edhe kanunit të lashtë, gjithashtu i është vjedhur edhe besës pagane (parakristiane), siç e ka bërë njëmilion herë në historinë e vet, aqherë sa i është dashur të sulmojë si fis indigjen qytetin më të afërt për të grabitur, për të shuar urinë. Fjala vjen, në vend të luleve të freskëta, siç ishin betuar se do të vendosnin mbi varrin e udhëheqësit të tyre, të cilin e patën stërbrohoritur pareshtur me dekada, po hedhin tashmë mbi pllakën e varrit të tij, fyerje, sharje, mosmirënjohje dhe hijen e kriminelit. Është tashmë një armatë bashkatdhetarësh e çarmatosur nga dija (pa fletore shkolle), e zhgënjyer nga e sotmja, e frikësuar nga e ardhmja, e braktisur nga komanda, që vijnë vërdallë me makina private si kali në lëmë dhe mbushin ajrin me piskama qaramani mbi “stërvuajtjet” e tyre të “pamerituara”, duke ia hedhur fajin kuturu të Kaluarës që vetë e Brohoritën me búje.

“Është, apo nuk është kriminel Enver Hoxha” këtë e përcakton ligji mbi të Drejtën e Qytetarit. Kundrejt histerisë që elita dhe turma kërkon të shkarkojë me verbëri ligjore “krimin” e diktaturës vetëm në personin e Enver Hoxhës, ka prirje oportune të besohen të dyja – edhe akuza edhe deklarimi si kriminel që ata i bëjnë atij. Kjo vetëm sa për të mos prishur qejfin medieve dhe aspak për hir të së vërtetës. Sepse derisa ai vdiq më 1985 nuk kishim parë ndonjë “disidencë” institucionale që t’i kundërvihej në mënyrë exemplare politikisht Enver Hoxhës duke e shpallur atë publikisht si kriminel. Nuk pamë dikë të na zgjonte, të na bindte dhe të na ndriçonte për një rrugë tjetër më të mirë nga ajo socialiste me diktaturë që po aplikohej në Shqipëri. Dyshime dhe pikëpyetje për drejtësinë e kësaj rruge kishim të gjithë, në çdo hap të ditës e të punës. Edhe sot vazhdojmë të bëjmë analiza, hamendje dhe krahasime me botën jashtë, por një alternativë tjetër bindëse më të mirë zhvillimi për më se 90% të popullsisë të Shqipërisë së atëhershme, nuk po gjejmë. Duket qesharake kur dëgjon, se kjo turmë popullore shqiptare paskësh qenë e përgatitur qysh Paraluftës me “program qytetërimi bashkëkohor demokratik” dhe pretendon sot, se qenka persekutuar politikisht dhe paska vuajtur për vdekje në dekadat e socializmit. Po ashtu, se ajo paska hyrë në dyert e Ferrit të socializmit të Pasluftës, pasi doli nga dera e Parajsës me qytetërimin dhe ekonominë e spikatur të Paraluftës në Shqipëri. Megjithëse kemi jetuar, punuar dhe jemi përgatitur si qytetarë në diktaturë, nuk e paskemi vënë ré, gjithë këtë ushtri të persekutuarish politikë që kanë mbirë sot kudo dhe gjithë këto krime që Enver Hoxha ia paska bërë një populli engjëll dhe të emancipuar. Na duhet të dëgjojmë tashmë pallavrat e kësaj gjenerate të ashtuquajtur e “tranzicionit” (e cila identifikohet me gjeneratën grabitëse të pasurisë kombëtare), se paskemi jetuar për gati pesë dekada në Republikën e Një Krimineli dhe të Tremilion Engjëjve shqiptarë demokratë!
Të gjitha dëshiroj t’i pranoj, në se kjo gjë e qetëson turmën e uritur! Por problemi është se kush është Krimineli? Nuk po marrim vesh, se cili është qëndrimi zyrtar i shtetit tonë mbi Enver Hoxhën? Është ai ashtu siç njihet deri sot zyrtarisht, udhëheqësi që kreu revolucionin për ndërtimin e socializmit në Shqipëri? Apo është sipas variantit të “filozofëve” të tranzicionit – krimineli më i madh i popullit ? Apo, as mish – as peshk!

Me sa jam në dijeni, nuk ka deri sot asnjë vendim juridik shtetëror apo gjyqësor , as edhe një analize profesionale historike akademike, apo ndonjë ekspertize shtetërore, që të legjitimojë akuzën që i bëhet Enver Hoxhës publikisht – si kriminel, qoftë në jetën e tij private si qytetar, qoftë edhe për veprën e tij si udhëheqës i socializmit (1944-1985). Nuk kemi deri sot as edhe ndonjë rezultat gjyqësor, që vetë Enver Hoxha gjatë jetës së tij të ketë kryer një akt kriminal si person fizik. Për këtë çështje, deklaratat personale nuk vlejnë, as edhe kur shiten për vlerësime zyrtare nga kryetarët e shtetit (me mustaqe, apo pa mustaqe) apo nga kryetarët e parlamentit (i shëndoshë apo i dobësuar), apo nga kryetarët e qeverisë (me origjinë maloku apo qytetari). Në një shtet demokratik, akuzat pa bazë juridike denoncohen në gjykatë si shpifje. Por javash-javash! Kur është fjala për kategorinë e shpifjes politike, gjenerata e post-diktaturës në Shqipëri kullot ende në lëndinat dhe bregoret bukuroshe të peizazheve feudale – “Vdiq mbreti – poshtë mbreti! Erdhi mbreti – rroftë mbreti!

Nuk ka asgjë demokratike një mjedis shoqëror, ku secili mund të akuzojë tjetrin për kriminel, pa pasur dëshmi gjyqësore. Enver Hoxha ishte dhe është edhe pas vdekjes një qytetar i kësaj Republike. Të ngrihet një padi dhe t’i kërkohet gjykatës të provohen pretendimet. Deriatëhere nuk kemi aspak të drejtë të deklarojmë Enver Hoxhën për kriminel, apo për vepra kriminale, as edhe ta akuzojmë lart e poshtë nëpër media dhe aq më keq nëpër zyrat e institucioneve shtetërore, parlamentare dhe qeveritare, të mbushura me juristë të larë me demokraci. Kjo është një kulturë dhe detyrim ligjor e shoqërisë demokratike të modelit evropian. E drejta e njeriut është detyrim të zbatohet për çdo qytetar pa përjashtim, edhe për atë që të pëlqen dhe e ke mik, edhe për atë që e quan armik, edhe për atë që shpallet i padëshirueshëm për interesat e grupimeve politike apo qeveritare. Akuza legjitimohet vetëm pas gjykimit.

*
Nuk duket rastësi që qysh prej vitit 1991, në krye të akuzuesve të Enver Hoxhës si kriminel, u vunë ata që deri sa ai ishte gjallë, e brohoritën për lavdi në kupë të qiellit, ata që ende i kanë pëllëmbët plagë nga duartrokitjet gjysmëshekullore. Sepse në vazhdim u shfaqën të rreshtuar edhe trashëgimtarët, fëmijët e tyre me detyra tashmë në superstrukturën shtetërore, qeveritare dhe parlamentare të tranzicionit, duke zëvendësuar postet e etërve në diktaturë. Nga pas u vjen përherë hordhia mesjetare, që mjerisht ende dominon për nga shumica numerike jetën e kësaj Republike, e cila “e zgjuar në mbrëmje para gjumit” dhe e “indinjuar mbas pilafit nga regjimi gjakatar i Enver Hoxhës”, nuk reshtet së zbrituri me falanga prej periferive rurale e peizazheve malorë drejt qyteteve, për të marrë ç’është e mundur – çfarë i sheh syri dhe i prek dora, për të zaptuar atë që nuk i takon, që nuk është e vetja, pikërisht atë që shteti i diktaturës ia ndalonte ta grabiste apo ta dhunonte. Është po ajo turmë popullsie, e cila deri dje para vdekjes së Enver Hoxhës prodhonte zenithin e votimit me 99,999% nën brohoritjet gregoriane për udhëheqësin e lavdishëm, ndërsa sot e tregon me gisht arkitektin më të shquar të djeshëm të ndërtimit të Shqipërisë së Pasluftës, si kriminelin më të madh në historinë e shqiptarëve, madje një kriminel që nuk i gjendet shoku në mbarë botën e shekullit 20.

Po luhet komedia hyjnore kolektive albanese. Sa ishte gjallë Enver Hoxha përjetuam një Republikë me në krye një Arkitekt dhe Tremilion Brohoritës të tij. Tashmë pasi ia dorëzuam Shqipërinë Amerikës, udhëheqësi i këtyre Tremilion Engjëjve shqiptarë u shpall kriminel, sepse i paska detyruar me dhunë këta tremilion krijesa të ndershme dhe të pafajshme, pa mëkate politike, këta engjëj brohoritësa “Parti-Enver jemi gati kurdoherë”, të jetonin kundra dëshirës së tyre në realitetin socialist për 41 vjet pa ndërprerje deri sa ishte ai gjallë (1944-1985). Padyshim, është fatkeqësi e madhe për fatin tonë, që pas 70 vjet pavarësi pas Çlirimit të vendit (1944), të jetojmë ne një anarki të tillë politike, ku arroganca e shtrembërimit dhe e shpifjes ndaj historisë së vetvetes, mbisundon përgjegjësinë ligjore qytetare. Është mjerim të jetojmë duke u zierë në kazanët e korrupsionit shtetëror me famë evropiane, në mjedisin ku është shthurur keqas morali kombëtar historik, ku profesionalizmi dhe patriotizmi intelektual tradicional është goditur rëndë nga invadimi i epidemisë folklorike të turmës tashmë të helmuar nga sektet e agjenturave të huaja, që e propagandojnë Shqipërinë e diktaturës – si “Republika e Një Krimineli dhe e Tremilion Engjëjve”. Jo vetëm brezi i ri është ç’orientuar me të kaluarën historike, por jemi duke vrarë gjyshërit dhe baballarët tanë, veprën që ata bënë me përkushtim e patriotizëm për Shqipërinë dhe shqiptarët në Ballkan, jemi duke varrosur amanetet e tyre për mbijetesën dhe identitetin tonë . Për të keqen e vetes e kemi!

Pjesë e komedisë hyjnore të post-diktaturës është edhe shtrembërimi mbi realitetin e zhvillimit të Shqipërisë të Pasluftës nën udhëheqjen e PPSH-së (1944-1991) deri aq, sa nuk po marrim vesh, po flitet për Shqipërinë ku kemi jetuar dhe punuar vetë me dekada, apo për ndonjë vend tjetër të panjohur në thellësi të Azisë. Si një prej epidemive vendase të tipit liri-demokraci është shfaqur papërgjegjshmëria qytetare ligjore për të shpifur. Simptomë e saj është stuhia histerike mbi deklarimin antiligjor kolektiv të Enver Hoxhës si kriminel prej turmës së engjëjve. Puna ka arritur deri aty, sa shpifjen më të spikatur mbi Enver Hoxhën e kemi dhuratë nga një Kryengjëll i diktaturës, ish-Kryeministri i post-diktaturës, shoku dhe zoti Sali Berisha. Prej një lajmi të BalkanWeb të datës 11 Nëntor 2014 me titull “Berisha: Me 70 –Vjetorin e Çlirimit, Rama po rehabiliton Enver Hoxhën”, ish-kryeministri deklaron, se “Neo-bllokmeni Edvin Kristaq Rama po përdor 70-Vjetorin për të reabilituar Enver Hoxhën, “Hitlerin shqiptar” të pasluftës, diktatorin më mizor e më të egër që shqiptarët kanë njohur në tërë historinë e tyre”. Përkundrejt kësaj deklarate të bërë nga ish-përfaqësuesi më i lartë qeveritar, nuk gjendet ndonjë vendim gjykate që Enver Hoxha të jetë vlerësuar si “Hitleri shqiptar” i Pasluftës, apo si “diktatori më mizor dhe më i egër që shqiptarët kanë njohur në historinë e tyre”. Nga pikëpamja e të drejtës ligjore, kjo është një shpifje klasike dhe deklaruesi duhet të çohet dhe të mbrohet përpara gjyqit.

Është Enver Hoxha një kriminel i periudhës 1944-1985 në historinë e Shqipërisë apo në historinë e shqiptarëve, deri sot nuk e ka shprehur, me sa jam në dijeni, asnjë vendim gjykate dhe nuk e ka akuzuar asnjë prokurori brenda apo jashtë kësaj Republike. As Parlamenti dhe as Presidenca e Republikës nuk ka nxjerrë ndonjë vendim apo dekret për t’a vlerësuar veprën e Enver Hoxhës si një krim, që ai t’i ketë shkaktuar një qytetari, apo ndonjë institucioni të Republikës, apo aq më e rëndë – popullit shqiptar. Për më tepër, atij nuk i është prekur asnjë nga dekorimet shtetërore. Përse atëherë lejohet deklarata publike me shkelje juridike? Ka ende vise shqiptare ku shpifja me klithma rapsodike të bën më të famshëm në popull, se sa qytetarin e ligjit.

Ende më rapsodike duket deklarimi i ish-kryeministrit, se “Rama po përdor 70-Vjetorin për të reabilituar Enver Hoxhën”. Së pari, nuk gjendet diku që Enver Hoxha të jetë de-abilitur zyrtarisht për ndonjë aspekt të jetës apo të veprës së tij. Së dyti, nuk kuptohet pse i kërkohet kryeministrit aktual të bëjë re-abilitimin apo de-abilitimin e Enver Hoxhës? Puna përzihet edhe me karakterin njerëzor. Të deklarosh me ulurima komandantin pas vdekjes së tij si kriminel, pasi i ke shërbyer atij gjithë jetën me devotshmëri të pashembullt si dishepull i Jezusit dhe ke marrë privilegje për këtë shërbim, nuk është qytetari. I nderuar zoti Berisha! Na je shfaqur si shërbyes i përbetuar i Enver Hoxhës qëkurse të rekrutuan si devshirme të PPSH-së. Të kujtojmë me përulje skllavi të bindur në këmbët e sulltanit tënd, qëkurse e teproje së tepërmi me lëvdatat që i thurje pa reshtur përpara syve tanë, aq sa nuk të kemi besuar. Deri këtu ka qenë puna jote! Nuk të akuzon Kush! Por nuk shijon t’i ulërasësh sot Enver Hoxhës kriminel, kur të shihnim atëherë që komandanti të mbante aq afër dhe ne të tjerëve nuk na përkëdheli si ty. Nuk ke lënë fjalë e vrer pas shpine pa hedhur mbi varrin e udhëheqësit tënd legjendar, natyrisht mbas vdekjes së tij. Turp të kesh, nuk të takonte ty!Jo vetëm nuk të beson kush, por të urrejnë të gjithë, të gjithë – edhe lukunia indigjene, si përfaqësues e së cilës u zgjodhe qysh në origjinë kur zbrite në kryeqytet, por edhe më pas, duke i mashtruar ata për njëzet e dy vjet pareshtur (1991-2013), fillimisht nga minberi i presidentit dhe në fund nga kolltuku i kryeministrit “demokrat”. Edhe Kanuni të ndëshkon kur shpif, apo fyen. Kjo pjesë nuk është vetëm puna jote, por edhe e bashkatdhetarëve!

Papërgjegjshmëria juridike për shpifjen në Shqipëri është kthyer në shfaqje tradicionale parlamentare dhe mediatike. Edhe kur ulet një kryeministër në kolltuk, do të deklarojë kriminel kryeministrin që sapo e la kolltukun, edhe pse i pat shërbyer si skllav si në rastin e zotit Berisha. Madje asnjë prej tyre nuk merr kurajën ta akuzoje paraardhësin për shpifje përpara gjyqit, sepse edhe atë që nxjerr nga goja, shpesh nuk e beson as vetë për të vërtetë. Diçka e ngjashme me bashkëjetesën paqësore fetare shqiptare, e cila në të vërtetë nuk vjen nga toleranca prej diturisë, por nga padituria popullore mbi religjionin.

Në këtë mjedis anarkie politike dhe plogështie (= paaftësie) administrative shtetërore për t’i peshuar, analizuar dhe gjykuar vetë figurat tona historike dhe epokat që kemi kaluar pas shpalljes së pavarësisë (1912), nuk mungojnë të hyjnë në vallet tona edhe Engjëjt nga bota e jashtme me vlerësime me rreze ndërkontinentale. Midis tyre shkëlqeu ambasadori amerikan në Tiranë, zoti Aleksandër Arvizu, i cili sipas një njoftimi të gazetës Panorama të datës 20.11.2014 deklaroi se shfaqja e imazheve të Hoxhës në ceremonitë e 70-vjetorit të Çlirimit është “një fyerje për shqiptarët” dhe se, “Enver Hoxha ka qenë një monstër që ka sjellë vetëm vuajtje për popullin shqiptar”.
M’ë vjen keq që një qytetar i ardhur këtu nga një vend me ligje demokratike, të marrë kurajën të bëjë një deklaratë të tillë, pa pasur asnjë bazë juridike, as ndaj ligjit shqiptar dhe as ndaj atij amerikan. Enver Hoxha nuk ka bërë ndonjë krim kundër SHBA-së, nuk ka shkaktuar vepër kriminale kundër saj, nuk ka vrarë apo dëmtuar asnjë shtetas amerikan. Ai ka mbajtur qëndrim politik ndaj politikës amerikane, kjo ka qenë detyrë e tij si udhëheqës politik, por kjo nuk përbën krim dhe as vepër kriminale. Në se me cilësimin monster, zoti Arvizu do të thotë, se Enver Hoxha ka kryer vepra kriminale në Shqipëri, kjo sido që të jetë, është çështje e gjykatës së Shqipërisë, e cila deri më sot, nuk është shprehur në dobi (mbështetje) të deklaratës së tij të pabazuar juridike. Si qytetar amerikan, një qytetar i ligjit, do të ishte mirë dhe kam bindjen se në këtë situatë juridike që ka shkaktuar, zoti Arvizu duhet të ndjehet i detyruar moralisht të kërkojë ndjesë për deklarimin që i ka bërë Enver Hoxhës si “ monstër që ka sjellë vetëm vuajtje për popullin shqiptar”. Sepse duke mos qenë në gjendje ta argumentojë piskamën e tij, ajo duket dashakeqëse dhe e cënon atë, jo vetëm si diplomat, por edhe si qytetar amerikan.

Kujtoj, se disa presidentë të SHBA-së i kanë sjellë popullit amerikan vuajtje më të mëdha se Enver Hoxha i ka sjellë popullit të vet, s’është nevoja t’i përmendim. Megjithatë, unë nuk kam të drejtë të cilësoj asnjërin prej presidentëve amerikanë si mostër për vuajtjet që i ka shkaktuar popullit të vet, sepse në radhë të parë ligji amerikan nuk i ka deklaruar ata të tillë; e dyta sepse vuajtja që ata i kanë shkaktuar popullit të vet është në masën e rrënjës katrore të qëllimit të madh progresiv që kanë arritur; dhe e treta, sepse si qytetar jo amerikan, jam i detyruar të respektoj vendimin që i ka dhënë presidentit amerikan gjenerata, e cila e ka shoqëruar në revolucionin e tij. Kështu duhet të vepronit edhe ju i nderuar zoti Arvizu, në respekt të ligjit të vendit. Enver Hoxha nuk është analizuar dhe vlerësuar nga ligji vendas dhe nuk është shpallur deri më sot, monster, as nga gjeneratat që e shoqëruan revolucionin socialist të kohës së tij. Në këtë situatë, në se ju i jepni vetes të “drejtën” t’a deklaroni Enver Hoxhën si “ monstër që ka sjellë vetëm vuajtje për popullin shqiptar”, është ekuivalente edhe për mua, që me të njëjtën të drejtë opinioni (me të njëjtën monedhë) dhe mendjelehtësi t’iu cilësoja ju personalisht, një “alabak që n’a keni bërë çorap katër vjet rresht në Shqipëri”. Po kështu mund të akuzoja edhe ambasadorin paraardhës amerikan William Rayerson (të pasuar edhe nga dy ambasadorë të tjerë), i cili prej fundit të 1991 “premtoi” çekun e bardhë për Shqipërinë dhe i dha kurajo atëhere presidentit Sali Berisha dhe kryeministrit Aleksandër Meksi (sipas pohimeve mediatike), që të shkatërronin çdo uzinë, fabrikë, ndërmarrje shtetërore, fermë apo kompleks bujqësor, të nxitej prerja e drurëve frutorë, vreshtave, etj, të tjetërsohej pronësia apo të grabitej gjithçka prej ekonomisë dhe pasurisë kombëtare, ndoshta-ndoshta të këshillohej edhe hapja e depove të armëve anembanë republikës, të gjitha këto aksione mostruoze të pashembullta vetëm e vetëm, pse ato ishin ndërtuar në kohën e Enver Hoxhës – madje deri edhe zëvendësimin e çekut të bardhë të premtuar, me zhvatjen financiare që iu bë popullit të Shqipërisë në piramidat kriminale të 1997. Kush është krimineli dhe mostra këtu, ai që i ndërtoi ato, apo ai që i shkatërroi ato? Ato ishin ndërtuar vetëm me mundin, me djersën dhe me gjakun e shqiptarëve, që jetuan, punuan dhe u sakrifikuan në kohën e diktaturës?

Është ekuivalente gjithashtu, sikur t’ju përmend, se personalisht nuk kam mësuar asgjë progresive nga “udhëzimet” e juaja mëngjesore, drekore apo darkore, as si ambasador dhe as si qytetar amerikan. Këto katër vjet keni ndërhyrë me “udhëzime” politike publike jo në pak raste, pa të drejtë në politikën shqiptare, duke shkelur kufizimet diplomatike të detyrës . Sikur t’ju them deri aq, sa kini provokuar të urrejmë segmente udhëheqëse të shtetit tonë ndaj thirrjeve tuaja për aksione revolucionare rrufé pa kuptim, në ditë të bukura me diell, ose të tkurremi në raste të tjera, prej interpretimeve tuaja të vakëta që i kini bërë episodeve skandaloze korruptive të kryera nga qeveritarët tanë, të cilat kanë qenë vërtet për tu ndëshkuar juridikisht. Kam ndjerë keqardhje duke parë kompleksin e inferioritetit të institucioneve diplomatike të shtetit shqiptar, që u zbythën përballë spekulimit të paharruar që i bëtë ngjarjes së 21 Janarit, duke futur nën ombrellën e ambasadorit të SHBA-së ”burra shteti”, pjesëmarrës në skenat e krimit në qendrën e kryeqytetit si, në vend që t’ju tërhiqnin vëmendjen, që të mos përziheshit me punët e brendshme të këtij vendi. M’ë vjen keq t’iu them mendimin tim, se udhëzimet tuaja shpesh, jo vetëm nuk kanë përmirësuar punën e qeverisë, të shtetit dhe të parlamentit të vendit tonë, por janë bërë bashkëpërgjegjëse për këtë katrahurë ku jemi katandisur ne shqiptarët e Shqipërisë, në vitet e detyrës tuaj si ambasador. Asnjëherë nuk ka qenë korrupsioni shtetëror shqiptar më i madh se sa në këto katër vitet e fundit.

Një ambasadori të huaj si zoti Arvizu, nuk i bën aspak keq të dijë, se Shqipëria e Enver Hoxhës ishte një ishull i pavarur, ku asnjë anije, apo avion i huaj, as edhe një frymor nuk mund të afrohej pa lejen e saj. Shqipëria nuk ishte ishulli i humbur i Robinson Crusoe-s, por një kala e fortifikuar, e mbyllur me mure rreth e qark, me pak dyer për të dalë dhe për të hyrë vendasit dhe të huajt, një kështjellë e fortifikuar në mes të Dheut të kësaj Toke. Ndërtimin e këtij ishulli-kala e vendosën dhe e bënë vetë shqiptarët (askush tjetër), gjenerata e baballarëve dhe e gjyshërve tanë midis dy luftërave botërore, kur panë, se edhe pas Shpalljes së Pavarësisë më 1912 vendi u bë përsëri han me dy porta si 1000 vjet rresht, i robëruar dhe i komanduar nga të huajt. Ata e “mbyllën” vetë vendin e tyre, sepse donin së fundi të vinin në jetë një program të bërë nga shqiptarët – programin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, pa ndërmjetësinë e pabesë të të huajve. Shqipëria u bë, si ishull i fortifikuar në mes të Luftës së Ftohtë, një vepër origjinale dhe e pa përsëritshme në histori. Enver Hoxhën e ndoqën deri në fund dhe i qëndruan besnikë shqiptarët e Shqipërisë, ata që e donin Shqipërinë, jo ata që donin Amerikën apo Bashkimin Sovjetik më shumë se sa Shqipërinë. Edhe gjenerata e moshës time u sakrifikua për këtë vepër ideale në dobi të mbijetesës së Shqipërisë, megjithëse në gjirin e saj kishte edhe brumë inteligjence nga më të mirat e racës, të cilës iu kufizuan mundësitë për të shprehur kapacitetet maksimale intelektuale brenda dhe jashtë vendit. Por për hir të programit për emancipimin e shumicës, shumë prej tyre e rrokën flamurin e PPSH-së për të dhënë kontributin e tyre pa rezerva për mbijetesën dhe zhvillimin ekonomik, shoqëror e kulturor të Shqipërisë. Kjo do të bëhej, edhe sikur në vend të Enver Hoxhës, të ishte një tjetër nacionalist, socialist dhe patriot i përkushtuar për Shqipërinë. Me shpatën e diktaturës enveriste në dorë, shteti i Enver Hoxhës e shkatërroi xhunglën feudale shekullore në të gjithë vendin, e shkuli me dhunë prapambetjen e pashembullt mesjetare të shoqërisë shqiptare, mbi të gjitha i drejtoi, i mësoi dhe i përkrahu mbi 90% shqiptarëve të Shqipërisë feudale të kërkonin dhe të gjenin një jetë me kuptim shumë më të mirë ekonomik, arsimor, intelektual, familjar dhe me perspektivë emancipimin e fëmijvë, të cilën nuk e kishin menduar më parë. Hoxha luftoi dhe punoi me rezultate të dukshme për lirinë dhe pavarësinë e munguar prej shekujsh të këtij vendi, luftoi e punoi si titan për ta shkulur me dhunë prapambetjen mesjetare të pjesës më të madhe të një populli nga më të varfrit në botë, kreu revolucionin arsimor të një populli që mori të drejtën të shkruante gjuhën e vet vetëm prej vitit 1908, udhëhoqi me sukses veprën më gjigante – emancipimin dhe edukimin demokratik socialist të shumëanshën popullor, në përputhje me shkallën e qytetërimit dhe kapacitetin kulturor historik të tij. Gabimet dhe “krimet” e kohës kur Enver Hoxha e udhëhoqi vendin, janë në vleftën e rrënjës katrore në krahasim me rezultatin historik të emancipimit (qytetërimit) të mbarë popullit shqiptar pas Luftës së Dytë Botërore. Engjëjt që bërtasin sot se janë “persekutuar” nga Enver Hoxha janë një tufë vathe që janë nxjerrë para gjyqit dhe janë ndëshkuar për shkelje të ligjeve në fuqi të asaj kohe. Ato ligje i kanë votuar asokohe tremilion shqiptarë, përfshirë edhe disa syresh që janë vetëndëshkuar prej tyre. Të shohim kur të hapen dosjet, se kush është dënuar pa të drejtë, kush nuk e ka shkelur ligjin dhe kush e ka ndihmuar regjimin për denoncimin e të dënuarve dhe të persekutuarve. Në dosjet do të ketë për të mësuar edhe për ambasadorët amerikanë, që do të vijojnë të vijnë në Tiranë, se si Tremilion shqiptarë të Shqipërisë kanë jetuar me Enver Hoxhën për një gjysmë shekulli, pa i shtrirë dorën as Perëndimit dhe as Lindjes, as edhe vetë mikut tonë më të madh Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndihmesë ekonomike apo për borxhe. Shoku Berisha kallzon Republikën e një Krimineli të pa shembullt në botë, duke shpallur tremilion engjëj të pafajshëm (pra duke futur edhe veten te engjëjt). Ndërsa një amerikan me punë provizore në Tiranë shpall paralelisht Republikën e një Monstre dhe automatikisht, Tremilion shqiptarë pjella të kësaj Monstre! Deri këtu mjafton. Kur dëgjoj dhe shikoj përditë në ekranet e televizionit të tilla leksione me “vlerësime” e “këshilla” qesharake për qeverisjen tonë të kaluar dhe të tashme, të them të drejtën, m’ë duket vetja si emigrant në vendin tim. Madje, më duken edhe Tremilion engjëjt e Shqipërisë si emigrantë në shtëpinë e vet! Ambasadori amerikan në Tiranë, nuk është as shef i ndonjë partie, as profesor filozofie që punon në Universitetin Kristal, por një qytetar i huaj. Vlerat demokratike janë në radhë të parë respektimi i të drejtës ligjore në vendin ku jeton dhe punon.

Nuk e di pse i nderuari zoti Arvizu tregon ngjashmëri të madhe me shokun dhe zotin Berisha. Ngjajnë shumë, sepse të dy ndjehen të vegjël dhe janë pa mëdyshje tepër të vegjël, përpara veprës historike gati gjysmë shekullore që Hoxha i dhuroi Shqipërisë duke e përshkuar tejpërtej gati të gjithë segmentin e Luftës së Ftohtë për vendin e tij. Ndoshta shpresojnë ta shembin atë, të dy të bashkuar në fushën e diplomacisë. Por edhe vlera e diplomatit kërkon veprën. Të dy ata bashkë nuk e arrijnë Enver Hoxhën as për nga aftësia, ndershmëria dhe besnikëria e profesionit të diplomatit.

Me këtë rast kam një propozim. Të ngremë edhe dy muze të tjerë në Tiranë. Të parin për Enver Hoxhën te Piramida, aty ku ishte, për të cilën ka një vendim shtetëror që duhet respektuar. Aty të tregohet jeta dhe vepra e tij, e ilustruar me vërtetësinë dhe korrektësinë më të madhe nga dokumentet e shumta arkivore që tashmë po dalin përditë në dritë. Në muzeun e dytë të titulluar “Engjëjt”, të ngritur pranë Piramidës ndoshta mbi Lanë, të tregohet historia dhe bëmat e atyre që pretendojnë se janë të “persekutuar politikë” kundër socializmit, në radhë të parë ata që do të provohen se janë kriminalizuar direkt nga dora e Enver Hoxhës (nëqoftëse ka), dhe jo për ata që kanë shkelur ligjet në fuqi, duke i ekspozuar me korrektesë dhe vërtetësinë më të madhe, idetë e tyre të parealizuara, bashkë me pretendimet e tyre, se si ato do ta ndryshonin zhvillimin e Shqipërisë, si një alternativë reale (jo utopike apo donkishoteske).

Në këtë muzeun e dytë, do kisha dëshirë të ishin edhe dy stenda, njëra e konceptuar dhe e realizuar nga shoku Berisha, ku në gjysmën e majtë të stendës, Enver Hoxha të dokumentohej si Hitleri shqiptar dhe në gjysmën e djathtë, të tregoheshin bëmat dhe sukseset e zotit Berisha në ndërtimin e demokracisë post-diktatoriale në Shqipëri. Gjithashtu propozoj edhe një stendë tjetër të konceptuar nga zoti Arvizu, ku në gjysmën e majtë të stendës, Enver Hoxha të paraqitej me argumenta dokumentare si “monster që i ka sjellë vetëm vuajtje për popullin shqiptar”, ndërsa në gjysmën e djathtë të tregohet “shkëlqimi i ambasadorit Arvizu në Shqipëri” dhe kontributi i tij në periudhën më korruptive të historisë së qeverive të Republikës të Shqipërisë.
*Arkeolog dhe publicist
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: